Ekspertët ndajnë këshilla se si ta bëjmë leximin një pjesë më të rregullt të jetës së djemve në shtëpi. Kur shohim më nga afër rënien kombëtare të rezultateve të leximit te fëmijët, shfaqet një tjetër prirje: aftësitë e leximit te djemtë janë dukshëm më të dobëta krahasuar me vajzat.
Vlerësimet kombëtare kanë treguar se aftësitë e leximit të djemve në klasën e katërt, të tetë dhe të dymbëdhjetë janë më prapa se ato të vajzave përkatësisht me 8%, 10% dhe 13%. Studime të tjera tregojnë se kjo prirje nuk është vetëm lokale, por shfaqet në shumë vende të botës dhe është thelluar me kalimin e kohës.
Ne folëm me ekspertë për të kuptuar më mirë pse të dhënat tregojnë se djemtë po hasin më shumë vështirësi me leximin dhe si mund t’i ndihmojmë ata të afrohen më shumë me librat gjatë verës dhe përtej saj.
Pse djemtë po mbeten prapa në lexim?
Këto të dhëna natyrshëm ngrenë pyetje rreth dallimeve biologjike që mund të ndikojnë në aftësitë e leximit te djemtë. Por Juliet Williams, PhD, profesoreshë e studimeve gjinore në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA), paralajmëron se hendeku në lexim nuk duhet të reduktohet vetëm në dallime të trurit apo mënyrave të të nxënit.
Disa njerëz që përhapin pseudo-shkencë sugjerojnë se djemtë nuk janë të aftë të qëndrojnë të qetë për kohën e nevojshme për të qenë lexues të suksesshëm,- shprehet ajo. Por të njëjtët njerëz jetojnë në të njëjtën botë ku unë jetoj, dhe nëse i jep një djali të vogël një pajisje loje, ai mund të jetë aq i përqendruar sa të mos shkojë as në banjë apo të hajë.
Sipas Dr. Williams, hendeku mes djemve dhe vajzave në lexim lidhet më shumë me mënyrën se si shoqëria i edukon dhe i orienton fëmijët. Ka shumë paragjykime që lidhen me leximin, thotë ajo. Leximi shpesh shihet si një aktivitet më shumë i lidhur me vajzat.
Një shembull janë aktivitetet e hershme të prindërimit dhe qasja ndaj modeleve mashkullore në edukim. Një studim i vitit 2013, që analizoi aktivitetet prindërore në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada, zbuloi se prindërit në mënyrë të pavetëdijshme kalonin “dukshëm më shumë kohë” duke lexuar, mësuar shkronjat dhe punuar me numrat me vajzat që nga foshnjëria.
Ndërkohë, një studim i Universitetit Stanford tregoi se djemtë mund të kenë rezultate më të mira kur mësohen nga mësues meshkuj, veçanërisht në lëndë si gjuha angleze. Megjithatë, vetëm rreth 3% e mësuesve të arsimit parashkollor dhe kopshtit, si dhe rreth 20% e mësuesve të shkollës fillore, janë burra.
Përtej ndikimit të socializimit, Daris McInnis, EdD, profesor asistent i edukimit të leximit në Universitetin West Chester, thekson se vetë procesi i të lexuarit është sfidues për të gjithë fëmijët. Të lexuarit nuk është diçka që njerëzit e bëjnë natyrshëm. Është një aftësi që duhet të mësohet, thotë ai. Megjithatë, Dr. McInnis beson se dashuria për leximin mund të kultivohet te djemtë në çdo moshë.
Si ta nxisim leximin te djemtë?
Ekspertët ndajnë këto mënyra praktike për t’i ndihmuar prindërit të nxisin më shumë interes për leximin te djemtë:
1. Filloni me një bisedë
Dr. McInnis sugjeron që prindërit të fillojnë duke zhvilluar një bisedë pa gjykime rreth mënyrës se si djali i tyre e sheh leximin. Kjo bisedë mund t’i ndihmojë prindërit të kuptojnë nëse mungesa e interesit për librat lidhet me vështirësi në lexim, probleme me kuptimin e tekstit apo thjesht me mungesën e një lidhjeje pozitive me librat.
2. Bëjini librat të dukshëm në shtëpi
Krijoni një hapësirë të veçantë për libra në shtëpi, edhe nëse është vetëm një raft i vogël me disa libra. Kur librat janë pjesë natyrale e ambientit të shtëpisë, fëmijët kanë më shumë mundësi t’i shohin si pjesë të jetës së përditshme.
3. Lejojini fëmijët të eksplorojnë lirshëm në biblioteka ose librari
Kur fëmijët kanë mundësi të zgjedhin vetë librat që u interesojnë, ata ndihen më të përfshirë dhe më të motivuar. Eksplorimi i lirë i librave u jep mundësi të zbulojnë tema që lidhen me pasionet dhe kureshtjen e tyre.
4. Krijoni një rutinë të përditshme leximi
Vendosni një kohë të caktuar çdo ditë për leximin. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sot, pasi të dhënat tregojnë se fëmijët rreth moshës 13-vjeçare lexojnë mesatarisht vetëm 34 minuta në ditë jashtë shkollës, ndërsa kalojnë rreth 4.1 orë në ditë në rrjetet sociale.
5. Rrethojini me modele që lexojnë
Fëmijët mësojnë shumë përmes shembullit. Kur shohin prindërit, vëllezërit, motrat ose persona të tjerë të rëndësishëm duke lexuar dhe duke diskutuar për libra, ata kanë më shumë gjasa ta shohin leximin si një aktivitet të vlefshëm.
6. Jepuni liri në zgjedhjen e materialeve për lexim
Dr. Williams thekson se nuk duhet t’u japim fëmijëve mesazhin se disa forma të leximit janë më “të vlefshme” se të tjerat. Prindërit nuk duhet të nënvlerësojnë romanet grafike apo librat me ilustrime. Çdo formë leximi mund të jetë një hap drejt zhvillimit të dashurisë për librat.
Megjithatë, Dr. McInnis rekomandon që fëmijët të inkurajohen të lexojnë edhe materiale të publikuara në mënyrë profesionale dhe jo vetëm përmbajtje të shkurtra në rrjetet sociale.
7. Krijoni një klub libri prind-fëmijë në komunitet
Dr. McInnis ka parë përfitimet e kësaj metode gjatë kohës së tij si mësues. Kur një fëmijë udhëheq takimin mujor të klubit të librit, ai merr përgjegjësi më të madhe për përfundimin e librit dhe për përgatitjen e diskutimit. Kjo e bën leximin një përvojë sociale dhe jo vetëm një detyrë individuale.
8. Kushtojini vëmendje asaj që fëmija juaj lexon
Të dy ekspertët besojnë se librat dhe materialet e publikuara nuk duhet t’u hiqen fëmijëve. Megjithatë, është e rëndësishme që prindërit të jenë të informuar rreth asaj që fëmijët e tyre lexojnë, në mënyrë që t’i ndihmojnë të kuptojnë mesazhet, stereotipet ose idetë që mund të jenë të diskutueshme.
9. Kuptoni më shumë rreth mënyrës se si shoqëria ndikon në zhvillimin e djemve
Dr. Williams rekomandon disa libra që mund t’i ndihmojnë prindërit të reflektojnë mbi mënyrën se si i edukojnë djemtë:
- Delusions of Gender: How Our Minds, Society, and Neurosexism Create Difference* nga Cordelia Fine.
- Guyland: The Perilous World Where Boys Become Men* nga Michael Kimmel.
Këto burime trajtojnë mënyrën se si pritshmëritë shoqërore ndikojnë në zhvillimin, sjelljen dhe identitetin e djemve.
Pse është e rëndësishme të adresojmë hendekun në lexim?
Leximi gjatë fëmijërisë lidhet fuqishëm me ndikime pozitive afatgjata në shëndetin dhe zhvillimin e individit. Ai ndihmon në rritjen e funksioneve njohëse, përmirësimin e shëndetit në moshën madhore, jetëgjatësinë më të madhe dhe zhvillimin e një ndjenje më të thellë të empatisë.
Gjithashtu, leximi është një tregues i rëndësishëm i suksesit akademik gjatë viteve të shkollimit. Ai mund të ndihmojë në shpjegimin e faktit pse djemtë, në shumë vende, mbeten prapa vajzave për sa i përket mesatares së notave nga kopshti deri në klasën e dymbëdhjetë.
Dr. McInnis dhe Dr. Williams besojnë se asnjë formë tjetër mësimi nuk mund ta zëvendësojë plotësisht përvojën që sjell leximi. Në format vizuale si filmat dhe videolojërat, shumë pjesë të procesit imagjinativ bëhen tashmë për fëmijën. Pamjet u tregojnë se si duket një personazh, si është një vend apo si zhvillohet një ngjarje.
Ndërsa leximi i detyron fëmijët të përdorin imagjinatën e tyre. Ata duhet të krijojnë vetë pamjet në mendje, të mendojnë për personazhet, të kuptojnë emocionet e tyre dhe të reflektojnë mbi situatat me të cilat përballen. Përmes librave, fëmijët jo vetëm mësojnë të ndjekin një histori, por gjithashtu zhvillojnë aftësinë për të analizuar, për të pyetur dhe për të formuar këndvështrime të tyre.
Dr. Williams thekson se ritmi më i ngadaltë i leximit mund të jetë veçanërisht i dobishëm edhe për djemtë. “Nuk mendon kur luan videolojëra; nuk ke kohë për ta bërë këtë. Duhet të reagosh me shpejtësinë e gishtit që shtyp një buton”, shprehet ajo.
Ndryshe nga lojërat elektronike, një libër zakonisht lexohet gjatë ditëve ose javëve, duke krijuar hapësirë për përqendrim të thellë, reflektim kritik dhe për të mësuar të reagojmë me mendim, në vend që të veprojmë vetëm në mënyrë impulsive.
Në një shoqëri ku fëmijët – dhe veçanërisht djemtë – përballen me shumë presion për të konkurruar, për të pasur sukses dhe për të arritur shpejt rezultate, nxitja e tyre për të ngadalësuar ritmin, për të reflektuar dhe për të kuptuar këndvështrimet e të tjerëve mund të jetë një nga dhuratat më të vlefshme që mund t’u japim.
Siç shprehet Dr. Williams, qëllimi është t’u japim brezit të ri të djemve mjetet për të ndërtuar një mënyrë më të mirë të të qenit burra – me më shumë empati, mendim kritik dhe kuptim të vetes dhe të të tjerëve.
Artikull nga: Ashleigh D. DeLuca
Përkthim: Prinderimi.com
