Vera është koha kur fëmijët kanë më shumë orë të lira dhe më pak detyrime shkollore. Përveç lojës dhe pushimit, kjo periudhë mund të shfrytëzohet për t’i mësuar aftësi që do t’u shërbejnë gjatë gjithë jetës. Një prej tyre është organizimi i hapësirës personale.
Shumë prindër e kanë zakon t’i rregullojnë vetë lodrat, librat apo rrobat e fëmijëve. Megjithatë, edhe fëmijët e vegjël mund të marrin përgjegjësi të vogla, nëse udhëzohen me durim. Qëllimi nuk është perfeksioni, por krijimi i një zakoni.
Filloni me raftin e librave. Nxirreni çdo libër, pastrojeni raftin dhe ftojeni fëmijën t’i rendisë librat sipas madhësisë, ngjyrës ose temës. Zgjidhni së bashku disa libra që do të lexohen gjatë javës dhe vendosini në pjesën më të dukshme të raftit. Kjo e nxit fëmijën të lexojë më shpesh.
Kaloni më pas te lodrat. Përdorni kuti ose shporta dhe vendosni etiketa të thjeshta si “Makina”, “Puzzle”, “Kukulla” ose “Lodra kreative”. Kur çdo send ka vendin e vet, edhe pastrimi pas lojës bëhet më i lehtë.
Vera është edhe koha ideale për të rregulluar garderobën. Lëreni fëmijën të zgjedhë rrobat që i ka zënë trupi ose që nuk i përdor më. Së bashku mund t’i dhuroni ato familjeve në nevojë. Kjo i mëson bujarinë dhe mirënjohjen.
Nëse fëmija ka një tavolinë studimi, organizojeni së bashku. Vendosni lapsat në një gotë, fletoret në një raft dhe materialet kreative në një kuti të veçantë. Një hapësirë e rregullt e motivon të krijojë, të vizatojë dhe të lexojë.
Krijoni një “kënd përgjegjësie” në dhomë. Vendosni aty një kalendar të vogël ose një tabelë ku fëmija shënon detyrat e përfunduara, si:
- Rregullova shtratin.
- Palosa pizhamet.
- Ujita lulet.
- Rregullova raftin.
- Vendosa rrobat në shportën e larjes.
Mos harroni ta lavdëroni për përpjekjen, jo vetëm për rezultatin.
Një ide tjetër është të caktoni një “15-minutësh organizimi” çdo mbrëmje. Vendosni një alarm dhe e gjithë familja rregullon hapësirat e veta. Kur prindërit japin shembull, edhe fëmijët e pranojnë më lehtë këtë zakon.
Për ta bërë më argëtuese, organizoni sfida të vogla. Për shembull: “Sa libra mund të sistemojmë për 10 minuta?” ose “Kush e gjen vendin e duhur për çdo lodër?“. Fëmijët mësojnë më shpejt kur aktiviteti shoqërohet me lojë.
Një herë në javë, organizoni një “ditë riorganizimi”. Rishikoni së bashku raftet, lodrat, materialet e vizatimit dhe rrobat. Kjo i mëson fëmijës se organizimi nuk është një aktivitet që bëhet vetëm një herë, por një zakon i vazhdueshëm.
Mbi të gjitha, jini të durueshëm. Fëmija nuk do ta bëjë gjithmonë gjithçka siç e imagjinoni ju. Jepini kohë të mësojë, korrigjojeni me butësi dhe falënderojeni për çdo përpjekje.
Në familjet tona, ku bashkëpunimi dhe përgjegjësia janë vlera të rëndësishme, këto zakone të vogla kanë ndikim të madh. Një raft i rregullt, një tavolinë e sistemuar apo një dollap i organizuar nuk janë vetëm shenja të pastërtisë. Ato janë dëshmi se fëmija po mëson të kujdeset për veten, për shtëpinë dhe për familjen e tij. Dhe vera është koha më e mirë për ta filluar këtë udhëtim.
