Adoleshenca është periudha më intensive e zhvillimit psikologjik, emocional dhe shoqëror të njeriut. Ndërkohë që trupi transformohet me ritme të shpejta, edhe mendja përballet me një realitet të ri: gabimet bëhen më të dukshme, më publike dhe më të vështira për t’u përballuar./prindërimi

Edukimi i bazuar në gabime nuk është vetëm një metodë, por një domosdoshmëri për prindërimin dhe mësimdhënien efektive.
Pse adoleshentët kanë frikë nga gabimet?
Në fëmijërinë e hershme, kurioziteti dominon dhe fëmijët nuk ndihen ende të rrezikuar nga opinioni i të tjerëve. Por, në adoleshencë, shfaqet një ndjeshmëri e re ndaj kritikës, talljes apo dështimit.
Nxënësit fillojnë të ndihen në siklet kur përgjigjen në klasë, frikësohen të provojnë diçka të re nga frika se do të duken të paaftë apo të paditur. Këto pesë rreziqe: injoranca, gabimi, ngadalësia, ekspozimi dhe dështimi, e bëjnë procesin e të mësuarit më të ndërlikuar dhe emocionalisht të ngarkuar.
“Në shkollën e madhe të jetës, ti dhe unë jemi gjithmonë nxënës.”
Prindërit, mësuesit dhe edukatorët e tjerë janë përgjegjës të krijojnë një mjedis ku gabimi shihet si mundësi për mësim, jo si shenjë dështimi. Fjalët, qëndrimi dhe reagimet e tyre mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ndërtimin ose shkatërrimin e vetëbesimit të një të riu.
Si duhet të sillen të rriturit?
Të rriturit e pasigurt shpesh i qortojnë gabimet me padurim, përçmim ose mllef. Kjo qasje e frikëson adoleshentin dhe e largon nga gatishmëria për të mësuar. Në të kundërt, të rriturit e sigurt dhe të vetëdijshëm mbështesin procesin e të nxënit me fjalë që edukojnë dhe nuk gjykojnë.
“Gabimet nuk janë dështime. Ato janë mësime që nuk mund të zëvendësohen.”
Një prind që thotë: “Ti nuk po përpiqesh sa duhet”, ka më pak ndikim pozitiv sesa ai që thotë: “E kuptoj që është e vështirë, por je duke u përpjekur dhe kjo është ajo që ka rëndësi.” Kjo mënyrë komunikimi nuk është e butë është e mençur dhe ndërtuese.
Dallimi mes keqbërjes dhe gabimit
Një ndër gabimet më të shpeshta të prindërve është se nuk bëjnë dallim të qartë mes gabimit dhe keqbërjes. Një keqbërje është thyerje e vetëdijshme e rregullit, siç është një gënjeshtër apo sjellje me qëllim negativ. Ndërsa gabimi është një zgjedhje e bërë në kushte padijeje, pa qëllim të keq. Edukimi i bazuar në gabime mëson: jo vetëm çfarë të mos bësh, por pse nuk duhet ta bësh përsëri.
“Një gabim i mirë është ai që të mëson diçka që më parë nuk e dije.” – Carl Pickhardt
Kjo nuk do të thotë se gabimet nuk kanë pasoja, por ato pasoja duhet të kenë qëllim mësimor, jo ndëshkues. Prindi nuk duhet të hakmerret emocionalisht, por të udhëheqë me qetësi drejt një reflektimi që e ndihmon adoleshentin të bëjë zgjedhje më të mençura në të ardhmen.
Kur ndodh një tjetër gabim…
Shpesh, pikërisht në momentin kur ndodh një “gabim i madh”, prindi ndodhet para një zgjedhjeje jetike: të reagojë me zhgënjim ose të udhëheqë me maturi. Në vend të thënies: “S’mund të besoja që e bëre këtë!”, një qasje më konstruktive është: “Çfarë mësove nga kjo? Si mund të veprosh ndryshe herën tjetër?”
Ky proces nuk është i lehtë, por është shumë më efektiv dhe më edukues sesa çdo ndëshkim verbal ose ndjenjë faji që mund t’u imponohet të rinjve. Të rriturit që kanë kaluar vetë nëpër rrugë të vështira janë shembuj të gjallë se sa shumë mund të mësohet nga gabimet.
“Mos prit që fëmija yt të jetë pa gabime. Mësoje të mos i përsërisë ato.” – Carl pickhardt
Në fund, më e rëndësishmja është që prindërit të qëndrojnë të pranishëm, jo vetëm kur gjithçka shkon mirë, por edhe kur adoleshenti dështon.
Prania në gabim është më edukative se çdo këshillë e dhënë në momente qetësie. Edukimi i bazuar në gabime është një urë drejt pjekurisë dhe përgjegjësisë.

