Drejtuar:
Qeverisë së Republikës së Kosovës
Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës
Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI)
Nga: Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës
Data: 25 Maj 2026
Lënda: Kërkesë zyrtare për caktimin e dy (2) ditëve pushim për festën e Kurban Bajramit
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Përmes kësaj shkrese zyrtare, Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës po ju drejtohet me kërkesën legjitime për të rishikuar dhe plotësuar kalendarin e pushimeve zyrtare dhe atë shkollor sa i përket festës së Kurban Bajramit në këtë rast dhe festave të Bajramit në përgjithësi. Në këtë rast kërkojmë që kjo festë të shoqërohet me dy (2) ditë zyrtare pushimi kur ajo qëllon në ditët e javës (ditë pune).
Festat fetare në Kosovë kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për kultivimin e vlerave familjare, solidaritetit dhe bashkimit mes brezave. Kurban Bajrami (dhe Fitër Bajrami) është një nga festat më qendrore për shumicën e familjeve në vendin tonë, ku vizitat tek të afërmit, udhëtimet brenda dhe jashtë vendit për të vizituar prindërit e familjarët, si dhe përgatitjet tradicionale kërkojnë kohë të mjaftueshme.
Në kuadër të parimit të barazisë dhe trajtimit të dinjitetshëm të të gjitha komuniteteve fetare, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj disa krahasime legjitime me festat e tjera zyrtare:
- Festa e Pashkëve: Sipas kalendarit, Pashkët (si ato Katolike, ashtu edhe ato Ortodokse) bien gjithmonë ditën e diel. Megjithatë, Ligji për Festat Zyrtare dhe kalendari shkollor UA garantojnë qytetarëve dhe nxënësve edhe ditën e hënë si ditë pushimi, duke u siguruar familjeve kohën e nevojshme për kremtim të plotë.
- Festa e Krishtlindjeve: Kjo festë pothuajse gjithmonë përkon ose shënon praktikisht fillimin e pushimit dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, gjë që u mundëson familjeve të planifikojnë festat dhe pushimet pa ngarkesën e procesit mësimor apo administrativ.
Në anën tjetër, kur Kurban Bajrami bie në ditët e javës – siç është rasti edhe këtë herë – prindërit, punëtorët dhe nxënësit kufizohen në vetëm një ditë pushimi. Kjo e bën të pamundur realizimin e vizitave familjare, veçanërisht për ata që duhet të udhëtojnë në qytete të tjera të Kosovës apo në trojet tona etnike, pasi të nesërmen fëmijët duhet të kthehen në bankat shkollore dhe prindërit në vendet e punës. Kjo po krijon një ngarkesë të panevojshme dhe stres te familjet, si dhe një numër të madh të mungesave të (pa)arsyeshme të nxënësve nëpër shkolla një ditë pas festës.
Për këto arsye, Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës kërkon zyrtarisht nga Qeveria, Zyra e Kryeministrit dhe MASHTI që:
- Të merret vendim që për këtë Kurban Bajram (dhe festat e Bajramit në vijim që bien në ditë pune) të jepen dy ditë rresht pushim zyrtar.
- Ministria e Arsimit të përshtatë kalendarin shkollor në mënyrë që nxënësit dhe mësimdhënësit të kenë hapësirën e duhur për të festuar pranë familjeve të tyre pa u penalizuar.
Besojmë plotësisht in mirëkuptimin tuaj dhe në reflektimin e shpejtë institucional, me qëllim që t’u mundësohet fëmijëve dhe prindërve tanë një festë e qetë dhe e dinjitetshme.
Me respekt,
Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës
