Në shumë familje, fëmijët rriten me bindjen e thellë se prindërit e tyre janë të pagabueshëm, të drejtë, të ditur dhe gjithmonë të drejtë në gjithçka. Ky idealizim i hershëm është shpesh i natyrshëm dhe i nevojshëm, pasi i ndihmon fëmijët të ndihen të sigurt, të mbrojtur dhe emocionalisht të stabilizuar./prindërimi
Kur kjo idealizim tejzgjatet dhe nuk sfidohet me kalimin e kohës, ai mund të shndërrohet në një burim të fuqishëm zemërimi të fshehur, që shpërthen në mënyra të ndryshme gjatë adoleshencës dhe në moshën madhore.

“Zemërimi që nuk kuptohet nga vetë personi, është shpesh pasojë e mospranimit të dhimbjes së mohuar të fëmijërisë.”
Idealizimi dhe shtypja e realitetit
Kur një fëmijë idealizon prindin, ai shpesh refuzon ta shohë sjelljen e prindit në mënyrë realiste. Ai i sheh vetëm aspektet pozitive, ndërsa minimizon ose mohon çdo formë të lëndimit, mungesës emocionale apo padrejtësie të përjetuar. Ky shtrembërim i realitetit është një mekanizëm mbrojtës: ndihmon fëmijën të mbijetojë emocionalisht në prani të një prindi/kujdestari jo gjithmonë të ndjeshëm, të pranishëm apo të drejtë. Por me kalimin e kohës, ky idealizim i ngurtë fillon të krijojë tensione të brendshme.
Në moshën e adoleshencës, kur zhvillimi kognitiv lejon mendim më kompleks dhe vëzhgim më kritik, të rinjtë fillojnë të shohin të metat e prindërve. Zhgënjimi është i pashmangshëm. Por, në vend që ta përballojnë këtë ndjesi, ata ndihen fajtorë për të pasur mendime negative për prindërit që gjithmonë i kanë parë si “të shenjtë”. Dhe kështu nis cikli: turpi i transformuar në zemërim, që më pas drejtohet ndaj vetes ose të tjerëve.
Zemërimi si simptomë e një zhgënjimi të papërpunuar
Zemërimi në adoleshencë shpesh është forma me e zëshme e dhimbjes së heshtur që nuk është kuptuar apo ndarë me askënd. Një pjesë e këtij zemërimi buron nga përballja me realitetin se prindërit nuk ishin aq të përsosur sa mendonte dikur. Ky zhgënjim krijon ndjesinë e humbjes, jo vetëm të figurës prindërore të idealizuar, por edhe të ndjenjës së sigurisë dhe përsosmërisë me të cilën është rritur fëmija.
Roli i prindërve në edukimin emocional të fëmijëve përmes situatave të përditshme verore
Disa adoleshentë fillojnë të zhvlerësojnë prindin në mënyrë agresive, duke kaluar nga një ekstrem idealizimi në një ekstrem tjetër: mohimi i çdo vlere të tyre. Por edhe kjo është një mënyrë e papjekur për t’u përballur me zhgënjimin. Zemërimi nuk zgjidhet duke ndëshkuar prindin me përçmim, por duke pranuar natyrën njerëzore të tij, me të metat, kufizimet dhe lëndimet që ai vetë ka bartur.
Si ndikojnë këto modele në jetën e të rriturit?
Idealizimi i pashëndetshëm nuk ndikon vetëm në jetën emocionale të adoleshentit, por zgjatet edhe në marrëdhëniet e të rriturit. Shumë individë që nuk kanë përpunuar këtë zhgënjim të hershëm, kërkojnë figura të tjera që t’i idealizojnë: partnerë, mësues, liderë apo edhe fëmijët e tyre. Kjo rrit rrezikun për të zhvilluar perfeksionizëm, varësi emocionale dhe frikë nga zhgënjimi.
Në marrëdhëniet romantike, këta individë mund të kenë pritshmëri jorealiste ndaj partnerit. Në momentin që partneri tregon një të metë ose dështim, shpërthimi emocional është i pashmangshëm. Ose do ta fajësojnë partnerin për gjithçka, ose do të fajësojnë veten që nuk ishin “të mjaftueshëm për ta bërë partnerin të përsosur”. Kjo çon në ndjenjë boshllëku, vetëmohim dhe izolim.
“Idealizimi i të tjerëve është mënyra më e sigurt për të humbur vetveten.” – Alice M.
Rruga drejt çlirimit: pranimi dhe vetëdhembshuria
Kapërcimi i ndikimit të idealizimit të pashëndetshëm fillon me ndershmëri ndaj vetes. Kërkon guxim për të parë me qartësi lëndimet e hershme dhe për të lejuar ndjenjën e pikëllimit për atë çfarë nuk ishte siç duhet. Kjo nuk është një akuzë ndaj prindërve, por një hap drejt shërimit emocional dhe zhvillimit të një identiteti më të pjekur.
Vetëdhembshuria luan një rol thelbësor në këtë proces. Ajo i jep individit hapësirën për të pranuar veten me gjithë plagët, gabimet dhe përpjekjet. Duke kuptuar se as prindërit dhe as vetja nuk janë të përsosur, por njerëz që kanë gabuar dhe janë përpjekur, njeriu ndërton një vetëvlerësim të qëndrueshëm dhe marrëdhënie më të barabarta.
Në fund të fundit, rruga nga idealizimi në realizëm nuk është një mohim i dashurisë për prindin, por një formë më e thellë dhe më e ndershme e saj – ajo që pranon të vërtetën dhe e ndërton respektin mbi të, jo mbi iluzione.

