Në një kohë kur shëndeti mendor i të rinjve është kthyer në temë qendrore të diskutimeve sociale dhe profesionale, një aspekt thelbësor vazhdon të mbetet në hije: roli i prindërimit./prindërimi

Prindërit, të cilët formësojnë bazat emocionale, sjellja dhe pjesa sociale e fëmijës që në vitet e para të jetës, shpesh trajtohen si spektatorë në vend të partnerëve aktivë në procesin terapeutik të fëmijëve të tyre. Kjo qasje është jo vetëm e padrejtë, por edhe klinikisht joefektive.
Mungesa e përfshirjes prindërore në trajtim është një plagë e padukshme
Pavarësisht literaturës së gjerë dhe konsensusit të qartë profesional se prindërimi ka ndikim të madh në zhvillimin dhe trajtimin e vështirësive psikologjike të të rinjve, praktika flet ndryshe.
Prindërit shpesh përjashtohen nga proceset terapeutike, nën justifikimin e nevojës për privatësi ose të krijimit të një hapësire të sigurt për fëmijën.
Kjo çon drejt një ironie të dhimbshme: në vend që të përmirësojmë ambientin ku fëmija jeton, ne përqendrohemi vetëm në aftësinë e tij për ta “përballuar” atë ambient. Kjo është një qasje që më shumë ngjan me trajtim simptomatik sesa me ndërhyrje rrënjësore.
“Trajtimi i fëmijës pa adresuar familjen është si të përpiqesh të fikësh zjarrin, por të lesh flakën të digjet në heshtje.” – Dr. Anne Fishel, Harvard Medical School
Trajtimet ekzistojnë, por përdoren pak
Nuk mungojnë modelet terapeutike të mbështetura në prova që përfshijnë aktivisht prindërit, siç janë Terapia e Ndërveprimit Prind-Fëmijë (PCIT) dhe Trajnimi i Menaxhimit Prindëror (PMT).
Këto qasje janë treguar të jenë veçanërisht efektive për fëmijët me sjellje të vështira ose probleme të ankthit. Por, pengesa më e madhe nuk qëndron në mungesën e trajtimeve, por në mungesën e pjesëmarrjes së prindërve. Pjesërisht për shkak të mungesës së kohës, ndonjëherë për shkak të ndrojtjes ose mungesës së vetëdijes, shumë prindër nuk marrin pjesë fare në këto programe.
Nga ana tjetër, edhe vetë profesionistët e shëndetit mendor shpesh nuk ndihen të përgatitur për të udhëhequr biseda mbi prindërimin. Në shumicën e programeve të trajnimit për psikologë, psikiatër apo terapistë, prindërimi mbetet jashtë kurrikulës bazë. Ky boshllëk formimi ka ndikime të drejtpërdrejta në praktikën e përditshme dhe në rezultatet afatgjata të fëmijëve.
“Ne e nënvlerësojmë se sa shumë ka nevojë një prind për ndihmë, po aq sa edhe një fëmijë. Edukimi për prindërimin duhet të jetë pjesë themelore e çdo programi të kujdesit shëndetësor.” – Dr. Laura Markham, 2021
Sfida të justifikueshme, por jo të pakapërcyeshme
Sigurisht, përfshirja e prindërve në trajtim sjell sfidat e veta logjistike dhe emocionale. Prindërit nuk janë gjithmonë të disponueshëm për takime, disa janë vetë të mbingarkuar emocionalisht, ndërsa të tjerë mund të kenë frikë nga gjykimi. Por asnjë prej këtyre arsyeve nuk është e mjaftueshme për të injoruar ndikimin e tyre në jetën e fëmijës. Përkundrazi, këto janë sinjale që ata kanë edhe më shumë nevojë për mbështetje dhe orientim profesional.
Drejt një qasjeje gjithëpërfshirëse
Zgjidhja është e qartë dhe e domosdoshme: prindërimi duhet të shihet si pjesë integrale e trajtimit të fëmijëve dhe të rinjve. Ky ndryshim nuk kërkon vetëm vullnet individual të profesionistëve, por një transformim sistemik.
Programet e trajnimit duhet të përfshijnë komponentë të thelluar mbi udhëzimin prindëror, ndërsa institucionet duhet të krijojnë struktura që e lehtësojnë përfshirjen e familjes në procesin terapeutik.
Fillimi i prindërimit të mirë: Një pasqyrë e detyrës që kemi përpara
Fëmijët nuk mund të shërohen vetëm
Fëmijët nuk janë ishuj të izoluar. Ata rriten, ndjejnë dhe formësohen në sistemin familjar ku banojnë. Çdo përpjekje për të trajtuar vështirësitë e tyre emocionale pa përfshirë prindërit është një trajtim që nuk prek rrënjën e problemit. Të rrisësh një fëmijë me vështirësi nuk është e lehtë, por askush nuk duhet ta përballojë i vetëm. Prindërit meritojnë më shumë sesa shpresën që fëmija do të përmirësohet vetvetiu. Ata meritojnë udhëzim të drejtpërdrejtë, mbështetje profesionale dhe njohje si partnerë të plotë në këtë proces.
“Fëmijët më të fortë nuk janë ata që nuk përjetojnë vështirësi, por ata që kanë një prind që ecën përkrah tyre në çdo hap.”
Dr. Daniel Siegel
