Rrjetet sociale shpesh janë pjesë e pandashme e jetës së adoleshentëve. Por ajo që dikur ishte një mënyrë e thjeshtë për të qëndruar të lidhur me miqtë dhe familjen, tani është shndërruar në një hapësirë ku dallimi mes së vërtetës dhe së rremes, mes trendeve shqetësuese dhe realitetit, është bërë gjithnjë e më i vështirë.
Një nga këto trende, i njohur si ”’sadfishing” apo kërkimi i vëmendjes përmes trishtimit-po ngjall shqetësim, veçanërisht tek adoleshentët. Termi, i cili u përkufizua nga studiuesit në ”Journal of American College Health” në vitin 2021, i referohet përdoruesve të rrjeteve sociale që “e ekzagjerojnë gjendjen e tyre emocionale në internet për të ngjallur simpati.” Kjo mund të shfaqet përmes një fotografie të trishtuar, një citati ogurzi, ose një postimi të paqartë që lë të kuptohet se diçka nuk është në rregull.
Të gjithë mund të kemi postuar herë pas here diçka të ndjeshme apo emocionale në rrjetet sociale, dhe kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe. Megjithatë, postimet e tepërta të këtij lloji mund të jenë shenjë e një problemi më të madh të shëndetit mendor tek adoleshentët ose një thirrje për ndihmë.
Cila është origjina e termit sadfishing?
Termi ”sadfishing” u përdor për herë të parë nga gazetarja Rebecca Reid në vitin 2019, pas një postimi të diskutueshëm në Instagram nga Kendall Jenner. Në atë postim, Jenner përshkroi një “luftë rraskapitëse” me aknet, duke marrë mijëra reagime plot simpati dhe mbështetje nga ndjekësit e saj.
Megjithatë, më vonë u zbulua se postimi ishte pjesë e një fushate të mirëplanifikuar marketingu për bashkëpunimin e saj me markën e produkteve për kujdesin e lëkurës ”Proactiv”. Për këtë arsye, Rebecca Reid e përdori termin ”sadfishing” për të përshkruar sjelljen e saj – pra, shfaqjen ose ekzagjerimin e vështirësive emocionale për të tërhequr vëmendje, simpati ose përfitime të tjera.
Pse adoleshentët bëjnë sadfishing?
Ekspertët thonë se ”sadfishing” shpesh ndodh sepse një fëmijë ose adoleshent po përballet me një vështirësi emocionale dhe dëshiron që të tjerët ta kuptojnë. Në shumë raste, ai nuk ndihet rehat të flasë me një prind, mësues apo mik të besuar, prandaj i drejtohet rrjeteve sociale për të shprehur ndjenjat e tij.
Një studim i publikuar në vitin 2023 në revistën ”BMC Psychology” zbuloi se adoleshentët që shfaqnin sjellje të lidhura me ‘sadfishing’ kishin më shumë shenja ankthi dhe depresioni. Një nga faktorët kryesorë ishte mungesa e mbështetjes sociale.
Studiuesit vunë re gjithashtu se djemtë 12-vjeçarë kishin më shumë prirje drejt ”sadfishing”, por kjo prirje zvogëlohej me kalimin e viteve. Tek vajzat, përkundrazi, ajo prirej të rritej me moshën. Studiuesit vunë re gjithashtu se individët me prirje të forta për të kërkuar vëmendje, të lidhura me çrregullime të caktuara të personalitetit, kishin më shumë gjasa të shfaqnin këtë sjellje.
Sipas especialistas së sjelljes ”Reena B. Patel”, çdo reagim në rrjetet sociale – edhe nëse nuk është plotësisht i sinqertë – mund t’i japë adoleshentit një ndjenjë të përkohshme kënaqësie për shkak të vëmendjes që merr pas një postimi emocional.
Rreziqet e Sadfishing
Në shumicën e rasteve, postimet e këtij lloji marrin komente mbështetëse dhe plot mirëkuptim. Megjithatë, ndonjëherë ato mund të shkaktojnë edhe reagime negative, tallje ose komente fyese, të cilat mund të rrisin ankthin, stresin dhe ndjenjën e vetmisë.
Nëse një postim nuk merr simpatinë e pritur, ai mund të bëhet objekt përqeshjeje, sidomos kur adoleshenti ka ndarë ndjenja të vërteta. Përveç kësaj, ndarja e tepërt e informacioneve personale mund ta ekspozojë fëmijën ndaj shkeljes së privatësisë ose kontakteve të rrezikshme në internet. Disa studime kanë lidhur edhe ndërveprimet negative në rrjetet sociale me rritjen e rrezikut për vetëlëndim.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se zëvendësimi i marrëdhënieve të ngushta në jetën reale me komunikimin online mund të krijojë një ndjenjë izolimi dhe shkëputjeje emocionale.
Si ta kuptoni nëse adoleshenti juaj po bën Sadfishing?
Nëse dyshoni se fëmija juaj mund të jetë duke kërkuar vëmendje përmes postimeve emocionale, ekspertët këshillojnë të vëzhgoni nëse ekziston një model i përsëritur i:
- postimeve të vazhdueshme që shprehin trishtim, dëshpërim ose probleme personale;
- mesazheve të paqarta që lënë të kuptohet se “diçka nuk është në rregull”;
- sjelljes kontradiktore, kur postimet në internet nuk përputhen me mënyrën se si adoleshenti sillet në jetën e përditshme.
Si duhet të reagojnë prindërit?
Kur një prind sheh postime emocionale të fëmijës së tij, është e rëndësishme të mos e kritikojë apo ta turpërojë për atë që ka publikuar. Një reagim i tillë mund ta bëjë adoleshentin të mbyllet edhe më shumë në vetvete.
Në vend të kësaj, ekspertët rekomandojnë një qasje të qetë dhe të dhembshur. Mund të thuhet diçka si:
> “Po e shoh që po kalon një periudhë të vështirë. Nëse dëshiron të flasësh, unë jam këtu për të të dëgjuar.”
Krijimi i një ambienti të sigurt, ku fëmija ndihet i pranuar dhe nuk gjykohet për ndjenjat e tij, është një nga mënyrat më të mira për ta ndihmuar.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu:
- të inkurajohen marrëdhëniet dhe aktivitetet ballë për ballë;
- të kufizohet koha para ekranit;
- të monitorohen, në mënyrë të arsyeshme, llogaritë e adoleshentit në rrjetet sociale, duke respektuar njëkohësisht privatësinë dhe dialogun e hapur;
Shenja paralajmëruese që nuk duhen neglizhuar
Disa postime mund të tregojnë se problemi është shumë më serioz sesa ”sadfishing”. Prindërit duhet të reagojnë menjëherë nëse adoleshenti:
- publikon mesazhe për dhurimin ose shpërndarjen e sendeve të tij personale;
- shkruan se ndihet pa shpresë, i izoluar ose lë të kuptohet se “nuk do të jetë më gjatë”;
- ka ndryshime të dukshme në gjumë;
- publikon ose shpërndan përmbajtje që promovon vetëlëndimin.
Në situata të tilla, është thelbësore të kërkohet menjëherë ndihmë profesionale. Nëse ekziston rrezik i menjëhershëm për jetën ose sigurinë e adoleshentit, kontaktoni shërbimet emergjente ose një profesionist të shëndetit mendor sa më shpejt të jetë e mundur.
Artikull nga: Kristina Behr
Përkthim: Prinderimi.com
