Një mjet i thjeshtë, i krijuar me karton, pëlhura dhe rruaza, mund t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë si të ngadalësojnë frymëmarrjen, të përqendrohen dhe të menaxhojnë emocionet e tyre.
Në një klasë të shkollës fillore, ka shumë momente kur emocionet bëhen të forta. Një problem i vështirë matematikor mund të shkaktojë frustrim. Një mosmarrëveshje gjatë pushimit mund ta shoqërojë nxënësin edhe kur kthehet në klasë. Një mëngjes i vështirë në shtëpi mund t’ia vështirësojë përshtatjen me ditën shkollore.
Ndonjëherë, nxënësit nuk mund ta identifikojnë saktësisht atë që i shqetëson. Ata thjesht e dinë se ndihen të mbingarkuar emocionalisht. Një mjet i thjeshtë që kam zbuluar se është shumë i dobishëm në këto situata është tabela e frymëmarrjes (Breath Board).
Tabela e frymëmarrjes është një mjet vizual dhe ndijor, mbi të cilin nxënësit mund të lëvizin gishtat ndërsa praktikojnë frymëmarrje të ngadaltë dhe të kontrolluar.
Meqenëse klasa jonë quhet “Lëvizësit e Maleve”, u gëzova shumë kur gjeta një version ekonomik të këtij mjeti në platformën Studio Sprout, të quajtur Breath Board. Ai paraqet një mal tredimensional, të punuar me materiale që mund të preken dhe të ndiqen me gishta.
Si t’i përgatisim tabelat e frymëmarrjes?
Kur nxënësit i ndërtojnë vetë tabelat, ka më shumë gjasa që t’i përdorin ato. Fillimisht, preva copa kartoni me përmasa afërsisht 30 × 15 centimetra. Mund të përdoren edhe pjesët e poshtme të kutive të letrës për printer ose kapakët e tyre të prerë përgjysmë.
U kërkova nxënësve të sillnin copa pëlhurash me tekstura të ndryshme. Si pjesë e përgatitjes për këtë aktivitet, lexuam librin Clovis Keeps His Cool, të shkruar nga Katelyn Aronson dhe të ilustruar nga Eve Farb. Ky është një tregim simbolik për një dem që drejton dyqanin e porcelanit të gjyshes së tij dhe përdor strategji të ndryshme për të ruajtur qetësinë në situata frustruese.
Clovis ndez edhe një qiri me aromë livandoje, ndaj përdorëm një shpërndarës aromash me vaj esencial livandoje. Ai gjithashtu përkëdhel macen e tij për t’u qetësuar. Kjo na dha mundësinë të diskutonim për teksturat e ndryshme që na pëlqen t’i prekim dhe që mund t’i përfshinim në tabelat tona.
Nxënësit krijuan kolazhe duke vendosur copa pëlhurash në formën e një mali. Më pas, ngjitën tela fleksibël dekorativë përgjatë njërës anë të malit dhe duke zbritur në anën tjetër. Në secilën anë vendosën nga katër rruaza të mëdha. Mundësia për t’i lëvizur fizikisht rruazat gjatë numërimit është një përfitim shtesë i këtyre tabelave ndijore.
Si ta fillojmë praktikën së bashku?
Fillimisht, i prezantova tabelat e frymëmarrjes si një strategji për të gjithë klasën gjatë takimit tonë të mëngjesit. Në vend që frymëmarrjen ta paraqisja si diçka që nxënësit duhet ta bëjnë vetëm kur janë të mërzitur ose të zemëruar, e praktikuam së bashku kur të gjithë ishin të qetë.
Përdorëm tabelat për të praktikuar frymëmarrjen me katër numërime, e njohur edhe si frymëmarrja katrore. Diskutuam se si sportistët elitarë, astronautët dhe pjesëtarët e ushtrisë përdorin teknika të ngjashme frymëmarrjeje për të ndihmuar në rregullimin e sistemit nervor dhe përballimin e stresit e ankthit.
Praktikimi i përbashkët ndihmon që frymëmarrja të bëhet një strategji e zakonshme në klasë. Aktiviteti zgjat vetëm disa minuta, por krijon një mënyrë të qetë dhe të parashikueshme për ta filluar ditën. Kjo nuk është një metodë që duhet përdorur vetëm me nxënësin që po kalon një moment të vështirë.
Tabelat e frymëmarrjes janë gjithashtu të dobishme për të gjithë klasën gjatë kalimit nga një aktivitet në tjetrin. Për shembull, kur nxënësit e mi kthehen nga dreka dhe përgatiten për aktivitetet mbështetëse të leximit, kalojmë një ose dy minuta së bashku mbi qilim duke praktikuar frymëmarrjen. Kjo i ndihmon të qetësojnë trupin dhe mendjen dhe të rikthejnë vëmendjen te mësimi.
Përdorimi i tabelave në këndin e qetësisë
Pasi nxënësit u njohën me tabelat e frymëmarrjes, u dhashë mundësinë t’i merrnin në shtëpi ose t’i linin në klasë. Disa nxënës vendosën t’i dhuronin tabelat e tyre për këndin e qetësisë në klasë. Ky është një hapësirë e krijuar për t’i ndihmuar fëmijët të menaxhojnë ndjenjat e zemërimit, trishtimit ose frustrimit dhe më pas t’u rikthehen aktiviteteve mësimore.
Tabela e frymëmarrjes u ofron fëmijëve diçka konkrete që mund ta mbajnë dhe ta prekin. Në vend që nxënësve thjesht t’u thuhet “qetësohuni” ose “merrni frymë thellë”, ata kanë në dispozicion një mjet ndijor që mund ta prekin dhe ta përdorin për të përqendruar energjinë e tyre.
Ata mund ta marrin tabelën dhe të fillojnë t’i lëvizin rruazat duke ndjekur këta hapa:
-
Merr frymë.
-
Mbaje frymën.
-
Nxirre frymën.
-
Mbaje frymën jashtë për një çast.
Përsërite sipas nevojës, zakonisht katër ose pesë herë.
Gjatë realizimit të këtij aktiviteti, vura re gjithashtu se tabelat u jepnin nxënësve një shkallë më të madhe pavarësie. Ata nuk kishin nevojë që një i rritur të qëndronte pranë tyre dhe t’i udhëzonte gjatë çdo frymëmarrjeje. Meqenëse e kishim praktikuar këtë rutinë së bashku, vetë tabela shërbente si një kujtesë vizuale për mënyrën e realizimit të ushtrimit.
Përdorimi i pavarur i tabelave
Një nga momentet më inkurajuese ishte kur disa nxënës filluan të kërkonin që tabelat e frymëmarrjes t’i mbanin mbi bankat e tyre, në vend që t’i ruanim të gjitha pranë qilimit ku zhvillonim takimet e mëngjesit.
Nxënësit e mi nuk po përjetonin domosdoshmërisht shpërthime të forta emocionale. Përkundrazi, ata kishin zbuluar se tabelat mund t’i ndihmonin edhe për të përballuar frustrimet e vogla që shfaqen gjatë një dite të zakonshme shkollore.
Një detyrë me shkrim mund t’u dukej e vështirë dhe e lodhshme. Një problem matematikor mund t’i sfidonte. Ndonjëherë duhej të fshinin diçka dhe ta provonin përsëri. Herë të tjera, thjesht e kishin të vështirë të përqendroheshin.
Në vend që të prisnin derisa frustrimi të bëhej aq i madh sa të duhej të largoheshin nga banka, nxënësit mund ta përdornin në heshtje tabelën e frymëmarrjes, pikërisht aty ku ndodheshin. Tabela nuk ishte më thjesht një mjet për t’u qetësuar. Ajo ishte shndërruar në një mjet që nxënësit mund ta përdornin për ta dalluar frustrimin që në fazat e hershme dhe për të reaguar ndaj tij.
Për mua, ky ndërgjegjësim është një nga përfitimet më të mëdha të mësimdhënies së strategjive të vetërregullimit emocional në klasë. Ne dëshirojmë që fëmijët të fillojnë të kuptojnë çfarë po ndodh brenda tyre dhe, me kalimin e kohës, të jenë në gjendje të mendojnë:
“Po filloj të frustrohem. E di një mënyrë që mund të më ndihmojë.”
Një ditë, gjatë një orari veçanërisht të ngarkuar mësimor, u ula në heshtje në karrigen time, mbylla sytë dhe fillova të merrja frymë duke lëvizur gishtin në ajër sipas ritmit të katër numërimeve.
Një nxënës thirri:
“Hej, qetësohuni! Mësuesja po praktikon frymëmarrjen katrore!”
Natyrisht, tabela e frymëmarrjes nuk i zgjidh të gjitha problemet. Disa nxënës kanë nevojë për lëvizje, bisedë, mjete të tjera ndijore ose mbështetje shtesë nga të rriturit. Tabela e frymëmarrjes është thjesht një nga mundësitë që mund t’u ofrojmë.
Megjithatë, pikërisht thjeshtësia e saj është një nga arsyet që e bën kaq të dobishme. Pasi nxënësit e kuptojnë modelin e frymëmarrjes, ata mund ta përdorin këtë strategji edhe pa pasur nevojë për tabelën.
Ndërtimi i pavarësisë, një frymëmarrje pas tjetrës
Një klasë plot me fëmijë nuk do të jetë kurrë plotësisht e qetë gjatë gjithë kohës. Ajo që dëshiroj është që nxënësit të ndërtojnë gradualisht një repertor gjithnjë e më të pasur strategjish, të cilat i kuptojnë dhe mund t’i zgjedhin sipas nevojave të tyre.
Për një fëmijë, kjo mund të nënkuptojë të shkojë në këndin e qetësisë pas një ndërveprimi shqetësues me një bashkëmoshatar. Për një tjetër, mund të nënkuptojë ta mbajë tabelën e frymëmarrjes pranë gjatë një ore të vështirë të matematikës. Për të gjithë klasën, kjo mund të nënkuptojë fillimin e takimit të mëngjesit me disa cikle të frymëmarrjes katrore, në mënyrë që të qetësojmë trupin dhe të përgatitemi për ditën që na pret.
Vetë tabela është jashtëzakonisht e thjeshtë. Por ajo që nxënësit mësojnë përmes përdorimit të saj është shumë më e rëndësishme: emocionet mund të dallohen, frustrimi mund të menaxhohet dhe ekzistojnë hapa konkretë që fëmijët mund t’i ndërmarrin për ta ndihmuar veten të ndihen të gatshëm të provojnë përsëri.
Ndonjëherë, hapi i parë mund të jetë aq i thjeshtë sa lëvizja e disa rruazave dhe frymëmarrja e ngadaltë, duke ndjekur rrugën që ngjitet dhe zbret përgjatë një mali të vogël.
Artikull nga: Edutopia
Përkthen: Prinderimi.com
