Autorja angleze Charlotte Brontë, në librin ”Jane Eyre”, teksa përshkruan personazhin kryesor Jane në fëmijëri, thotë: “Fëmijët mund të ndjejnë, por ata mund t’i analizojnë ndjenjat e tyre.” Ndonëse kjo fjali është shkruar shumë kohë më parë, ajo na kujton se ndjenjat nuk njohin kohë dhe as hapësirë. Ato janë gjithmonë tregues të ndryshimeve të brendshme dhe të jashtme në jetën e fëmijëve. Dhe nëse i kuptojmë drejt, ato mund të jenë një lloj udhërrëfyesi për të vërtetat rreth fëmijëve tanë dhe raportin tonë me ta.
Sa herë që gjejmë letra të vogla të palosura, të lëna në raftin e librave apo mbi tavolinë, kuptojmë se kjo është një nga mënyrat se si fëmijët shprehin dashurinë dhe mendimet e tyre. Por rrallëherë ndalemi të mendojmë për dobitë e shumta që journaling, apo mbajtja e një ditari personal – një formë më kreative e të shkruarit – mund të ketë në zhvillimin e tyre. Sipas Institute of Child Psychology, vetë akti i nxjerrjes jashtë të asaj që është brenda fëmijës, dhe dhënies së saj një lloj forme-qoftë përmes shkrimit, shkarravitjes apo vizatimit dhe listave -mund ta ndihmojë fëmijën të fitojë perspektivë, me ç’rast, ia ul atij stresin, e redukton përtypjen, dhe rrit aftësinë per zgjidhjen e problemeve. (Tania Johnson, 2025)
Sot, fëmijët në Kosovë rriten mes kërkesave të shkollës, aktiviteteve, teknologjisë dhe një fluksi të madh informacioni. Pikërisht për këtë arsye, ata kanë nevojë për një hapësirë ku mund t’i përpunojnë mendimet, ndjenjat dhe përjetimet e tyre. Praktikimi i shkrimit të lirë (Journaling) mund t’u sjellë shumë përfitime.
- Journaling i ndihmon fëmijët të shprehin lirisht ndjenjat e tyre.
Shumë fëmijë e kanë të vështirë të flasin për atë që ndjejnë. Përmes shkrimit, ata mund të shkruajnë fjalë, fjali të shkurtra apo edhe të vizatojnë, duke shprehur emocionet e tyre pa frikën e gabimit apo paragjykimit. - Përmirëson aftësinë e të shkruarit.
Shkrimi i rregullt pasuron fjalorin, krijon një mënyrë më të organizuar të të menduarit, dhe e ndihmon fëmijën të fitojë më shumë vetëbesim në shkrim, e rrjedhimisht edhe në të folur. - Nxit reflektimin mbi veten.
Një nga aftësitë më të rëndësishme që mund të zhvillojë një fëmijë është aftësia për të reflektuar. Përmes shkrimit ai mendon për zgjedhjet, veprimet dhe përvojat e tij, duke mësuar gradualisht të njohë më mirë veten. - Ndihmon në rregullimin emocional.
Sipas shumë psikologëve, shkrimi i gjërave për të cilat ndihemi mirënjohës është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të kultivuar emocione pozitive. Edhe fëmijët mund të përfitojnë nga kjo praktikë duke shkruar për gjërat e bukura që u kanë ndodhur gjatë ditës.
Cila është mosha e përshtatshme për të bërë Journaling?
Nuk ka një moshë të caktuar. Kjo varet më shumë nga interesi dhe faza zhvillimore e fëmijës.
Fëmijët 3–5 vjeç mund të mbajnë një ditar me vizatime, ndërsa prindërit mund t’i ndihmojnë duke shkruar disa fjalë pranë tyre.
Nga mosha 5–7 vjeç, fëmijët mund të shkruajnë fjali të thjeshta për përjetimet e tyre, si: “Sot luajta futboll” ose “Sot isha e lumtur sepse mësova diçka të re në shkollë.”.
Në fund të fundit, një Journaling është një mënyrë e re e të mësuarit dhe zhvilluarit të mendimit tek fëmija. Në një kohë kur shumë fëmijë kalojnë një pjesë të madhe të ditës para ekraneve, nxitja e zakonit të të shkruarit mund të jetë një dhuratë e vlefshme që prindërit u bëjnë atyre. Natyrisht, prindërit duhet gjithnjë ta monitorojnë atë se çka shkruan fëmija, në mënyrë që të mësojnë më shumë rreth tij dhe gjërave që e preokupojnë atë, qoftë në mënyrë të vetëdijshme, apo të pavetëdijshme. Pra ajo që femija shkruan, duhet të jetë një ”ushqim për mendim” për prindin, i cili duhet ta kuptojë këtë shkrim të lirë si mundësi për të depërtuar më thellë në psikologjinë e fëmijës së tij. Mjaftojnë disa minuta në ditë dhe një fletore e thjeshtë,që fëmija të krijojë një zakon që mund t’i ndihmojë atij shumë në të ardhmen.
