Ja se si edukatorët e fëmijërisë së hershme përdorin mbështetjen e shkallëzuar për t’i ndihmuar fëmijët të përvetësojnë aftësi të reja dhe si mund ta përdorni këtë metodë në shtëpi.
Dr. Bethany Hernandez Parks ka mbajtur pozita të ndryshme në fushën e edukimit të fëmijërisë së hershme, duke përfshirë ato të mësimdhënëses, administratores së programeve, zhvillueses së produkteve dhe profesoreshës. Aktualisht, ajo punon si konsulente, duke mbështetur programet edukative përmes vlerësimit dhe zbatimit të kurrikulave.
Mbështetja e shkallëzuar është një teknikë veçanërisht efektive për t’u mësuar fëmijëve të vegjël aftësi të reja. Pavarësisht nëse ata po mësojnë të lexojnë, të ngasin biçikletën apo të vizatojnë, ndarja e detyrës në pjesë më të menaxhueshme dhe ndërtimi mbi njohuritë ekzistuese e bëjnë procesin më të lehtë.
Mbështetja e shkallëzuar (scaffolding), e njohur edhe si metodë e mbështetjes së strukturuar në mësimdhënie, është një metodë e përhapur në edukimin e fëmijërisë së hershme. Ajo funksionon mirë kur zbatohet së bashku me strategji të tjera mësimore.
Përdorimi i kësaj metode mund të ndihmojë në ndërtimin e vetëbesimit të fëmijëve dhe t’u ofrojë atyre një mënyrë më efektive për të përvetësuar aftësi të reja. Përfshirja e saj në procesin e të nxënit mund të zvogëlojë stresin, ankthin dhe frustrimin e fëmijëve, si dhe t’i ndihmojë ata të përvetësojnë koncepte dhe aftësi të reja.
Çfarë është mbështetja e shkallëzuar në edukim?
Në fushën e ndërtimtarisë, skelat janë struktura të përkohshme që mbështesin punëtorët dhe mundësojnë qasjen në materialet e nevojshme për ndërtim, mirëmbajtje dhe riparim.
Filozofia është e ngjashme edhe në edukim. Përmes mbështetjes së shkallëzuar pedagogjike, fëmijët zhvillojnë gradualisht pavarësi dhe kuptim më të thellë gjatë procesit të të nxënit.
Mësimdhënësit i paraqesin mësimet në pjesë të veçanta, duke e zvogëluar gradualisht mbështetjen ndërsa nxënësit përvetësojnë konceptet. Ideja është që fëmijët mund t’i kuptojnë më lehtë mësimet dhe konceptet e reja nëse marrin mbështetjen e nevojshme gjatë të nxënit.
Kjo metodë mund të përfshijë gjithashtu mësimin e diçkaje të re duke u mbështetur në atë që fëmija tashmë di ose është në gjendje të bëjë.
Mbështetja e shkallëzuar është e përkohshme, merr parasysh pikat e forta dhe dobësitë e nxënësve dhe përshtatet me objektivat mësimore dhe detyrat e caktuara. Gjithashtu, ajo bazohet në standardet arsimore, u ofron nxënësve mbështetjen e nevojshme për të përfunduar një detyrë dhe demonstron respekt ndaj të gjithë nxënësve.
Si funksionon mbështetja e shkallëzuar? Kjo metodë përfshin ndarjen e procesit të të nxënit në pjesë më të vogla, në mënyrë që materiali ose aftësia të përvetësohet më lehtë nga fëmijët.
Disa nga strategjitë efektive që përdoren janë:
– Demonstrimi i sjelljeve ose koncepteve të reja.
– Inkurajimi verbal dhe joverbal i fëmijëve.
– Ndjekja e iniciativave të fëmijëve.
– Ndërhyrja ose mbështetja fizike.
– Ofrimi i mundësive për të zgjedhur.
– Përfshirja në lojë, duke e lejuar fëmijën ta udhëheqë atë.
Për shembull, nëse dëshironi ta përdorni këtë metodë gjatë mësimit të leximit ose gjatë një detyre leximi, fillimisht mund të diskutoni disa nga fjalët e reja, më pas të lexoni një fragment të tekstit dhe në fund të diskutoni se çfarë po ndodh në tregim.
Çelësi është ndarja e procesit në hapa më të vegjël, në mënyrë që fëmijët të jenë më të përgatitur për të mësuar diçka të re.
Ndërtimi i vetëbesimit të fëmijëve në klasë
Metoda e mbështetjes së shkallëzuar është veçanërisht e dobishme në edukimin e fëmijërisë së hershme, sepse mund t’i ndihmojë fëmijët e vegjël të ndërtojnë vetëbesimin gjatë të nxënit. Nëse një fëmijë jep një përgjigje të gabuar, mësimdhënësi mund ta përdorë atë përgjigje, së bashku me një aftësi të përvetësuar më parë, për ta orientuar fëmijën drejt përfundimit të saktë.
Kjo metodë i ndihmon fëmijët të arrijnë një objektiv mësimor për të cilin ende nuk i kanë aftësitë e nevojshme për ta realizuar në mënyrë të pavarur. Në edukimin e fëmijërisë së hershme, mbështetja e shkallëzuar mund të zbatohet në mënyra të ndryshme.
Për shembull, pasi fëmija të mësojë të dallojë një shkronjë të caktuar, mund t’ia mësoni tingullin që ajo përfaqëson. Më pas, mund të kaloni te fjalët që fillojnë me atë tingull.
Nëse një fëmijë tashmë di të përdorë gërshërë të sigurta, mund të provojë të përdorë një shpues letre, pasi kjo kërkon aftësi të ngjashme të motorikës fine.
Përfitimet e metodës së mbështetjes së shkallëzuar për fëmijët
Përdorimi i kësaj metode me fëmijët e vegjël ka disa përfitime. Përveç zhvillimit të aftësive të të menduarit kritik, nxënësit zhvillojnë edhe aftësinë për të mësuar në mënyrë të pavarur. Gjithashtu, kjo metodë u mëson fëmijëve se si të përvetësojnë njohuri të reja pa u mbështetur vetëm në memorizim.
1. Nxit angazhimin dhe motivimin
Meqenëse mbështetja e shkallëzuar i përfshin fëmijët drejtpërdrejt në procesin e të nxënit, ajo i ndihmon të mbeten të angazhuar dhe të përqendruar në zhvillimin e aftësive që synojnë të përvetësojnë. Procesi mund të përshtatet sipas nevojave specifike të secilit fëmijë. Pikërisht kjo qasje e përqendruar te nxënësi është një nga arsyet pse mësimdhënësit e përdorin këtë metodë me fëmijët e vegjël dhe me fëmijët me vështirësi në të nxënë.
2. Zvogëlon ankthin dhe pasigurinë
Të mësuarit e diçkaje të re mund të jetë stresues dhe konfuz. Megjithatë, mbështetja e shkallëzuar e bën procesin më të menaxhueshëm. T’i kërkosh një nxënësi të realizojë diçka që tejkalon aftësitë e tij mund të shkaktojë ankth dhe të pengojë procesin e të nxënit.
Kjo metodë i ndihmon nxënësit të kuptojnë se si mund ta realizojnë detyrën, duke ndërtuar kështu vetëbesimin e tyre.
3. Mundëson përparim të vazhdueshëm
Meqenëse mbështetja e shkallëzuar përfshin një proces të ngadaltë dhe gradual të të nxënit, krijohet kohë e mjaftueshme për të trajtuar vështirësitë dhe pyetjet që lindin. Kjo mundëson që mësimet të ndërtohen mbi njëra-tjetrën dhe që procesi i të nxënit të vazhdojë pa ngecje.
Kur një fëmijë hutohet ose nuk kupton diçka, ai mund t’u referohet materialeve të mëparshme, duke zvogëluar kështu konfuzionin dhe frustrimin.
4. Ndihmon në identifikimin e boshllëqeve në të nxënë
Përmes kësaj metode, prindërit dhe mësimdhënësit mund të identifikojnë se çfarë dinë tashmë nxënësit dhe çfarë duhet të mësojnë ende. Ky komponent vlerësues i ndihmon të rriturit të krijojnë mundësi më efektive të të nxënit për secilin nxënës.
Si të zbatohet metoda e mbështetjes së shkallëzuar?
Gjatë përdorimit të kësaj metode me fëmijët e vegjël, mësimdhënësi ofron mbështetje dhe udhëzime ndërsa nxënësit mësojnë diçka të re, të përshtatshme për moshën e tyre ose pak mbi nivelin e asaj që mund të realizojnë vetë. Ndërsa fëmijët përvetësojnë aftësinë, mësimdhënësi mund ta zvogëlojë gradualisht mbështetjen dhe përfundimisht ta largojë atë plotësisht.
Metoda funksionon më mirë kur edukatorët e zbatojnë në mënyra të ndryshme, duke marrë parasysh nevojat e secilit nxënës.
1. Bëni pyetje që nxisin të menduarit
Pyetjet e hapura, që nxisin kureshtjen dhe reflektimin, e inkurajojnë fëmijën të arrijë në një përgjigje në mënyrë të pavarur. Për shembull, nëse një fëmijë po ndërton një kullë me blloqe, edukatori mund ta pyesë: “Çfarë mendon se do të ndodhte nëse do të ndërtonim një kullë shumë të lartë?”
2. Ofroni sugjerime
Nëse fëmija ka vështirësi në përfundimin e një projekti, ofrimi i udhëzimeve ose zgjidhjeve të pjesshme mund ta ndihmojë pa ia dhënë përgjigjen e gatshme. Për shembull: “Kulla po rrëzohet vazhdimisht. Një mënyrë për ta rregulluar është t’i vendosim blloqet më të mëdha në pjesën e poshtme. Çfarë mënyrash të tjera mendon se mund ta ndihmojnë të qëndrojë në këmbë?”
3. Prezantoni mjete ndihmëse
Inkurajojeni fëmijën të përdorë burime të ndryshme për të zgjidhur problemin. Kjo nxit të menduarit përtej zgjidhjeve të zakonshme dhe zhvillon kreativitetin. Për shembull: “Çfarë sheh në klasën tonë që mund të ndihmojë në mbështetjen e kullës? Ndoshta, nëse e kthejmë mbajtësen e lapsave përmbys, mund të na ndihmojë. A mund të mendosh për diçka tjetër?”
4. Ofroni inkurajim
Lavdërimi i fëmijës për përpjekjen ose përfundimin e një detyre, qoftë edhe përmes një shprehjeje të thjeshtë si “Të lumtë!”, rrit vetëbesimin dhe ndjenjën e kompetencës. Edhe më mirë është të vlerësoni përpjekjet konkrete të fëmijës: “Po shoh se po provon shumë mënyra për ta ndërtuar kullën. Po vazhdon të përpiqesh pa u dorëzuar.”
5. Bëni pyetje me alternativa të kufizuara
Nëse fëmija ka vështirësi të gjejë vetë përgjigjen e një pyetjeje, mësimdhënësi mund t’i ofrojë disa alternativa. Për shembull: “Mendon se duhet ta vendosim këtë bllok të vogël sipër apo këtë më të madhin?” Kjo qasje e ndihmon fëmijën duke e nxitur të vlerësojë alternativat dhe të arrijë në një përgjigje të saktë në mënyrë të pavarur.
6. Ofroni mbështetje
Kur një detyrë është e vështirë, mësimdhënësi mund ta ndihmojë fëmijën të shqyrtojë alternativa të ndryshme. “Po sikur të vendosnim këtu blloqet më të gjera në vend të atyre të ngushta? Mendon se do të funksiononte?” Mësimdhënësi mund ta ndihmojë fëmijën edhe në fillimin e detyrës, duke diskutuar hapat e nevojshëm për përfundimin e saj.
Për shembull: “Pasi ta ndërtosh katin e parë të ndërtesës, mund të vendosësh blloqe më të vogla sipër.”
7. Përdorni demonstrime
Në shembullin e ndërtimit të kullës me blloqe, edukatori mund të ndërtojë një version më të vogël të kullës për të demonstruar mënyrën më të përshtatshme të vendosjes së blloqeve.
Si mund ta përdorin prindërit mbështetjen e shkallëzuar në shtëpi?
Mbështetja e shkallëzuar nuk është e dobishme vetëm në klasë. Prindërit mund ta përdorin këtë metodë edhe në shtëpi për t’i aftësuar fëmijët të kryejnë detyra në mënyrë të pavarur, duke i ndarë aftësitë që po përpiqen të përvetësojnë në hapa më të vegjël.
Hulumtimet kanë treguar se mbështetja e shkallëzuar nga prindërit është e dobishme për zhvillimin e pavarësisë së fëmijëve dhe forcimin e aftësisë së tyre për vetërregullim.
Ja disa mënyra për ta zbatuar këtë metodë në shtëpi:
– Lejojeni fëmijën të eksperimentojë vetë me diçka të re përpara se të ndërhyni.
– Vëzhgoni atë që po bën fëmija, duke pritur dhe dëgjuar me vëmendje.
– Ofroni ndihmë nëse fëmija duket i frustruar ose nuk di si të vazhdojë.
– Jepni një sugjerim konkret për hapin e radhës, si: “Ndoshta mund të provosh një pjesë më të vogël të pazllit.”
– Demonstroni aftësi të reja kur është e nevojshme, por lejojeni fëmijën të provojë vetë.
– Ofroni mbështetje kur është e nevojshme.
– Korrigjoni gabimet vetëm kur është e domosdoshme, pa i vënë ato në dukje.
– Shmangni përfundimin e detyrës në vend të fëmijës.
– Vlerësoni punën dhe përpjekjet e fëmijës, duke e ndihmuar të ndihet krenar për atë që ka arritur.
Çelësi i kësaj metode është të mos qëndroni vazhdimisht mbi fëmijën dhe të mos i kryeni detyrat në vend të tij, por të tregoni durim dhe t’i ofroni udhëzimet e nevojshme, në mënyrë që ai të arrijë t’i përvetësojë aftësitë në mënyrë të pavarur.
Autorja: Amanda Rock
Përkthim: Prinderimi.com
