Pavarësisht nëse puna është bërë kohët e fundit më kërkuese, po përjetoni një konflikt ndërpersonal me një person të dashur, apo thjesht keni një milion gjëra për të bërë dhe aspak energji për t’u marrë me to, është e lehtë të ndiheni sikur mezi po arrini të qëndroni mbi ujë.
Edhe nëse nga jashtë duket se gjithçka po shkon mirë, nga brenda mund të jeni duke u përballur me vështirësi dhe të ndiheni sikur gjithçka është bërë e tepërt. Kur ndodh kjo, priremi të hyjmë në atë që quhet “gjendja e mbijetesës” (survival mode): kalojmë ditët duke i shtyrë gjërat përpara, duke mbyllur vëmendjen ndaj gjithçkaje tjetër dhe duke bërë çmos të arrijmë deri në fund të ditës pa i shtuar më shumë stres një liste që tashmë është e mbushur.
Por si mund ta kuptoni nëse vërtet keni hyrë në gjendjen e mbijetesës? Më poshtë, ekspertët e shëndetit ndajnë pesë shenja të zakonshme që duhen vërejtur dhe mënyrën se si mund të riktheheni në një gjendje më të ekuilibruar.
5 shenja se jeni në gjendje mbijetese
Harroni gjëra
Nëse ndonjëherë e kapni veten duke treguar një histori dhe papritur harroni plotësisht se ku po e çonit, ose nëse humbisni telefonin apo çelësat dhjetëra herë gjatë ditës, kjo mund të jetë shenjë se truri juaj është i mbingarkuar.
“Meqë truri juaj është i përqendruar në monitorimin e kërcënimeve dhe kërkesave të mundshme, ai shpenzon më pak energji në kujtesën e punës, vëmendjen, planifikimin dhe funksionet ekzekutive”, shpjegon Nicole Ivelevitch. “Kjo mund të shfaqet kur hyni në një dhomë dhe harroni pse keni hyrë, humbisni fillin e mendimit, harroni takimet ose vazhdimisht e vendosni telefonin në vende të ndryshme.”
Zgjoheni me “ankthin e orës 3 të mëngjesit”
Edhe pse të gjithëve mund të na ndodhë të zgjohemi gjatë natës herë pas here, zgjimi i vazhdueshëm dhe vështirësia për të fjetur përsëri, sepse truri “ndizet” menjëherë, nuk është diçka normale.
“Ju bini në gjumë natën fizikisht të rraskapitur, por mendja juaj nuk fiket plotësisht. Më pas zgjoheni të shqetësuar ose në ankth për gjërat që duhet të bëni, duke renditur në mendje detyrat e ditës”, thotë Archana Shrestha. “Gjithçka ndihet si një kërcënim dhe aktivizon sistemin nervor simpatik.”
Sipas saj, shqetësimet më të mëdha shpesh shfaqen pikërisht në mes të natës. “Te njerëzit që përjetojnë burnout, shpesh ekziston frika për të shkuar në punë dhe pyetja: si do të arrij deri në moshën e pensionimit duke vazhduar të bëj atë që po bëj tani?”
Irritoheni shpejtë
A e keni vënë re se kohët e fundit nervozoheni më shpejt, edhe pse nuk e keni për qëllim? Kur jeni të rraskapitur nga stresi dhe sistemi juaj nervor është i çrregulluar, ka gjasa të keni edhe më pak durim.
“Kur jemi shumë të stresuar, amigdala jonë, sistemi që zbulon kërcënimet, mund të bëhet më reaktive, ndërsa korteksi prefrontal, qendra e trurit për rregullimin dhe marrjen e vendimeve, tërhiqet në plan të dytë”, shpjegon Ivelevitch. Gjërat që më parë ishin bezdi të vogla mund t’ju irritojnë shumë më tepër. “Në vend që të kaloni nga zero në pesë, mund të jeni tashmë në nivelin gjashtë dhe një shqetësim i vogël t’ju çojë nga gjashtë në dhjetë.”
Mendimi i vazhdueshëm mbi emocionet negative
Kur jeni në gjendje mbijetese, mund ta gjeni veten duke u përqendruar te emocionet negative më shumë se zakonisht. “Kur jeni në gjendje mbijetese, prireni të mbeteni të bllokuar në ndjenja stresi, presioni dhe mbingarkese”, thotë Dr. Shrestha. “Ka shumë pak emocione pozitive që shfaqen.”
Edhe pse është normale të përjetojmë emocione të tilla herë pas here, qëndrimi i gjatë në to mund të kontribuojë në stres kronik dhe probleme të tjera shëndetësore.
Nevoja për kontroll
Kur gjithçka tjetër në jetën tuaj duket kaotike, mund të filloni të përpiqeni të kontrolloni më shumë situata për të eliminuar kërcënimet e mundshme. Një person që zakonisht është shumë i qetë dhe tolerant mund të fillojë të bëhet më perfeksionist ose të ndiejë se gjithçka duhet të shkojë saktësisht sipas planit, thotë Ivelevitch.
Kjo nuk është domosdoshmërisht përpjekje për të kontrolluar njerëzit e tjerë, por përpjekje për të krijuar parashikueshmëri. “Kur mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë, situata duket shumë më pak kërcënuese.”
Si të dilni nga gjendja e mbijetesës?
Gati të dilni nga kjo gjendje? Kur ndiheni sikur keni arritur kufirin tuaj, një “rivendosje parasimpatike” (P.S. Reset) mund t’ju ndihmojë të rregulloni sistemin nervor në më pak se një minutë.
Sipas Dr. Shrestha, mund të ndiqni këta hapa:
- Thuajini vetes: Jam i/e sigurt.
- Merrni disa frymëmarrje të thella përmes hundës dhe nxirrini përmes gojës.
- Vëreni atë që ndodhet rreth jush duke thënë: Shoh… Dëgjoj… Ndiej…
- Përsëriteni me vete: Jam i/e sigurt.
“Kjo funksionon mirë për t’i ndihmuar njerëzit të dalin nga gjendja e mbijetesës ‘lufto ose ik’, në të cilën sistemi nervor simpatik është i aktivizuar, dhe të kalojnë drejt aktivizimit të sistemit nervor parasimpatik”, shpjegon Dr. Shrestha.
Artikull nga: Lauren Barnhill
Përkthim: Prinderimi.com
