Njohja dhe mbështetja e fëmijëve otrovertë – një term që përdoret për fëmijët të cilët nuk përshtaten domosdoshmërisht në mënyrë të qartë as te introvertët, as te ekstrovertët – kërkon fleksibilitet dhe gatishmëri për të menduar përtej etiketave që zakonisht përdorim për t’i kategorizuar fëmijët. Në fund të fundit, otrovertët nuk është e lehtë të përcaktohen: në një moment mund të jenë qendra e vëmendjes në një festë, ndërsa pak më vonë mund të kenë nevojë të tërhiqen për të kaluar pak kohë në qetësi.
Otrovertët ndonjëherë japin sinjale të përziera, ndaj të rriturit mund t’i keqinterpretojnë nevojat e tyre ose të supozojnë se ata duhet të sillen vazhdimisht në një mënyrë të caktuar. Por, sapo të kuptoni se si funksionojnë fëmijët otrovertë, bëhet shumë më e lehtë t’i mbështesni si prindër, edukatorë dhe kujdestarë – dhe të krijoni mjedise ku personalitetet e tyre të balancuara mund të lulëzojnë dhe ku ata ndihen të mbështetur dhe të kuptuar nga njerëzit e tyre të dashur.
Si e përkufizojnë ekspertët e shëndetit mendor një “otrovert”?
Lorain Moorehead, PMH-C, EMDR-C, psikoterapiste e licencuar, bën një dallim të rëndësishëm para se të japë përkufizimin e saj për një otrovert: ndërsa ambiverti është një kombinim i tipareve të introvertit dhe ekstrovertit, otroverti është pak më ndryshe.
Një ambivert fiton energji duke bërë aktivitete i vetëm dhe e rigjeneron energjinë duke kaluar kohë vetëm, por mund të marrë energji edhe nga qëndrimi në një grup të vogël, duke zhvilluar biseda të thella, shpjegon ajo. “Por edhe një grup më i madh miqsh ose një mjedis shoqëror mund të jetë energjizues për një ambivert.”
Nga ana tjetër, termi otrovert tregon një person që nuk ndien një ndjenjë përkatësie as në njërin, as në tjetrin mjedis shoqëror dhe shpesh ndihet sikur qëndron jashtë grupit – duke marrë si pikënisje fjalën spanjolle otro, që do të thotë “tjetër”.
Kjo nuk është domosdoshmërisht tregues se ata nuk kanë aftësi sociale ose se nuk mund të përshtaten, pasi shpesh kanë një nivel të lartë empatie, shpjegon Moorehead. Nevoja e tyre për autenticitet dhe dëshira për të shmangur detyrimin për t’u futur në një kuti, rol ose normë mund t’i bëjë të ndihen si të huaj.
Cilat janë tiparet e një fëmije otrovert?
Cameron Caswell, PhD, psikologe e adoleshencës dhe drejtuese e podcastit Parenting Teens with Dr. Cam, thotë se termi otrovert u krijua nga psikiatri Rami Kaminski, MD, i cili e përkufizoi atë si një person që preferon lidhje më të thella një më një, në vend të grupeve të mëdha, të cilat shpesh i lodhin – jo sepse është i turpshëm ose i pasigurt, por sepse nuk ka nevojë t’i përkasë një grupi për t’u ndier i përmbushur.
Edhe pse fëmijët neurodivergjentë ose ata në spektrin e autizmit mund të shfaqin disa karakteristika të ngjashme me personalitetin otrovert, nuk ka dëshmi se të qenit otrovert është shenjë e neurodivergjencës. Duke qenë se termi është relativisht i ri, nuk jam e sigurt nëse ekzistojnë kërkime që mbështesin një lidhje me ndonjë kategori diagnostike, thotë Anne Josephson, PysD, psikologe e licencuar.
Si preferojnë të shoqërohen otrovertët?
Ata mund të kenë një ose dy miq të ngushtë, të cilëve u besojnë plotësisht, në vend të një grupi të madh ose takimeve të vazhdueshme shoqërore.
Ata mund të mos marrin pjesë në një fjetje në grup, por me kënaqësi mund të ftojnë një mik në shtëpi për të parë një film ose për të zhvilluar një bisedë të thellë. Fryma e ekipit nuk është domosdoshmërisht ajo që preferojnë – shpesh parapëlqejnë të kontribuojnë në mënyrë të pavarur, me më pak njerëz që flasin njëkohësisht, vëren Dr. Caswell.
Në shkollë, fëmijët otrovertë mund të qëndrojnë më pranë një mësuesi ose një rrethi të vogël miqsh, në vend që të përfshihen me të gjithë klasën. Projektet në grupe të mëdha dhe klasat e zhurmshme mund t’i lodhin shpejt, ndaj mund të zgjedhin një drekë të qetë me një mik të besuar në vend që të ulen në një tavolinë të mbushur me shumë fëmijë.
Në shtëpi, ata shpesh kanë nevojë për pak kohë të qetë pas një dite të ngarkuar dhe mund të tërhiqen në dhomën e tyre për të lexuar, vizatuar ose për t’u marrë me një hobi të preferuar. Kjo nuk do të thotë se po i largojnë të tjerët; është thjesht mënyra e tyre për të rikuperuar energjinë.
Në mënyrë të ngjashme, Dr. Caswell vëren se në lagje këta fëmijë mund të jenë të sjellshëm, por të rezervuar: u bëjnë me dorë fëmijëve të tjerë, por rrallë përfshihen menjëherë në një lojë të madhe në grup. “Ka më shumë gjasa të kalojnë kohë me një shok të vetëm në lagje ose të kalojnë orë të tëra duke eksploruar diçka që e duan, të vetëm.”
Këshilla për rritjen e një fëmije otrovert
Njihni fëmijën tuaj
Fëmijët zhvillohen shoqërisht me ritmin e tyre, ndaj është e rëndësishme të kujtojmë se nuk ekziston një mënyrë e vetme “e duhur” për t’u lidhur me të tjerët dhe se fëmija juaj është një individ, jo një kategori në të cilën duhet të futet.
Jo të gjithë fëmijët kanë nevojë të shkrihen me grupin për të krijuar marrëdhënie të ngrohta dhe kuptimplota”, thotë Dr. Josephson. “Pranojeni dhe tregoni kuriozitet ndaj ‘ndryshimit’ të fëmijës suaj dhe jepini hapësirë për t’i përjetuar situatat shoqërore në mënyrën e vet.
Vlerësoni ndjenjat e tyre
Kuptoni se disa fëmijë natyrshëm priren drejt pavarësisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për të mësuar ose për të përfunduar detyrat, ndërsa të tjerë mund të mbështeten ende te ju në situata shoqërore për t’u ndier të sigurt ose për t’u prezantuar me njerëz të rinj.
Fëmija juaj mund të preferojë të punojë në mënyrë të pavarur edhe kur kjo nuk është e mundur, thotë ajo. “Ju mund ta vlerësoni këtë dëshirë (‘E kuptoj pse do të preferoje të punoje vetëm’) pa mbështetur një sjellje jo të dobishme, si refuzimi për të marrë pjesë.”
Festoni dallimet e tyre
Dr. Josephson dëshiron që prindërit dhe kujdestarët ta kuptojnë se të qenit otrovert është thjesht një tipar personaliteti, njësoj si të qenit introvert ose ekstrovert apo si preferenca për netët e qeta në shtëpi në vend të festave të mbushura me njerëz. Vini në pah pikat e forta që vijnë nga të parit e botës ndryshe dhe bëjani të ditur fëmijës suaj se këndvështrimi i tij është i vlefshëm.
Mos e ngatërroni të qenit vetëm me vetminë
Është e rëndësishme të mos e keqinterpretoni nevojën e fëmijës për kohë të qetë vetëm si vetmi. Kalimi i kohës me hobet e tij mund të nënkuptojë thjesht se është i apasionuar pas një aktiviteti të caktuar ose se ka nevojë për një pushim nga shoqërimi për të rikuperuar energjinë.
“Kur fëmija juaj kalon orë të tëra duke lexuar, vizatuar, luajtur – mos supozoni se po izolohet”, thotë Dr. Caswell. “Otrovertët e rigjenerojnë vërtet energjinë duke bërë vetëm gjërat që u pëlqejnë. Vëzhgoni se si ndihen më pas: nëse janë të qetë, të gatshëm për të biseduar ose mezi presin të ndajnë me ju atë që kanë parë apo krijuar, atëherë kjo kohë ka qenë rigjeneruese.”
Nëse, përkundrazi, kthehen të irrituar ose të mpirë emocionalisht, acarohen kur ndërpriten, ndalojnë së bëri hobet që dikur i shijonin, shmangin miqtë që zakonisht i pëlqejnë ose vazhdojnë të lëvizin në telefon apo të luajnë edhe pse thonë se nuk po argëtohen, atëherë kjo mund të jetë tërheqje dhe jo rikuperim.
Mbroni kohën e tyre për t’u rigjeneruar
Pas një dite shkollore të mbushur me zhurmë dhe dinamika grupore, fëmijët otrovertë mund të kenë nevojë për kohë të qetë, thekson Dr. Caswell. Prindërit duhet ta respektojnë këtë nevojë duke u dhënë kohë të çlodhen përpara se t’u kërkojnë të bëjnë punët e shtëpisë, detyrat shkollore apo edhe t’u bëjnë shumë pyetje, të cilave duhet t’u përgjigjen duke qenë plotësisht të angazhuar.
Kjo mund të nënkuptojë t’i lejoni të kalojnë pak kohë vetëm në dhomën e tyre, të merren me një projekt artistik që nuk lidhet me shkollën, të lexojnë qetësisht një libër ose të luajnë jashtë. Kur “bateria” e tyre sociale të jetë rimbushur, bashkëpunimi do të jetë shumë më i lehtë.
Krijoni kohë një më një
Prioritizimi i kohës vetëm me fëmijën tuaj – pavarësisht nëse është otrovert apo jo – krijon një hapësirë të sigurt dhe të qëndrueshme ku ai ndihet i vlerësuar. Pikërisht në këto momente fëmijët mund të fillojnë të flasin natyrshëm për emocionet e tyre dhe madje të kërkojnë udhëzim ose ngushëllim.
Ata hapen më shumë në mjedise të qeta dhe pa presion: gjatë një bisede në makinë, duke përgatitur darkën së bashku ose duke shëtitur, shpjegon ajo.
Në vend të pyetjes së zakonshme Si të shkoi dita?, mund të provoni diçka më krijuese, si: Nëse dita e sotme do të kishte një këngë si kolonë zanore, cila do të ishte dhe pse? Kur fëmija ndihet vërtet i parë dhe i dëgjuar, përgjigjet e tij mund t’ju tregojnë shumë më tepër.
Kur bëhet fjalë për shoqërimin, vlerësoni cilësinë dhe jo sasinë
Së fundi, Dr. Caswell u kërkon prindërve dhe kujdestarëve të vlerësojnë aftësinë e fëmijëve për t’u përqendruar, për të menduar thellë dhe për të krijuar lidhje të forta – jo vetëm kur shoqërohen me bashkëmoshatarët, por edhe kur lexojnë, flasin me familjarët, mësojnë për shkollën ose merren me aktivitete që ushtrojnë intelektin e tyre, edhe kur nuk përfshijnë shoqërinë e të tjerëve.
Bota ka tendencë ta shpërblejë ekstroversionin, thotë ajo. Vlerësimi juaj i ndihmon ata ta shohin natyrën e tyre reflektuese si një superfuqi dhe jo si një të metë.
Artikull nga: Hannah Nwoko
Përkthim: Prinderimi.com
