Kur dëgjoni shprehjen “qasje e informuar për traumën” (trauma-informed), ndoshta mendoni fillimisht për fëmijët që kanë përjetuar një ngjarje të rëndë ose një situatë traumatike të dukshme. Megjithatë, realiteti i fëmijëve sot është më kompleks. Ata rriten në një botë ku stresi dhe pasiguria nuk lidhen gjithmonë me një ngjarje të vetme, por mund të jenë pjesë e përvojave të vazhdueshme të jetës së tyre.
Burimet e stresit dhe pasigurisë mund të jenë të ndryshme: ndryshimet brenda familjes, konfliktet në marrëdhënie, shqetësimet ekonomike, problemet shëndetësore, humbjet, pasiguria në komunitet, ekspozimi ndaj lajmeve shqetësuese apo presionet sociale me të cilat përballen fëmijët dhe të rinjtë.
Eksperti i zhvillimit të të rinjve dhe themeluesi i qasjes “healing-centered engagement”, Shawn Ginwright, ka theksuar se për shumë të rinj që jetojnë me vështirësi të vazhdueshme, fjala “post” në konceptin e stresit post-traumatik nuk e përshkruan gjithmonë realitetin e tyre. Për disa fëmijë, burimi i stresit nuk ka përfunduar ende; ai vazhdon të ndikojë në mënyrën se si ata mendojnë, ndihen dhe reagojnë ndaj botës.
Në këto raste, prindërit shpesh e përjetojnë këtë stres së bashku me fëmijët e tyre. Të shohësh fëmijën tënd të shqetësuar, të frikësuar ose të lodhur emocionalisht mund të jetë e vështirë dhe shumë prindër mund të ndihen të pafuqishëm. Ata duan t’i mbrojnë fëmijët nga çdo dhimbje, por jo çdo problem i jetës mund të largohet.
Një nga mësimet më të rëndësishme të prindërimit të informuar për traumën është të kuptojmë se roli i prindit nuk është të krijojë një botë perfekte pa vështirësi. Është e pamundur të kontrollojmë çdo ngjarje që ndodh jashtë shtëpisë. Por ajo që mund të bëjmë është t’i ndihmojmë fëmijët ta përballojnë botën duke u dhënë siguri, afërsi dhe mbështetje.
Siç shprehet autorja Megan Devine: “Disa gjëra nuk mund të rregullohen; ato vetëm mund të mbarten.” Për një fëmijë, kjo do të thotë se nuk ka gjithmonë nevojë që prindi t’i japë menjëherë një zgjidhje. Shpesh ka nevojë që dikush të jetë pranë tij, ta dëgjojë dhe t’i tregojë: “Nuk je vetëm në këtë.”
Kur prindërit i ndihmojnë fëmijët të përballojnë stresin, ata forcojnë aftësinë e tyre për t’u përshtatur dhe për t’u rimëkëmbur pas vështirësive – atë që psikologët e quajnë reziliencë. Jo çdo përvojë stresuese shndërrohet në traumë. Një nga faktorët më mbrojtës është prania e marrëdhënieve të sigurta me të rritur që tregojnë kujdes, dëgjojnë dhe krijojnë një ndjenjë stabiliteti.
Në fund të fundit, fëmijët nuk kanë nevojë për prindër që mund ta kontrollojnë gjithë botën. Ata kanë nevojë për prindër që u japin një vend të sigurt ku mund të kthehen, edhe kur bota jashtë duket e vështirë.
Si ta ndihmojmë fëmijën të ndihet i sigurt në një botë të pasigurt: 4 mënyra për prindërit
Kur flasim për sigurinë e fëmijëve, shpesh mendojmë për një shtëpi të mbrojtur, ushqim të shëndetshëm dhe kujdes fizik. Por për zhvillimin e tyre, siguria emocionale është po aq e rëndësishme. Fëmijët sot rriten në një botë ku përballen me shumë ndryshime, pasiguri dhe informacione që ndonjëherë mund të jenë të vështira për t’i përpunuar.
Jo çdo përvojë stresuese kthehet në traumë. Një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikon në mënyrën se si fëmijët përballen me vështirësitë është prania e të rriturve të qëndrueshëm dhe mbështetës në jetën e tyre.
Prindërit nuk mund t’i largojnë të gjitha vështirësitë nga rruga e fëmijëve të tyre. Ata nuk mund ta kontrollojnë gjithmonë botën jashtë shtëpisë, por mund të krijojnë një hapësirë ku fëmija ndihet i parë, i dëgjuar dhe i mbrojtur.
1. Krijoni siguri përmes marrëdhënies
Marrëdhënia me prindin është një nga burimet më të fuqishme të sigurisë për fëmijën. Sipas teorisë së lidhjes emocionale (attachment theory), fëmijët zhvillojnë më shumë besim dhe aftësi për të përballuar stresin kur kanë një figurë të qëndrueshme që u përgjigjet me kujdes nevojave të tyre.
Siguria nuk ndërtohet vetëm përmes bisedave të mëdha, por përmes momenteve të vogla të përditshme:
- duke e dëgjuar fëmijën pa e ndërprerë;
- duke i thënë: “E kuptoj që kjo është e vështirë për ty”;
- duke i treguar se emocionet e tij kanë rëndësi;
- duke krijuar kohë të veçantë ku fëmija ndihet i lidhur me prindin.
Fëmijët nuk kanë nevojë për prindër që kanë gjithmonë përgjigjen perfekte. Ata kanë nevojë për prindër që janë emocionalisht të pranishëm.
2. Krijoni siguri përmes rutinave
Kur bota rreth fëmijës duket e paparashikueshme, rutinat e vogla mund të krijojnë ndjenjë stabiliteti. Një orar i rregullt gjumi, vakte të përbashkëta, rituale para gjumit apo një bisedë e përditshme pas shkollës i japin fëmijës një ndjenjë se ka gjëra të sigurta në jetën e tij.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë periudhave të ndryshimit, si fillimi i shkollës, shpërnguljet, ndryshimet familjare apo sfidat sociale. Rutina nuk do të thotë mungesë fleksibiliteti. Ajo do të thotë që fëmija ka një pikë mbështetjeje ku mund të kthehet.
3. Ndihmojeni fëmijën t’u japë kuptim përvojave
Fëmijët shpesh dëgjojnë dhe shohin më shumë sesa mendojnë të rriturit. Lajmet, bisedat e të rriturve apo ndryshimet në familje mund të krijojnë pyetje dhe frikëra që ata nuk dinë t’i shprehin.
Prindërit mund t’i ndihmojnë duke:
- dhënë shpjegime të përshtatshme për moshën e fëmijës;
- mos shmangur çdo bisedë të vështirë;
- pyetur: “Çfarë mendon ti për këtë?” ose “Si të bëri të ndihesh kjo?”
Kur fëmijët arrijnë të kuptojnë atë që po ndodh, ata fitojnë një ndjenjë më të madhe kontrolli. Gjithashtu, inkurajimi i shkrimit, vizatimit apo tregimit të historive të tyre mund t’i ndihmojë ata të përpunojnë emocionet dhe përvojat.
4. Ushqejeni shpresën dhe gëzimin
Në periudha të vështira, fëmijët kanë nevojë jo vetëm për mbrojtje, por edhe për momente gëzimi. Shpresa nuk do të thotë t’u themi fëmijëve se çdo gjë është perfekte. Do të thotë t’u tregojmë se edhe në vështirësi ekzistojnë dashuria, mirësia dhe mundësitë për të ecur përpara.
Prindërit mund ta ushqejnë këtë përmes:
- lojës dhe kohës cilësore së bashku;
- aktiviteteve krijuese;
- shëtitjeve në natyrë;
- vlerësimit të përpjekjeve të fëmijës;
- duke i ndihmuar të shohin gjërat pozitive në jetën e përditshme.
Një përqafim, një bisedë e qetë apo një moment loje mund të duket i vogël, por për një fëmijë mund të jetë një kujtesë e fuqishme se ai nuk është vetëm. Prindërit nuk mund t’i mbrojnë fëmijët nga çdo vështirësi që sjell jeta. Por ata mund t’u japin diçka edhe më të rëndësishme: besimin se kanë një vend të sigurt ku mund të kthehen.
Kur fëmijët rriten me marrëdhënie të forta, rutina të qëndrueshme dhe mbështetje emocionale, ata nuk mësojnë vetëm të përballojnë vështirësitë e sotme. Ata zhvillojnë aftësinë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
Artikull nga: Alex Shevrin Venet
Përkthim: Prinderimi.com
