Edhe pse fillimi i vitit të ri shkollor mund të duket ende larg, muaji i fundit i pushimeve është koha më e mirë për ta përgatitur fëmijën gradualisht për rikthimin në rutinë. Për shumë fëmijë, kalimi nga ditët e lira të verës te zgjimi herët, detyrat dhe përgjegjësitë shkollore është një ndryshim i madh. Psikologët e zhvillimit theksojnë se çdo tranzicion, edhe kur është pozitiv, mund të sjellë stres, sepse përfshin situata të reja, pritshmëri të reja dhe pasiguri.
Megjithatë, stresi nuk shfaqet gjithmonë në mënyrë të dukshme. Jo çdo fëmijë do të thotë: “Jam i shqetësuar për shkollën.” Shpesh, ankthi shfaqet përmes sjelljes.
Akademia Amerikane e Pediatrisë dhe Shoqata Amerikane e Psikologjisë sugjerojnë që prindërit të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave si:
- ndryshimet në gjumë,
- dhimbjet e barkut ose të kokës pa shkak mjekësor,
- nervozizmi,
- të qarat më të shpeshta,
- vështirësitë në përqendrim,
- refuzimi për të folur për shkollën
- ose nevoja më e madhe për afërsi me prindërit.
Këto nuk janë domosdoshmërisht shenja mosbindjeje, por mund të jenë mënyra se si fëmija shpreh stresin.
Një nga mënyrat më efektive për ta lehtësuar këtë periudhë është rikthimi gradual i rutinës. Studimet tregojnë se parashikueshmëria krijon ndjenjë sigurie te fëmijët. Filloni të rregulloni orarin e gjumit 15–20 minuta më herët çdo disa ditë dhe riktheni gradualisht oraret e vakteve dhe aktiviteteve. Kur fëmija e di se çfarë do të ndodhë gjatë ditës, ai ndihet më i qetë dhe më i përgatitur.
Po aq e rëndësishme është edhe përgatitja emocionale. Në vend që t’i thoni: “Mos u shqetëso, nuk është asgjë”, provoni ta pyesni: “Çfarë të emocionon më shumë për shkollën?” ose “A ka diçka që të bën të ndihesh në merak?” Psikologët theksojnë se pranimi i emocioneve i ndihmon fëmijët t’i rregullojnë ato më mirë sesa minimizimi i tyre. Kur fëmija ndihet i dëgjuar, ai fiton më shumë besim për t’u përballur me sfidat.
Mos harroni se rikthimi në shkollë nuk ka të bëjë vetëm me njohuritë akademike. Gjatë javëve të para, truri duhet të riaktivizojë aftësi si përqendrimi, kujtesa e punës, organizimi dhe vetëkontrolli, të njohura si funksione ekzekutive. Për këtë arsye, fëmijët mund të lodhen më shpejt ose të duken më të shpërqendruar. Kjo është një pjesë normale e procesit të përshtatjes.
Prindërit mund ta bëjnë këtë kalim më të lehtë duke e përfshirë fëmijën në përgatitje. Lëreni të zgjedhë çantën ose mjetet shkollore, të organizojë këndin e studimit apo të përgatisë bashkë me ju çantën për ditën e parë. Sipas Teorisë së Vetëvendosjes (Self-Determination Theory), fëmijët ndihen më të motivuar kur kanë mundësi të marrin vendime dhe të zhvillojnë ndjenjën e pavarësisë.
Disa mënyra shtesë si t’i përgadisni fëmijët praktikisht për shkollë:
1. Rifreskoni njohuritë pa presion
- Lexoni çdo ditë 15–20 minuta.
- Bëni lojëra matematikore.
- Përdorni kartela edukative dhe fletë pune.
- Mos e ktheni shtëpinë në klasë.
2. Përfshijeni në përgatitje
- Le ta zgjedhë çantën ose mjetet shkollore.
- Organizoni bashkë tavolinën e studimit.
- Vendosni objektiva të vegjël për vitin.
Kjo i jep ndjenjë përgjegjësie.
3. Rikthejeni pavarësinë
- Përgatitja e çantës.
- Veshja vetë.
- Organizimi i sendeve personale.
4. Krijoni pritshmëri realiste
Mos i thoni: “Duhet të marrësh vetëm pesa.” Më mirë:”Dua të japësh më të mirën tënde dhe të mos heqësh dorë.”
Kjo nxit motivimin e brendshëm.
Qëllimi nuk është që fëmija të fillojë shkollën perfekt, por ta nisë atë me qetësi, besim dhe dëshirë për të mësuar. Përgatitja më e vlefshme nuk futet në çantë; ajo ndërtohet në atmosferën e shtëpisë, në bisedat me prindërit dhe në rutinat e vogla të përditshme.
Në fund, mbani mend se qëllimi nuk është që fëmija të nisë shkollën pa asnjë shqetësim, por të dijë se ka pranë prindër që e dëgjojnë, e kuptojnë dhe e mbështesin. Kur shtëpia ofron siguri, rutina dhe mirëkuptim, dita e parë e shkollës shndërrohet nga një burim ankthi në fillimin e një aventure të re plot mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar.
Prinderimi.com
