Leximi për kënaqësi sjell përfitime të rëndësishme për shëndetin, pavarësisht materialit që zgjidhet për t’u lexuar, sipas shkencëtarëve nga Universiteti i Cambridge.
Në një rishikim të publikuar së fundmi, studiuesit shpjegojnë se si leximi përmirëson mirëqenien mendore, rezultatet në arsim, nxit empatinë dhe ul mundësinë e zhvillimit të demencës. Studimi është hartuar nga profesoresha Barbara Sahakian dhe Dr. Christelle Langley nga Departamenti i Psikiatrisë në Universitetin e Cambridge dhe është publikuar në revistën Psychological Medicine.
Gjetjet përkojnë me Vitin Kombëtar të Leximit, ndërsa studiuesit kanë bashkëpunuar me The Queen’s Reading Room, një organizatë bamirëse e themeluar nga Mbretëresha për të promovuar përfitimet e letërsisë.
Në rishikim theksohet një studim ku morën pjesë më shumë se 10 000 të rinj. Ai zbuloi se fëmijët që fillojnë të lexojnë për kënaqësi që në moshë të hershme shfaqin përmirësime në kujtesë, përqendrim dhe funksionet ekzekutive, siç është zgjidhja e problemeve.
Për më tepër, këta lexues të rinj arrijnë rezultate më të mira në mësime, përballen me më pak vështirësi të shëndetit mendor dhe kanë zakone më të shëndetshme, duke fjetur më shumë dhe duke kaluar më pak kohë para ekraneve.
Një studim zbuloi se fëmijët që fillojnë herët të lexojnë për kënaqësi kanë përqendrim, kujtesë dhe funksione ekzekutive më të zhvilluara. Dr. Langley tha se, duke pasur parasysh sa i dobishëm është leximi për kënaqësi në moshë të re, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i afruar fëmijët dhe të rinjtë me librat.
Ajo theksoi se gjëja më e rëndësishme është të gjendet diçka që fëmija dëshiron vërtet ta lexojë. Mund të jetë diçka që lidhet me një program televiziv apo një lojë, dhe kjo mund të përdoret si pikënisje për ta afruar me leximin. Edhe komikët dhe romanet grafikë mund të jenë një hyrje e dobishme, pasi mund të duken më pak frikësues dhe ndoshta më pak të mërzitshëm sesa romanet tradicionale.
Në përgjithësi, rishikimi zbuloi se leximi në çdo moshë përmirëson shëndetin e trurit dhe mirëqenien mendore, lidhet me performancë më të mirë njohëse dhe ul rrezikun e rënies së aftësive mendore. Të dhënat nga të rriturit treguan se leximi lidhet me më pak stres, më shumë empati, mirëqenie më të madhe dhe më pak vetmi.
Studimet tregojnë gjithashtu se aktivitetet që stimulojnë trurin, veçanërisht leximi, lidhen me një rrezik më të ulët të demencës dhe me një rënie më të ngadaltë të aftësive njohëse, edhe te njerëzit me nivel më të ulët arsimimi.
Studimet përmes imazherisë së trurit sugjerojnë se leximi lidhet me ndryshime strukturore dhe funksionale në zona të trurit që mbështesin kontrollin ekzekutiv, rregullimin emocional dhe aftësitë e njohjes sociale. E rëndësishmja është se këto përfitime duket se janë të pavarura nga prejardhja socioekonomike.
Sipas rishikimit, klubet e librit nxisin gjithashtu lidhjet shoqërore.
Prof. Sahakian tha se grupet e leximit dhe klubet e librit mund të ofrojnë përfitime shtesë përmes ndërveprimit social. Ato mund t’i ndihmojnë njerëzit të ndihen më pak të izoluar dhe më të lidhur me të tjerët, gjë që është treguar se mund të ulë rrezikun e demencës.
Edhe pse klubet e leximit mund të jenë argëtuese dhe të dobishme në çdo moshë, ato mund të jenë veçanërisht të përshtatshme për të moshuarit që kanë më pak mundësi për të lëvizur. Ata mund të mos jenë në gjendje të marrin pjesë në aktivitete fizike në grup, por një grup leximi është diçka që shumica e njerëzve mund ta shijojnë.
Prof. Sahakian shtoi se “nuk është kurrë vonë për të filluar” të lexosh dhe se leximi mund të sjellë përfitime gjatë gjithë jetës, deri në moshë të thyer. Të dhënat sugjerojnë se leximi te fëmijët dhe adoleshentët është në nivelin më të ulët që nga fillimi i regjistrimeve, veçanërisht te ata që vijnë nga grupe më të pafavorizuara.
Një studim i fundit i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), ku morën pjesë 760 000 nxënës nga 91 vende, zbuloi se 15-vjeçarët kanë aftësi leximi më të dobëta se në çdo periudhë tjetër të këtij shekulli, ndërsa bashkë me to po përkeqësohen edhe rezultatet në matematikë dhe shkencë.
Studimi zbuloi se nxënësi mesatar po lexon në një nivel që dikur pritej nga një nxënës rreth një vit më i ri.
Në rishikimin e ri, një studim me pothuajse 5 500 të rritur të moshës 55 vjeç e lart zbuloi se personat që angazhoheshin në aktivitete si leximi kishin ndjeshëm më pak gjasa të zhvillonin dëmtime njohëse gjatë një periudhe pesëvjeçare ndjekjeje.
Një tjetër studim zbuloi se leximi i gazetave, revistave dhe librave lidhej me një rrezik 33 për qind më të ulët për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Hulumtimet e mëparshme nga The Queen’s Reading Room kanë zbuluar gjithashtu se vetëm pesë minuta lexim i letërsisë artistike mund të reduktojë stresin deri në 20 për qind, si dhe të përmirësojë përqendrimin dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe t’i ndihmojë lexuesit të ndihen më pak të vetmuar.
Vicki Perrin, drejtoreshë ekzekutive e The Queen’s Reading Room, tha se librat vërtet mund ta bëjnë jetën më të mirë dhe se organizata dëshiron të kontribuojë që njerëzit, kudo që ndodhen, t’i kushtojnë më shumë hapësirë leximit në jetën e tyre.
Artikull nga TheIndependentco.uk
Përkthim: Prinderimi.com
