Me siguri keni dëgjuar për ”looksmaxxing”, trendin e TikTok-ut mes të rinjve që synon të maksimizojë pamjen fizike përmes kujdesit ndaj lëkurës, stërvitjes dhe madje edhe ndërhyrjeve estetike. Ideja është të optimizosh gjithçka që ke për t’u bërë versioni më i mirë i vetes, të paktën në rrjetet sociale.
Tani, kjo filozofi ka depërtuar edhe në përmbajtjet që lidhen me amësinë.
Kështu ka lindur ”Mommymaxxing” – ideja se çdo aspekt i amësisë duhet të optimizohet. Kjo përfshin zgjedhjet estetike, si veshjet e fëmijës, dekorimin e dhomës së tij, apo rikthimin e shpejtë të nënës në formë pas lindjes, por edhe rutinat e prindërimit, oraret e gjumit, aktivitetet jashtëshkollore dhe, në fund, krijimin e versionit më të “optimizuar” të fëmijës.
Megjithatë, mommymaxxing zbulon një prirje shqetësuese të kulturës sonë: presionin e vazhdueshëm që u bëhet nënave për të qenë perfekte.
Çfarë është mommymaxxing?
Mommymaxxing është përpjekja për ta bërë amësinë sa më të përsosur dhe efikase – duke synuar që si nëna, ashtu edhe fëmijët, të jenë sa më të organizuar, inteligjentë dhe të suksesshëm.
Në pamje të parë kjo mund të tingëllojë si një ide pozitive, prandaj edhe ka fituar popullaritet në rrjetet sociale.
Gjithçka fillon me krijimin e dhomës perfekte për foshnjën dhe ndërtimin e orarit ideal të gjumit. Më pas vazhdon me zgjedhjen e aktiviteteve “më të mira” zhvillimore, institucionit parashkollor ideal, sporteve dhe aktiviteteve jashtëshkollore, deri te përpjekjet e vazhdueshme për ta regjistruar fëmijën në universitetin e ëndrrave.
Është rraskapitëse. Dhe shumë nëna po e jetojnë këtë proces para syve të publikut në rrjetet sociale.
“Noëlle Santorelli, psikologe klinike dhe pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Emory, e përkufizon mommymaxxing si ”performancën e një amësie të optimizuar’‘. “Sot nënat krijojnë një version të idealizuar të vetes – ‘Po ia dal me gjithçka dhe po e bëj në mënyrë perfekte’. Ky fenomen shfaqet veçanërisht në rrjetet sociale.”
Termi “maxxing” u bë i njohur në TikTok rreth vitit 2023 dhe tashmë përdoret për pothuajse çdo aspekt të jetës – nga bukuria dhe fitnesi deri te produktiviteti. Ideja është që çdo gjë mund të optimizohet, zakonisht për t’u shfaqur para një audience. Mommymaxxing e çon këtë presion edhe më tej. Nuk mjafton të jesh një nënë “mjaftueshëm e mirë”. Duhet të jesh versioni më i suksesshëm në çdo aspekt të jetës.
“Sipas Dr. Santorelli, nuk bëhet fjalë vetëm për performancën, por edhe për presionin që amësia të optimizohet në nivelin më të lartë të mundshëm. “Mos u mjafto të jesh një nënë e mirë. Bëhu nëna më estetike, më e qetë emocionalisht, më në formë fizikisht, më e informuar për ushqyerjen, më e përkushtuar ndaj zhvillimit të fëmijës dhe më mbresëlënëse në aspektin shoqëror.”
Pamja që krijohet në rrjetet sociale nuk është reale
Autorja tregon se fenomenin e mommymaxxing e kuptoi kur pa një video në Instagram ku një nënë elegante ndante rutinën e saj pas shkollës. Ajo mbërrinte në oborrin e një shtëpie luksoze dhe fëmijët zbrisnin nga makina të veshur me rroba që përputheshin mes tyre, çuditërisht ende të pastër dhe të rregullt pas një dite të gjatë në shkollë.
Sapo hynin në shtëpi, hiqnin këpucët, varnin çantat me kujdes dhe shkonin drejt banjës për një banjë me shkumë, tharje flokësh dhe veshje të reja të njëjta. Më pas hanin një ushqim organik pa ngjyrues artificialë në një kuzhinë të përsosur, ndërsa kryenin detyrat e shtëpisë pa asnjë ankesë.
Në atë moment, autorja nuk e dinte se ky fenomen quhej mommymaxxing. Por e dinte shumë mirë se si e bënte të ndihej: sikur nuk po bënte mjaftueshëm si nënë.
Mommymaxxing i vendos nënat përballë pritshmërive të pamundura
Në epokën e rrjeteve sociale, gjithnjë e më shumë gra po e ndajnë përvojën e tyre të amësisë në internet. Sipas Deana A. Rohlinger, profesoreshë e Sociologjisë në Universitetin Shtetëror të Floridës dhe autore e librit ”The Attention Trap”, amësia është shndërruar nga një marrëdhënie private në një projekt publik identiteti.
“Ajo që dikur ishte një marrëdhënie personale mes nënës dhe fëmijës, tani është bërë diçka që të gjithë mund ta shohin, ta komentojnë dhe ta gjykojnë.” Një nga pasojat më serioze është ndikimi në shëndetin mendor të nënave. Studimet tregojnë se gjatë dekadës së fundit shëndeti mendor i nënave është përkeqësuar ndjeshëm dhe rreth ”20% e tyre” përjetojnë probleme si depresioni ose ankthi.
Dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse.Mommymaxxing krijon idenë se mjafton të ndjekësh rutinën “e duhur”, të zgjedhësh estetikën “e duhur” ose t’i ushqesh fëmijët me produktet “e duhura” për të qenë një nënë ideale.
Por amësia nuk funksionon kështu.
Disa fëmijë kanë veçori neurozhvillimore që e bëjnë të vështirë trajnimin e gjumit. Të tjerë refuzojnë ushqime të caktuara ose kanë preferencat e tyre për mënyrën e të veshurit dhe rutinat e përditshme.
Siç shprehet Dr. Rohlinger: “Ky fenomen i trajton fëmijët si projekte që duhet të optimizohen.”
Mommymaxxing krijon një pamje të shtrembëruar të prindërimit
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjeve të mommymaxxing mund ta bëjë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes realitetit dhe asaj që shohim në internet.Dr. Santorelli shpjegon se, pas një kohe, një nënë nuk e percepton më këtë përmbajtje si thjesht “kontent”, por si standardin normal të asaj që bëjnë nënat e mira.
Dr. Rohlinger thekson edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm: pabarazinë ekonomike.
Ky fenomen krijon përshtypjen se vetëm familjet me të ardhura të larta mund t’u ofrojnë fëmijëve mundësitë më të mira dhe, rrjedhimisht, të jenë prindërit “më të mirë”. “Në të vërtetë, duhet të kesh shumë burime financiare për të ndërtuar jetën që mommymaxxer-at paraqesin në internet,” thotë ajo.
Si ndikon mommymaxxing tek fëmijët?
Mommymaxxing, ose përpjekja për ta optimizuar amësinë në çdo aspekt, nuk ndikon vetëm në mirëqenien mendore të nënave. Pasojat mund të reflektohen edhe te fëmijët. Sipas Dr. Noëlle Santorelli, në këtë fenomen fëmijët rrezikojnë të shndërrohen në një zgjatim të imazhit që nëna dëshiron të projektojë në rrjetet sociale.
“Veshjet e tyre, arritjet, sjellja, miqësitë, shkolla, sportet dhe sukseset e tyre bëhen pjesë e identitetit shoqëror të nënës,” shpjegon ajo. “Fëmijët mund të përvetësojnë gjithashtu idenë se dashuria dhe vlerësimi varen nga performanca ose nga mënyra se si paraqiten para të tjerëve.”
Kjo mund t’ua kufizojë fëmijëve lirinë për të qenë thjesht fëmijë – të jenë spontanë, të gabojnë, të shprehin emocionet dhe ndjeshmërinë e tyre pa frikën se po prishin “imazhin perfekt”.
Mommymaxxing dëmton gjithë familjen
Sipas ekspertëve, mommymaxxing nuk është i dëmshëm vetëm për nënat. Ai mund të ndikojë negativisht në të gjithë dinamikën familjare. Një nga problemet më të mëdha është se standardi i “perfeksionit” nuk ka fund. “I gjithë thelbi i maxxing është se nuk ekziston një pikë ku mund të thuash ‘mjafton’,” thotë Dr. Santorelli. “Gjithmonë do të ketë një rutinë më të mirë, një aktivitet më zhvillues, ose një rezultat më estetik për t’u arritur.”
Nëna që përpiqet ta ndjekë këtë ideal është në kërkim të diçkaje të paarritshme, ndërkohë që shpenzon kohë, para, energji dhe kapacitete emocionale që shpesh nuk i ka.Për më tepër, ajo detyrohet të fshehë realitetin e vërtetë të amësisë – një realitet që shpesh është i lodhshëm, i zhurmshëm, i paparashikueshëm dhe plot rrëmujë.
Në fund të fundit, amësia është mjaft sfiduese edhe pa presionin shtesë të rrjeteve sociale.
Asnjë nënë nuk ka nevojë për një audiencë virtuale që t’i tregojë vazhdimisht se si mund ta bëjë prindërimin “më mirë”. Fëmijët nuk kanë nevojë për prindër të përsosur; ata kanë nevojë për prindër të pranishëm, të dashur dhe mjaftueshëm të mirë për t’u ofruar siguri, mbështetje dhe dashuri të pakushtëzuar.
Artikull nga: Rachell Morgan Cautero
Përkthim: Prinderimi.com
