Kohët e fundit, është bërë gjithnjë e më e vështirë t’u shmangesh atyre. Përmbajtjet e dhunshme po qarkullojnë online dhe ndonjëherë arrijnë në ekranet e fëmijëve tanë para se ne të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shumë prej tyre janë grafike dhe shoqërohen me pak paralajmërime, ose aspak. Edhe fëmijët e vegjël mund të hasin rastësisht në këto imazhe dhe video, sidomos kur diçka bëhet virale ose kur kopje të shumta të një videoje shfaqen vazhdimisht në burimin e tyre, duke anashkaluar edhe kontrollet më të rrepta prindërore.
Është krejtësisht e natyrshme që prindërit të mendojnë: “Si mund ta bllokoj këtë plotësisht?” Por në botën e sotme digjitale, edhe rregullat dhe filtrat më të kujdesshëm nuk mund të kapin gjithçka.
Në vend që të përqendrohemi vetëm te parandalimi, duhet të kuptojmë se si fëmijët tanë e përpunojnë përmbajtjen shqetësuese nëse e hasin atë dhe të dimë çfarë të bëjmë më pas. Sepse, duke folur çdo ditë me prindër dhe mësues, e di se ka shumë gjasa që fëmija juaj të përballet me fotografi ose video shqetësuese në një moment të caktuar.
Çfarë ndodh në trurin e fëmijës kur sheh diçka shqetësuese?
Pjesa e trurit që zbulon rrezikun — amigdala — nuk arrin gjithmonë të dallojë mes diçkaje që po ndodh në jetën reale dhe diçkaje që shihet në ekran. Detyra e saj është të identifikojë dhe të reagojë ndaj kërcënimeve.
Për amigdalën, një video e dhunshme që shihet në dhomën e gjumit mund të ndihet sikur një ngjarje e dhunshme po ndodh pikërisht aty. Ajo jep alarmin: adrenalina dhe kortizoli përhapen në trup, rrahjet e zemrës përshpejtohen, tretja ngadalësohet dhe trupi përgatitet për t’u përballur me rrezikun.
Problemi është se dhomat e gjumit duhet të jenë vende ku ndihemi të sigurt. Por nëse diçka e frikshme shfaqet aty (ose në çdo hapësirë tjetër që duhet të ndihet e sigurt), edhe në mënyrë virtuale, kjo mund të ngatërrojë sinjalet e sigurisë së trurit. Pikërisht atëherë mund të shfaqen probleme me gjumin, ankth, nervozizëm ose ndryshime të papritura në sjellje.
Si ta ndihmojmë fëmijën nëse sheh përmbajtje shqetësuese online?
Fatmirësisht, ka mënyra se si prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët të përballojnë imazhet e dhunshme që mund t’i hasin në rrjetet sociale ose për të cilat mund të dëgjojnë nga shokët.
Mos supozoni se fëmija do t’ju tregojë vetë
Mund të mendoni se nëse fëmija juaj sheh diçka që e frikëson, ai do t’ju tregojë menjëherë. Por shumë fëmijë nuk e bëjnë këtë.Fëmijët e vegjël, në veçanti. Ata jo gjithmonë e kuptojnë atë që kanë parë, por e ndiejnë reagimin e stresit në trupin e tyre. Madje mund të mendojnë se kanë bërë diçka gabim.
Fëmijët më të rritur mund ta kuptojnë më mirë situatën, por mund të ndihen të turpëruar ose të kenë frikë se do të ndëshkohen. Prandaj është e rëndësishme të mos prisni gjithmonë që ata ta hapin vetë bisedën.
Jini të drejtpërdrejtë. Mund të thoni diçka si:
“Sot ka pasur disa lajme të frikshme. A ke parë ndonjë gjë për këtë?”
Ose:
“Kam dëgjuar se po qarkullon një video. A të ka treguar dikush diçka që të ka shqetësuar?”
Edhe nëse fëmija juaj nuk e ka parë një video ose fotografi të caktuar, nuk po hapni një problem duke e përmendur. Përkundrazi, po hapni një derë për komunikim. Nga puna ime me shkollat dhe trajnimet për prindër, kam kuptuar se edhe kur një fëmijë nuk e ka parë videon, shpesh ka dëgjuar për të. Shokët flasin për të në oborrin e shkollës, gjatë drekës ose në grupet e bisedave online.
Është më mirë që ta dëgjojë nga ju, me fakte të qeta dhe mundësinë për të bërë pyetje, sesa nga një bashkëmoshatar që ende po përpiqet ta kuptojë vetë atë që ka parë.
“Thjesht mos mendo për të”- nuk funksionon
Kur një fëmijë sheh ose dëgjon diçka shqetësuese, reagimi më i zakonshëm që dëgjoj nga të rriturit është: “Mundohu të mos mendosh për të.”
Por kjo nuk është këshillë e dobishme dhe shpesh është e pamundur. Ne nuk mund ta ndalojmë mendjen të mendojë diçka vetëm me urdhër. Nëse ju them: “Mos imagjinoni një elefant rozë”, çfarë ju erdhi menjëherë në mendje?
Kur i themi një fëmije të mos mendojë për diçka, zakonisht e bëjmë atë të mendojë edhe më shumë për të. Vëmendja e tij përqendrohet pikërisht te gjëja që po përpiqet të shmangë. Pastaj fëmija ndihet sikur ka dështuar dy herë: nuk ka arritur të ndjekë këshillën e prindit dhe ende ndihet i frikësuar.
Kërkojini fëmijës t’ju tregojë çfarë ka parë
Gjëja më e mirë që mund të bëjë një prind kur fëmija sheh diçka shqetësuese është të flasë me të.
Për fëmijët e moshës shkollore dhe adoleshentët, mund t’u kërkoni të tregojnë përsëri atë që panë.
Bëni pyetje si:
- Ku ishe kur e pe?
- Çfarë po ndodhte rreth teje?
- Çfarë pe, dëgjove ose ndjeve?
Kjo e ndihmon trurin ta vendosë kujtesën në kohë dhe hapësirë. Aktivizon korteksin paraballor — pjesën e trurit që kupton kontekstin, këndvështrimin dhe sigurinë — duke i treguar trurit se ajo ngjarje ka përfunduar.
Nuk po ndodh tani. Ishte diçka që fëmija e pa në autobus, në shkollë ose gjatë drekës. Ai nuk ishte pjesë e ngjarjes së frikshme; ai thjesht e pa atë në një ekran. Amigdala ka nevojë për këtë informacion të ri, në mënyrë që të ndalojë gjendjen e alarmit të vazhdueshëm.
Ndonjëherë fëmijët kanë nevojë ta tregojnë historinë disa herë, derisa ajo të bëhet diçka jo më aq e frikshme. Kjo është një mënyrë për ta përpunuar përvojën. Kur një imazh i frikshëm shndërrohet në një histori, truri arrin ta vendosë atë në vendin e duhur dhe të qetësohet.
Pas bisedës, provoni një aktivitet të thjeshtë për ta qetësuar sistemin nervor:
- Emërtoni tri gjëra në dhomë që janë të rrumbullakëta, dy që janë katrore dhe një që është trekëndore.
- Mbani një copë akulli në gojë dhe përqendrohuni te ndjesia e të ftohtit.
- Merrni frymë për katër sekonda, mbajeni për katër sekonda dhe nxirreni për katër sekonda.
Këto veprime të vogla ndihmojnë trurin të kalojë nga gjendja e frikës në ndjenjën e sigurisë.
Vëzhgoni shenjat e shqetësimit
Jo çdo fëmijë ose adoleshent do të ketë vështirësi pasi të shohë përmbajtje të dhunshme. Por disa prej tyre mund të preken.Shpesh, kur fëmijët nuk flasin, ata e tregojnë përmes sjelljes.
Shenjat që diçka i ka shqetësuar mund të përfshijnë:
- Vështirësi me gjumin
- Makthe
- Nervozizëm ose shpërthime të shpejta zemërimi
- Tërheqje nga të tjerët
- Frikë ose reagim të shtuar ndaj zhurmave apo situatave të papritura
Nëse shihni këto shenja, qëndroni të qetë dhe të hapur. Ndëshkimet e përgjithshme ose kufizimet e forta rreth telefonit apo shoqërisë mund të kenë efekt të kundërt. Fëmijët nuk do të vijnë tek ju nëse mendojnë se do të futen në telashe.Kjo është veçanërisht e vërtetë për prindërit që kanë kaluar trauma në jetën e tyre. Shpesh i themi vetes: “Fëmija im nuk duhet të përjetojë kurrë atë që kam përjetuar unë.”
Prandaj, kur diçka e frikshme depërton në botën e fëmijës, mund të ndihet si një dështim personal. Kjo frikë mund të shndërrohet shpejt në turp ose zemërim. Dëshira për të kritikuar, ligjëruar ose vendosur kufizime shumë të ashpra shpesh vjen nga dhimbja. Por këto reagime mund ta mbyllin derën pikërisht në momentin kur fëmija ka më shumë nevojë për ju.
Në botën digjitale, nuk mund t’i mbrojmë fëmijët nga çdo gjë që ekziston online. Por mund t’u mësojmë atyre se gjithmonë kanë një vend të sigurt ku mund të kthehen: tek prindërit e tyre.
Artikull nga: Robyn Koslowitz
Përkthim: Prinderimi.com
