Fëmijët kanë imagjinatë të jashtëzakonshme dhe e përdorin atë për t’i shndërruar gurët në anije kozmike, tavolinat në kala apo lapsat në zana. Ata mund të shtiren sikur janë “mami” ose sikur po “gatuajnë darkën”. Mund të krijojnë edhe personazhet, botët dhe konceptet e tyre, të cilat ndonjëherë nuk kanë asnjë ngjashmëri me atë që të rriturit do të mund të imagjinonin.
Aftësia për t’u përfshirë në lojë simbolike zakonisht shfaqet për herë të parë rreth moshës 15–18 muajsh. Rreth moshës 20 muajshe, fëmijët fillojnë të imitojnë jetën që i rrethon. Në moshën katër ose pesë vjeç, loja bëhet më komplekse, përfshin ndërveprimin me të tjerët dhe interpretimin e personazheve.
Por, përveçse është pjesë e zhvillimit të fëmijës, a ka loja simbolike edhe përfitime të tjera? Studimi ynë sugjeron se loja simbolike mund të ndihmojë edhe shëndetin mendor të fëmijëve.
Hulumtimet
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth një në shtatë fëmijë dhe adoleshentë preken nga probleme të shëndetit mendor. Shumica e ndërhyrjeve synojnë trajtimin e problemeve pasi ato shfaqen, duke i kushtuar më pak vëmendje bazave të zhvillimit që mund të ndihmojnë në parandalimin e tyre.
Në studimin tonë, analizuam të dhëna nga më shumë se 1,400 fëmijë australianë, të cilët morën pjesë në Studimin Longitudinal të Fëmijëve Australianë. Aftësia e tyre për lojë simbolike u vlerësua nga edukatorët e fëmijërisë së hershme gjatë një periudhe njëvjeçare, kur fëmijët ishin nga dy deri në tre vjeç. U vlerësua se sa mirë një fëmijë ishte në gjendje të:
- zhvillonte lojëra të thjeshta simbolike, si ushqyerja e një kukulle ose kafshe prej pelushi;
- përdorte një objekt për të përfaqësuar diçka tjetër, për shembull një peshqir si batanije ose një kuti si shtëpi;
- zhvillonte lojëra simbolike me bashkëmoshatarët, si interpretimi i roleve përmes kostumeve ose loja “shtëpi”.
Më pas, rezultatet e shëndetit mendor u matën përmes raporteve të prindërve dhe edukatorëve mbi vështirësitë emocionale dhe të sjelljes. Këto të dhëna u mblodhën kur fëmijët ishin katër deri në pesë vjeç dhe përsëri kur ishin gjashtë deri në shtatë vjeç.
Çfarë zbuluam?
Gjetëm se fëmijët dy- dhe trevjeçarë me aftësi më të zhvilluara në lojën simbolike kishin më pak vështirësi emocionale dhe të sjelljes në moshën katër deri në pesë vjeç dhe gjashtë deri në shtatë vjeç. Këto vështirësi mund të përfshijnë shqetësimin e shpeshtë, shumë brenga ose shpërthime të shpeshta emocionale.
Gjetjet mbetën të qëndrueshme edhe pasi u morën parasysh faktorë të tillë si gjendja socio-ekonomike e familjes, shëndeti mendor i nënës, aftësitë gjuhësore të fëmijës dhe siguria e marrëdhënies së tij me prindërit.
Pse mund të ndodhë kjo?
Rregullimi emocional – aftësia për t’i menaxhuar dhe për t’iu përgjigjur emocioneve – është lidhur me shëndetin mendor gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Është sugjeruar se fëmijët që janë më të aftë në lojën simbolike mund të kenë edhe rregullim më të mirë emocional, sepse loja u jep mundësinë ta praktikojnë këtë aftësi.
Megjithatë, kur shqyrtuam këtë lidhje, nuk gjetëm një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes lojës simbolike, rregullimit emocional dhe rezultateve të mëvonshme të shëndetit mendor. Kjo sugjeron se mund të përfshihen edhe procese të tjera zhvillimore, të cilat ende nuk i kuptojmë plotësisht. Në studimin tonë, sugjerojmë se një koncept i quajtur “njohja e mishëruar” (embodied cognition) mund të ndihmojë në shpjegimin e lidhjes mes lojës simbolike dhe mirëqenies mendore.
Njohja e mishëruar është ideja se të menduarit nuk ndodh vetëm në tru. Edhe trupi dhe mënyra se si ai lëviz dhe ndërvepron me botën përreth marrin pjesë në procesin e të menduarit. Për shembull, kur fëmijët mësojnë të numërojnë duke përdorur gishtat, veprimi fizik bëhet pjesë e mënyrës se si koncepti matematikor formohet në mendjen e tyre.
Në mënyrë të ngjashme, loja, imagjinata dhe interpretimi i situatave nuk janë thjesht argëtuese. Ato mund t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë si të mendojnë, të ndiejnë dhe t’i përgjigjen mjedisit të tyre. Kjo, nga ana tjetër, mund të lidhet me një shëndet mendor më të mirë.
Megjithatë, nevojiten më shumë hulumtime përpara se kjo lidhje të mund të konfirmohet me siguri.
Si mund ta nxisin prindërit lojën simbolike?
Ndërkohë, ka disa mënyra të thjeshta për ta inkurajuar lojën simbolike te fëmija juaj. Lëreni lojën të zhvillohet natyrshëm, në vend që ta ktheni çdo moment në një “mundësi mësimi”. Nëse fëmija bën një gabim gjatë numërimit ose emërtimit të gjërave, përpiquni të mos e ndërprisni lojën vetëm për ta korrigjuar.
Ndiqni udhëheqjen e fëmijës kur i bashkoheni lojës. Prisni që fëmija të fillojë dhe më pas përgjigjuni ndaj asaj që propozon, duke e mbajtur lojën të udhëhequr prej tij.
Përgjigjuni me vëzhgime të thjeshta ose komente të hapura, në vend që të jepni vazhdimisht udhëzime. Për shembull: “Çfarë mund të bëjë ajo gjethe?” në vend të “Ajo gjethe mund të jetë shtëpia e maces”.
Hyni në botën e lojës, në vend që ta drejtoni atë nga jashtë. Pyeteni fëmijën se çfarë roli dëshiron t’ju japë ose merrni një rol më pak autoritar, si një vizitor i hutuar apo një klient që ka harruar çfarë kërkon.
Mbani mend: loja nuk ka nevojë të jetë e ndërlikuar apo gjithmonë edukative. Ajo thjesht duhet t’i japë fëmijës hapësirë për të përdorur imagjinatën, krijimtarinë dhe kureshtjen. Dhe, siç sugjeron ky studim, kjo lojë e thjeshtë mund të ketë një rol më të rëndësishëm në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijës sesa mund të mendojmë.
Artikull nga: TheConversation.com
Përkthim: Prinderimi.com
