Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në klasa, por duhet trajtuar me kujdes, thotë Andreas Schleicher, themeluesi i testit PISA.
Çdo tre vjet, qindra mijëra 15-vjeçarë ulen për t’iu përgjigjur pyetjeve të testit ndërkombëtar PISA, i cili tashmë zhvillohet në mbi 90 vende. Ata nuk i përsërisin mësimet për t’u përgatitur për të dhe rezultatet nuk ndikojnë në notat e tyre. Megjithatë, ministrat i shqyrtojnë me imtësi rezultatet, gazetat i nxjerrin bujshëm në faqet e para dhe, në varësi të tyre, sistemet arsimore lavdërohen ose vihen në pikëpyetje.
Kjo ndodh sepse këto rezultate janë matësi më i besueshëm i cilësisë së sistemeve shkollore dhe, rrjedhimisht, një ndër treguesit më të fuqishëm parashikues të suksesit afatgjatë të ekonomive. Studiuesit e Universitetit të Stanfordit vlerësojnë se, nëse të gjithë 15-vjeçarët amerikanë do të arrinin të paktën nivelin bazë 2 të PISA-s, kjo mund t’i shtonte ekonomisë së vendit mbi 40 mijë miliardë dollarë — sa 1,25-fishi i PBB-së nominale të Amerikës — gjatë jetës së tyre të punës.
Megjithatë, në vitin 2025, 22% e 15-vjeçarëve amerikanë nuk e arritën këtë prag në shkenca, kundrejt 19% në vitin 2018; 35% nuk e arritën në matematikë, kundrejt 27%; dhe 26% në lexim, kundrejt 19%. Këta nxënës kanë vështirësi të interpretojnë të dhëna të thjeshta, të dallojnë prova në një grafik ose të kuptojnë tekste të thjeshta.
Tabloja është e ngjashme në shumë vende. Në të vërtetë, bota nuk ndahet më prerazi në vende të pasura e me arsimim të mirë dhe vende të varfra e me arsimim të dobët: sipas PISA-s, pasuria kombëtare shpjegon vetëm gjysmën e dallimeve në rezultatet ndërmjet vendeve.
Po kështu, politikat e mira dhe zgjedhjet e matura për shpenzimet janë tregues parashikues shumë më të fuqishëm të rezultateve të të nxënit sesa thjesht shuma që vendet shpenzojnë për nxënës. Luksemburgu shpenzon 288 521 dollarë për nxënës nga fillimi i shkollës fillore deri në moshën 15-vjeçare — shumë më tepër se çdo vend tjetër — por sërish arrin rezultate në shkenca më të ulëta se Irlanda, Franca apo Italia, të cilat investojnë secila më pak se gjysmën e kësaj shume për nxënës.
Nxënësit e njësive administrative kineze Pekin, Shangai, Jiangsu dhe Zhejiang zunë kreun në testin e shkencave të PISA-s, me rezultate në secilën prej tyre mbi 100 pikë më të larta se mesatarja e OECD-së, ndërkohë që 20 pikë zakonisht barazohen me përparimin e një viti shkollor. Ndonëse përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të Kinës, këto njësi japin kontributin më të madh, prej 27%, në fondin botëror të talenteve që përbëhet nga nxënësit me rezultatet më të larta në PISA. Këta nxënës mund të përballen me koncepte të vështira shkencore, të vlerësojnë pretendime dhe të dallojnë mangësi në argumentet shkencore, çka i bën kandidatë të spikatur për vendet më të mira të punës së nesërme. Sistemet arsimore që vijnë më pas në renditje — Singapori, Makao, Taipei Kinez dhe Japonia — janë gjithashtu të gjitha nga Azia Lindore.
Shqetësimi më i madh nuk buron nga një pasqyrë e vetme e rezultateve të PISA-s, por nga drejtimi që po marrin ato. Në një kohë kur inteligjenca artificiale (IA) po shndërron mënyrën se si njerëzit punojnë, mësojnë dhe jetojnë, do të pritej që sistemet arsimore ta ngrinin stekën. Përkundrazi, në shumë vende rezultatet kanë rënë.
Leximi, porta drejt çdo forme të të nxënit, ka pësuar një rënie të theksuar. Nga viti 2018 deri në vitin 2025, rezultatet ranë në tri të katërtat e vendeve. Në nivelin e OECD-së, rënia ishte 25 pikë — e barasvlershme me më shumë se një vit të nxëni. Një pjesë e madhe e kësaj rënieje ndodhi ndërmjet viteve 2022 dhe 2025. Befasia më e madhe është se kush mbeti më shumë prapa. Nuk ishin nxënësit më të pafavorizuar, por ata nga familjet e pasura, çka tregon se sfida është shumë më e gjerë sesa vetëm pabarazia.
Më shqetësues është përkeqësimi pikërisht i atyre aftësive që kanë rëndësinë më të madhe në epokën e IA-së: vlerësimi i informacionit, ndërlidhja e tij nga burime të shumta dhe të menduarit kritik për atë që lexojmë. Që prej vitit 2018, numri i rasteve kur nxënësit kalojnë nxitimthi nëpër tekste dhe japin përgjigje të shpejta, por të pasakta, thuajse është dyfishuar.
Njerëzit i kërkojnë menjëherë shpjegimet te faktorë si ndikimi i pandemisë së COVID-19, por një rënie në lexim ishte vërejtur te dhjetëvjeçarët që në vitin 2016, shumë kohë përpara se të godiste virusi. Nuk mund ta themi me siguri, por rënia e leximit për kënaqësi dhe kalimi drejt leximit digjital — shfletimi i përciptë i postimeve në rrjetet sociale dhe përpunimi i shpejtë i informacionit — mund të jenë duke ua dobësuar nxënësve aftësinë për t’u thelluar në tekste e të dhëna komplekse.
Ndonëse përdorimi i kufizuar ose i moderuar i pajisjeve digjitale për të nxënë në shkollë shpesh shoqërohet me rezultate më të mira, kur pajisjet personale përdoren për argëtim gjatë qëndrimit në shkollë, rezultatet e nxënësve bien ndjeshëm. Kjo ngre pikëpyetje nëse pajisje si telefonat inteligjentë, të projektuara për të tërhequr sa më shumë vëmendjen e përdoruesit, janë të pajtueshme me përqendrimin e qëndrueshëm që kërkon mësimi.
A po e ndryshon ardhja e IA-së këtë ekuacion? Në pamje të parë, të dhënat e PISA-s nuk janë inkurajuese: nxënësit që përdorin chatbot-e për detyra të tilla si përmbledhja e teksteve priren të marrin rezultate më të ulëta se ata që nuk i përdorin dhe kanë më shumë gjasa të raportojnë nivele më të ulëta të motivimit të brendshëm për të nxënë.
Këto prirje janë të ndërlikuara dhe varen shumë nga mënyra se si përdoret IA-ja, por thelbi është i thjeshtë: formën fizike nuk e fitojmë duke parë sport, por duke e ushtruar atë. Po kështu, të nxënit kërkon gjithmonë përpjekje mendore. Në vend që t’i bëjmë gjërat më të lehta, na duhen mjedise të të nxënit rigoroze, të përqendruara dhe koherente, që i bëjnë nxënësit më të fortë. Në PISA, si individët, ashtu edhe vendet arrijnë rezultate më të mira kur nxënësit besojnë se suksesi varet nga puna e palodhur dhe jo nga talenti, si dhe kur e shohin dështimin si një mundësi për t’u zhvilluar.
Atëherë, si t’i përgatisim nxënësit për një të ardhme të drejtuar nga IA-ja, kur po këto teknologji mund ta zbrazin nga përmbajtja vetë të nxënit? Përgjigjja nuk është ta refuzojmë IA-në, por ta rimendojmë mënyrën se si e përdorim. Sistemet me rezultate të larta, si ato të Kinës, Estonisë, Koresë së Jugut dhe Singaporit, po i prijnë këtij ndryshimi, duke e përdorur IA-në jo për t’u dhënë nxënësve përgjigje të gatshme, por për t’i ndihmuar të mendojnë rreth pyetjeve të duhura, të arsyetojnë në mënyrë analitike dhe të mësojnë më me efektivitet.
Pak vende do të lejonin që miliona fëmijë të merrnin një vaksinë të re pa kërkuar më parë prova klinike rigoroze. E megjithatë, në arsim fusim teknologji të reja në miliona klasa me çuditërisht pak prova për ndikimin e tyre, duke i kthyer nxënësit, pa dijeninë e tyre, në manekinë për testet e përplasjes, me të cilët provojmë mjete që ende nuk i kuptojmë plotësisht.
PISA tregon se shkollat me politika të qarta për përdorimin e telefonave celularë — qoftë përmes ndalimeve, qoftë përmes udhëzimeve të mirëpërcaktuara — raportojnë rezultate më të mira dhe më pak nxënës të shpërqendruar nga pajisjet digjitale. Mësimi që duhet nxjerrë nuk është se teknologjia nuk ka vend në shkolla. Është se teknologjia ka nevojë për qeverisje.
Kur telefonat inteligjentë dhe IA-ja janë pjesë e mjedisit të të nxënit, përdorimi i tyre duhet të jetë i qëllimshëm, jo rastësor. Shkollave u duhen korniza të qarta që përcaktojnë kur, ku dhe si duhet përdorur IA-ja. Për nxënësit më të vegjël, ajo nuk duhet trajtuar si një orakull. Kjo nënkupton filtra të fortë. Të mos ketë manipulim emocional. Të mos shtiret si mik, si njeri i besuar apo, edhe më keq, si zëvendësim i ndërveprimit social. Më së paku, pa investim të bërë në aftësitë e mësimdhënësit, edukatorët rrezikojnë ose ti japin shumë të menduar IA-së, ose të refuzojnë risitë që do të mundnin realisht ta rrisnin të mësuarit.
Autor: Andreas Schleicher, themelues i testit PISA
