Rezultatet e PISA 2025 e vendosin Kosovën përballë një sfide serioze në fushën e leximit. Nxënësit 15-vjeçarë në Kosovë morën mesatarisht 340 pikë në lexim, krahasuar me 461 pikë mesatarisht në vendet e OECD-së. Vetëm 16% e nxënësve në Kosovë arritën nivelin bazë të aftësisë në lexim, ndërsa mesatarja e OECD-së ishte 69%. Në PISA 2022, kjo shifër në Kosovë ishte 17%, ndërsa rezultati mesatar ishte rreth 342 pikë. Krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve nën Nivelin 2 është rritur me 7 pikë përqindjeje.
Por problemi nuk qëndron vetëm te numri i pikëve. Leximi që kërkohet sot nga një nxënës është shumë më tepër sesa të kuptojë fjalët në një faqe. Ai duhet të gjejë informacionin, të kuptojë kuptimin e përgjithshëm të një teksti, të lidhë informacionin nga burime të ndryshme dhe të vlerësojë nëse një pohim është i besueshëm. Në nivelet më të larta të PISA-s, nxënësi duhet të jetë në gjendje të kuptojë tekste të gjata e abstrakte dhe të dallojë faktin nga opinioni edhe kur informacioni nuk thuhet drejtpërdrejt. Në Kosovë, pothuajse asnjë nxënës nuk arriti Nivelin 5 ose më lart në lexim, krahasuar me 6% në OECD.
Raporti i OECD-së sjell një tjetër sinjal domethënës: përqindja e nxënësve që lexojnë me nxitim dhe japin përgjigje të shpejta, por të pasakta, pothuajse u dyfishua nga 6.6% në vitin 2018 në 11.4% në vitin 2025. OECD e lidh këtë prirje me një mjedis informativ ku të rinjtë përballen vazhdimisht me përmbajtje të shkurtra dhe të shpejta. Raporti thekson se rënia e leximit për kënaqësi dhe kalimi drejt leximit digjital, përfshirë skanimin e shpejtë të rrjeteve sociale, mund të jetë duke e vështirësuar përfshirjen në tekste dhe të dhëna komplekse.
Kjo nuk do të thotë se teknologjia është shkaku i vetëm i rezultateve të ulëta. Megjithatë, mënyra se si përdoret ajo ka rëndësi. Në Kosovë, nxënësit raportuan 1.4 orë në ditë përdorim të pajisjeve digjitale në shkollë për mësim, por po aq, 1.4 orë për argëtim. Gjithashtu, 32% thanë se bashkëmoshatarët shpërqendrohen shpesh nga pajisjet digjitale gjatë shumicës ose të gjitha orëve të shkencës. Këta nxënës në Kosovë kishin mesatarisht 16 pikë më pak në shkencë sesa ata që nuk raportonin një shpërqendrim të tillë.
Edhe përdorimi i AI-së po hyn në këtë tablo: 46% e nxënësve në Kosovë raportuan se përdorin chatbotë të AI-së të paktën një herë në javë për t’i ndihmuar në të nxënë, ndërsa 32% i përdorin për të përmbledhur tekstet që duhet të lexojnë. OECD paralajmëron se teknologjia mund ta mbështesë të nxënit kur përdoret me qëllim, por nuk duhet ta zëvendësojë përpjekjen mendore të nxënësit.
Në Ditën Ndërkombëtare të Shkrim-Leximit (World Literacy Day), që shënohet më 8 shtator dhe në vitin 2026 shënon 60-vjetorin, këto rezultate marrin një kuptim edhe më të gjerë. Tema e këtij viti, “Shkrim-leximi për njerëzit, planetin dhe mirëqenien”, na kujton se të jesh i aftë të lexosh nuk do të thotë vetëm të përfundosh një tekst. Do të thotë të kuptosh, të pyesësh, të dallosh informacionin e besueshëm nga ai i rremë dhe të mendosh thellë për atë që lexon.
Për Kosovën, sfida është pikërisht kjo: jo vetëm t’i mësojmë fëmijët të lexojnë, por t’i ndihmojmë të mos e humbin aftësinë për të lexuar me vëmendje, për të kuptuar dhe për të menduar thellë.
Prinderimi.com
