Termi “ngrirje funksionale” (functional freeze) ka marrë shumë vëmendje në rrjetet sociale, pjesërisht sepse përshkruan një përvojë me të cilën shumë prindër mund të përballen pa e kuptuar: nga jashtë vazhdojnë të funksionojnë, ndërsa nga brenda ndihen të mpirë ose “të ngrirë”. Ky fenomen mund të jetë veçanërisht i pranishëm te prindërit për shkak të ngarkesës së madhe dhe shpesh të padukshme të kujdesit për familjen.
Prindërit mund të mos e kuptojnë se po funksionojnë në një gjendje ngrirjeje funksionale, sepse vazhdojnë t’i ushqejnë fëmijët, t’i dërgojnë në takime dhe të plotësojnë nevojat e tyre bazë, thotë psikologia e licencuar Miranda Nadeau, PhD. Megjithatë, sipas saj, mosadresimi i kësaj gjendjeje mund të ndikojë në shëndetin mendor të prindit dhe në marrëdhëniet me fëmijët dhe njerëzit e tjerë të dashur.
Çfarë është “ngrirja funksionale”?
Ngrirja funksionale nuk është një diagnozë klinike zyrtare, por një term që përdoret për të përshkruar një reagim afatshkurtër fiziologjik, gjatë të cilit personi ngadalësohet ose shkëputet emocionalisht, shpesh si pasojë e frikës, mbingarkesës ose nevojës për vetëmbrojtje.
Termi përshkruan kontrastin mes të qenit “i ngrirë” nga brenda dhe ndjenjës se duhet të vazhdosh të “funksionosh” nga jashtë. Një person mund të duket mirë, ndërkohë që emocionalisht ndihet i shkëputur dhe e ka të vështirë të kalojë ditën. Kjo gjendje mund të shfaqet kur reagimet e tjera të sistemit nervor, si “lufto” ose “ik”, nuk janë të mundshme ose nuk duken të pranueshme. Si rezultat, trupi dhe mendja hyjnë në një lloj “bllokimi” mbrojtës.
Ky nuk është një dështim moral apo një e metë e karakterit; është sistemi nervor që po përpiqet të përballojë situatën në mënyrën më të mirë të mundshme, shpjegon Nadeau.
Edhe pse disa shenja mund të ngjajnë me lodhjen kronike (burnout) ose depresionin, ato nuk janë e njëjta gjë. Burnout-i karakterizohet kryesisht nga rraskapitja, cinizmi dhe ulja e produktivitetit, ndërsa depresioni është një çrregullim i humorit që ndikon në mënyrën se si një person mendon, ndihet dhe sillet. Megjithatë, një gjendje e vazhdueshme e ngrirjes funksionale mund të shoqërohet edhe me depresion, veçanërisht kur simptomat zgjasin për javë ose muaj.
Psikologia klinike Supatra Tovar thekson se ngrirja funksionale shpesh nuk vihet re pikërisht sepse personi vazhdon të funksionojë. Ai mund të shkojë në punë, të përgatisë ushqimin e fëmijëve dhe të përgjigjet në email, madje të duket i qetë, ndërsa emocionalisht ndihet i shkëputur, ka vështirësi në marrjen e vendimeve ose jeton në një gjendje të vazhdueshme mbingarkese të lehtë.
Si shfaqet “ngrirja funksionale” te prindërit?
Ekspertët përmendin disa shenja që mund të jenë më të vështira për t’u dalluar.
Kujdesi për fëmijën pa lidhje emocionale
Prindi vazhdon të ushqejë, lajë dhe veshë fëmijën, por nuk ndien më lidhjen ose kënaqësinë që zakonisht shoqëron këto momente. Kjo mund të shoqërohet me faj, turp dhe ndjenjën se nuk di si ta ndryshojë situatën.
Tërheqje sociale dhe emocionale.
Aktivitetet familjare dhe shoqërore që dikur sillnin kënaqësi mund të duken tepër të lodhshme. Prindi mund të shmangë përqafimet para gjumit, vaktet e përbashkëta ose bisedat me fëmijët, sepse ato i duken emocionalisht të paarritshme. Mund të ketë gjithashtu vështirësi për të qarë ose për të shprehur emocionet.
Paralizë në veprim
Rrobat e palara grumbullohen, ushqimet e gatshme bëhen zgjedhja e përditshme dhe kujdesi për veten lihet pas dore. Prindi mund të harrojë takime, të humbasë ndjesinë e kohës ose të mbetet i bllokuar mes perfeksionizmit dhe pamundësisë për të vepruar.
Mungesë spontaniteti
Rutina mund të bëhet aq e ngurtë sa një ndryshim i papritur në orar të shkaktojë stres të madh. Prindi mund të dëshirojë të luajë me fëmijën, t’i lexojë një libër apo të bëjë diçka argëtuese, por thjesht nuk arrin ta bëjë.
Mbingarkesë nga vendimmarrja
Edhe vendimet e vogla të përditshme, si çfarë të hajë fëmija, sa kohë të përdorë ekranin apo kur të flejë, mund të duken rraskapitëse. Prindi mund të thotë “po” për gjithçka vetëm sepse nuk ka më energji për të marrë vendime.
Shmangie
Bisedat e vështira dhe konfliktet mund të duken të pamundura. Disa prindër mund të largohen gjatë një shpërthimi emocional të fëmijës pa reaguar, ndërsa më vonë mund të përjetojnë të qara të papritura ose edhe një sulm paniku.
Shkëputje nga gëzimi
Dita mund të kthehet në një përpjekje për ta “çuar deri në fund”. Edhe pas pushimit të mjaftueshëm, prindi mund ta nisë mëngjesin me ndjenjën: “Thjesht duhet ta kaloj edhe këtë ditë.”
Pse prindërit mund të jenë veçanërisht të prirur ndaj kësaj gjendjeje?
Prindërit përballen me stresorë të vazhdueshëm: mungesë autonomie, shumë përgjegjësi dhe presion për të qenë njëkohësisht të pranishëm emocionalisht, fizikisht, financiarisht dhe shoqërisht. Sipas Tovar, këto kërkesa të njëpasnjëshme mund të çojnë në mbingarkesë kronike të sistemit nervor. Trupi mund të kalojë në një gjendje “ngrirjeje” për të kursyer energji dhe për t’u mbrojtur nga mbingarkesa.
Një kontroll i shpejtë për prindërit
Pyeteni veten:
- A i shmang detyrat jo sepse jam shumë i zënë, por sepse ndihem i paralizuar?
- Kur kam kohë të lirë, a e kam të vështirë të çlodhem ose të ndiej diçka?
- A ndihem emocionalisht i mpirë edhe kur jam pranë njerëzve që dua?
- A po i kryej detyrat si prind, por ndihem sikur jam në “autopilot”?
- A e kam më të lehtë të them “po” për gjithçka sesa të vendos kufij?
- A kam ndaluar së bëri gjërat që dikur më sillnin gëzim ose afërsi?
Nëse i përgjigjeni “po” disa prej këtyre pyetjeve, kjo nuk është një diagnozë, por mund të jetë një arsye për të reflektuar dhe për të kërkuar mbështetje nëse gjendja vazhdon.
Si mund të ndikojë te fëmijët?
Të gjithë prindërit kanë ditë të vështira. Por një gjendje kronike shkëputjeje emocionale mund të ndikojë gradualisht në mënyrën se si funksionon familja. Fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj disponueshmërisë emocionale të prindërve. Edhe kur prindi është fizikisht pranë tyre, fëmija mund ta perceptojë mungesën e lidhjes emocionale, gjë që mund të krijojë pasiguri ose konfuzion.
Nëse kjo vazhdon, fëmija mund të fillojë të mos ndajë më me prindin gëzimet dhe arritjet e tij ose, në disa raste, të marrë përsipër një përgjegjësi emocionale për t’u kujdesur për prindin.
Si të fillojmë të dalim nga “ngrirja”?
Ekspertët sugjerojnë hapa të vegjël dhe të qëndrueshëm:
- Tregoni më shumë dhembshuri ndaj vetes. Kuptoni se kjo gjendje mund të jetë një reagim mbrojtës i trurit dhe trupit.
- Rilidhuni me trupin. Kushtojini vëmendje frymëmarrjes, këmbëve mbi tokë, lëvizjeve dhe shqisave.
- Shmangni shumë detyra njëkohësisht. Përqendrohuni në një aktivitet të vetëm.
- Krijoni rutina mbështetëse, por jo aq të ngurta sa të mos lejojnë fleksibilitet.
- Kujdesuni për ushqimin, pushimin dhe ajrin e pastër.
- Riktheni momente të vogla gëzimi përmes lojës, krijimtarisë ose pushimit.
- Shkruani në ditar për të identifikuar modelet dhe situatat kur ndiheni të shkëputur.
- Krijoni momente të shkurtra lidhjeje me fëmijën, edhe vetëm pesë minuta pa telefon dhe pa ndonjë qëllim tjetër.
- Mbani pranë marrëdhëniet mbështetëse me njerëz të besuar.
Artikull nga: Ashleigh N.DeLuca
Përkthim: Prinderimi.com
