Vetëreflektimi është praktika e ndalimit për të shqyrtuar mendimet, ndjenjat, veprimet dhe përvojat tuaja. Ai ju ndihmon të kuptoni më mirë veten dhe zgjedhjet që bëni, duke ju dhënë qartësi mbi atë që funksionon mirë në jetën tuaj dhe atë që mund të ketë nevojë për ndryshim ose përmirësim.
Vetëreflektimi ju ndihmon të kuptoni se çfarë ka vërtet rëndësi për ju, duke ju mundësuar të përdorni kohën dhe energjinë në mënyrë më të mençur.
Shembull: Duke reflektuar mbi kohën që kaloni si familje, mund të kuptoni se momentet më të lumtura janë gjatë vakteve të përbashkëta ose shëtitjeve në fundjavë. Kjo mund t’ju motivojë t’u jepni më shumë përparësi këtyre çasteve.
Mirëqenie më e mirë emocionale
Kur i përpunoni emocionet tuaja përmes vetëreflektimit, zvogëloni stresin dhe forconi aftësinë për t’u përballur me sfidat.
Shembull: Një reflektim i shkurtër mund t’ju ndihmojë të dalloni frustrimet e fshehura dhe t’i menaxhoni ato në mënyrë konstruktive, përpara se të ndikojnë në marrëdhëniet me fëmijët ose partnerin.
Marrëdhënie më të forta
Reflektimi mbi marrëdhëniet me bashkëshortin, fëmijët apo miqtë ju ndihmon të ndërtoni lidhje më të thella dhe më domethënëse.
Shembull: Duke menduar për ditën e fëmijës suaj, mund të vini re se ai ka nevojë për më shumë mbështetje, inkurajim ose kohë cilësore me ju.
Vendime më të mira në prindërim
Vetëreflektimi ju ndihmon të veproni me më shumë vetëdije, duke i përshtatur zgjedhjet tuaja me vlerat dhe synimet afatgjata që keni për familjen.
Shembull: Duke reflektuar mbi një konflikt me fëmijën, mund të kuptoni se ishte një mundësi për të modeluar durimin, mirëkuptimin dhe respektin.
Si të filloni të praktikoni vetëreflektimin
Vetëreflektimi nuk ka nevojë të jetë i ndërlikuar ose të marrë shumë kohë. Mjaftojnë disa hapa të thjeshtë për ta bërë pjesë të përditshmërisë suaj.
1. Gjeni pak kohë për veten
Çfarë të bëni: Kushtojini vetëm 5–10 minuta në ditë ose disa minuta në javë vetëreflektimit. Për shumë prindër, mëngjeset e qeta ose mbrëmjet janë momentet më të përshtatshme.
Pse funksionon: Vazhdimësia krijon zakon. Është më e lehtë të mbani një rutinë të shkurtër sesa seanca të gjata dhe të rralla.
2. Përdorni pyetje udhëzuese
Çfarë të bëni: Filloni me pyetje të thjeshta si:
- Çfarë më solli gëzim sot?
- Si e përballova një sfidë këtë javë?
- Për çfarë jam mirënjohës në jetën time familjare?
Pse funksionon: Këto pyetje ju ndihmojnë të përqendroheni dhe e bëjnë reflektimin më të lehtë.
3. Mbani një ditar
Çfarë të bëni: Shkruani mendimet tuaja në një fletore ose në një aplikacion. Mos u shqetësoni për drejtshkrimin apo mënyrën e shkrimit; rëndësi ka të shprehni atë që ndieni.
Pse funksionon: Ditari ju lejon të shihni përparimin tuaj me kalimin e kohës dhe të mësoni nga përvojat e kaluara.
4. Praktikoni ndërgjegjësimin (mindfulness)
Çfarë të bëni: Uluni për disa minuta në qetësi dhe vëzhgoni mendimet tuaja pa i gjykuar ato.
Pse funksionon: Kjo rrit vetëdijen për momentin e tanishëm dhe ju ndihmon ta shihni veten me më shumë mirëkuptim.
5. Reflektoni së bashku me partnerin ose një mik
Çfarë të bëni: Ndani mendimet dhe përvojat tuaja me dikë që i besoni.
Pse funksionon: Bisedat mund t’ju ndihmojnë të shihni situatat nga këndvështrime të reja dhe të nxirrni mësime të vlefshme.
6. Përqendrohuni te mirënjohja
Çfarë të bëni: Në fund të çdo reflektimi, shkruani ose mendoni për tri gjëra për të cilat ndiheni mirënjohës.
Pse funksionon: Mirënjohja ju ndihmon të përqendroheni tek anët pozitive të jetës dhe rrit qëndrueshmërinë emocionale.
Si ta ktheni vetëreflektimin në zakon
Vendosni përkujtues: Përdorni kalendarin, alarmin ose shënime ngjitëse për t’ju kujtuar kohën e reflektimit.
Filloni me hapa të vegjël: Edhe një ose dy minuta në ditë janë të mjaftueshme për të krijuar zakonin.
Vlerësoni përparimin tuaj: Kur vini re se po reagoni me më shumë durim ose po merrni vendime më të qarta, pranoni këto ndryshime si rezultat të vetëreflektimit.
Vetëreflektimi në praktikë
Imagjinoni këtë situatë: Në fund të një dite të ngarkuar, uleni me një filxhan çaj dhe pyesni veten: “Çfarë shkoi mirë sot?”
Ju kujtohet se sa shumë ju gëzoi e qeshura e fëmijës gjatë darkës. Ndiheni mirënjohës për atë moment dhe vendosni të krijoni më shumë mundësi për lojë dhe kohë cilësore nesër. Vetëm pesë minuta reflektim mjaftojnë për ta zhvendosur vëmendjen nga stresi i ditës drejt momenteve të bukura dhe për ta forcuar marrëdhënien me fëmijën.
Vetëreflektimi është shumë më tepër sesa një mënyrë për t’u kujdesur për veten. Ai është një rrugë drejt rritjes personale dhe prindërimit më të vetëdijshëm. Duke kuptuar më mirë botën tuaj të brendshme, do të jeni më të përgatitur të ofroni dashuri, durim, mirëkuptim dhe mbështetje për familjen tuaj. Filloni me një hap të vogël sot – vetja juaj e së ardhmes dhe fëmijët tuaj do t’ju jenë mirënjohës.
Artikull nga: Joe Van Deuren
Përkthim: Prindërimi
