Librat për fëmijë shpesh përmbajnë mësime të vlefshme që mund t’i ndihmojnë fëmijët e vegjël të fillojnë të mendojnë si matematikanë.
Shumë nxënës dhe mësues e shohin matematikën si një lëndë që lidhet kryesisht me numrat dhe llogaritjet, në vend që ta shohin si një fushë që përfiton edhe nga diskutimi dhe interpretimi. Bazuar në përvojën tonë si pedagoge të letërsisë për fëmijë dhe të matematikës, kemi vërejtur se vendosja e problemeve matematikore në një kontekst përmes letërsisë e mbështet të nxënit e nxënësve. Librat për fëmijë mund të përdoren për të ndërthurur matematikën me shkrim-leximin dhe për t’u dhënë problemeve matematikore një kontekst kuptimplotë.
Për shembull, librat When Sophie Thinks She Can’t, një tregim për një vajzë të vogël që zbulon rëndësinë e përpjekjes dhe përballjes me vështirësitë, dhe Blue, një tregim për historinë e ngjyrës blu, janë shembuj të mirë të librave që ndërthurin të menduarit matematikor me tregimin.
PËRDORIMI I LETËRSISË PËR TË MBËSHTETUR TË MENDUARIT MATEMATIKOR
1. Zgjedhja e librave që mbështesin të menduarit matematikor
Fillimisht, gjeni libra që përmbajnë një problem matematikor me vlerë për diskutim ose një histori që mund të lidhet me një problem matematikor të përfshirë në programin mësimor. Konteksti është një nga pjesët më të rëndësishme gjatë përzgjedhjes së një libri. Nëse problemi nuk është mjaftueshëm sfidues ose i arritshëm për nxënësit, mendoni mënyra për ta përshtatur atë.
Ne mbështesim problemet me prag të ulët dhe tavan të lartë, të cilat u mundësojnë të gjithë nxënësve të përfshihen duke përdorur njohuritë që tashmë kanë, ndërsa njëkohësisht u japin mundësi të zgjerojnë njohuritë dhe të përballen me sfida më të mëdha.
When Sophie Thinks She Can’t, nga Molly Bang, paraqet një detyrë matematikore me vlerë: Sophie dhe miqtë e saj duhet të krijojnë sa më shumë drejtkëndësha të ndryshëm me 12 pllaka. Meqë ajo nuk arrin ta gjejë zgjidhjen, mësuesja i thotë se ende nuk ka arritur ta zgjidhë. Kjo e inkurajon të vazhdojë të përpiqet. Libri është një shembull i mirë i një problemi matematikor që kuptohet lehtë përmes historisë dhe që nxit idenë se një aftësi mund të zhvillohet me përpjekje dhe këmbëngulje.
Në shumë libra, problemi matematikor nuk është aq i dukshëm. Si mësues, mund të mos mendoni se shumica e librave kanë ndonjë element matematikor brenda tyre, por një vëzhgim më i kujdesshëm mund të tregojë se shumë prej tyre mund të lidhen me mësimin e matematikës.
Për shembull, Blue, shkruar nga Nana Ekua Brew-Hammond dhe ilustruar nga Daniel Minter, mund të lidhet me studimin e modeleve dhe formave në dizajnet tekstile. Duke përdorur letra me nuanca të ndryshme të blusë, nxënësve mund t’u kërkohet të krijojnë modele duke i palosur letrat dhe më pas t’i studiojnë matematikisht modelet që kanë krijuar. Studimi i marrëdhënies mes numrit të palosjeve dhe ndarjeve në formën përfundimtare mund ta bëjë detyrën edhe më sfiduese.
2. Shqyrtimi kritik i letërsisë
Mësuesit duhet të kalojnë kohë duke e shqyrtuar me kujdes tekstin. Siç këshillojnë Maria José Botelho dhe Masha Kabakow Rudman, mësuesit duhet të lexojnë përtej fjalëve të tekstit dhe të krijojnë lidhje mes përmbajtjes lokale, shoqërore e politike, personale dhe matematikore.
Mësuesit mund të bëjnë pyetje si:
1. Historia e kujt është kjo?
2. Si mund të lidhet ajo me përvojat matematikore të nxënësve?
3. Nga cili këndvështrim tregohet historia?
4. Cilat koncepte matematikore i japin formë kësaj historie?
5. Si paraqiten detyrat dhe kuptimet matematikore?
Dy pyetjet e para i ndihmojnë nxënësit të lidhen me çështjet, temat dhe pyetjet që mund të kenë rreth historisë. Dy të fundit i ndihmojnë ata të fillojnë të mendojnë si matematikanë.
Për shembull, Blue tregohet nga një këndvështrim historik dhe prek edhe çështje të pabarazisë shoqërore gjatë periudhave të ndryshme. Duke e shqyrtuar librin me kujdes, mësuesit mund të identifikojnë modelet në ilustrime dhe t’u kërkojnë nxënësve të krijojnë modelet e tyre matematikore.
Ky libër me ilustrime ofron gjithashtu shumë njohuri historike rreth njerëzve që kultivuan materialet për prodhimin e ngjyrës blu dhe njerëzve që kishin mundësi të përdornin tekstilet e ngjyrosura me të. Përmes pyetjeve të mësipërme, nxënësit mund të fillojnë të shohin matematikën në gjërat e përditshme dhe të zhvillojnë një mënyrë më matematikore të të menduarit.
3. Hartimi i një ore mësimore që ndërthur letërsinë dhe matematikën
Është e dobishme të mendohen paraprakisht pyetje nga të dyja fushat, të cilat mund të ndihmojnë në zgjerimin dhe orientimin e të menduarit të nxënësve. Në një punë të mëparshme, ne kemi zhvilluar një orë të plotë mësimore me pyetje specifike për përmbajtjen. Kërkimi që nxënësit të analizojnë ose interpretojnë punën matematikore të shokëve të tyre dhe të krijojnë lidhje me tekstin mund ta zgjerojë më tej të menduarit e tyre.
Pasi të krijojnë grupet e tyre të drejtkëndëshave me 12 pllaka, nxënësit mund t’i krahasojnë ato me drejtkëndëshat e krijuar nga shokët e tyre ose nga Sophie dhe miqtë e saj. Kjo mund të çojë në një diskutim rreth mënyrës se sa të ngjashme ose të ndryshme janë të gjitha këto drejtkëndësha. Në këtë mënyrë, një histori mund të bëhet pikënisje për pyetje, diskutim, arsyetim dhe zgjidhje problemesh matematikore.
Artikull nga Kathleen Crawford-McKinney dhe Asli Özgün-Koca
Përkthim: Prinderimi.com
