Çdo prind shpreson që fëmija i tij, kur të rritet, të vazhdojë të dëshirojë një marrëdhënie të afërt me të. Por lidhjet e forta nuk krijohen rastësisht – ato ndërtohen përmes ndërveprimeve të vogla të përditshme, që e bëjnë fëmijën të ndihet i sigurt, i dëgjuar dhe i vlerësuar.
Si studiuese dhe trajnere e prindërimit të vetëdijshëm, kam studiuar më shumë se 200 familje. Kam vërejtur se mënyra se si u përgjigjeni fëmijëve tuaj që nga dita kur lindin ndikon në forcën e marrëdhënies që do të keni me ta kur të rriten. Nëse dëshironi që fëmijët tuaj t’ju besojnë, t’ju respektojnë dhe të duan të jenë pranë jush edhe kur të rriten, filloni t’i praktikoni këto shtatë gjëra që herët.
1. Bëjuani të ditur se ndjenjat e tyre kanë rëndësi
Fëmijët kanë nevojë të ndihen të sigurt dhe të lirë për të shprehur ndjenjat e tyre. Por kur dëgjojnë vazhdimisht shprehje si “je mirë” ose “nuk është ndonjë gjë e madhe”, mund të fillojnë të besojnë se ndjenjat e tyre nuk janë të rëndësishme dhe, me kalimin e kohës, të mos i ndajnë më ato.
Në vend që t’i minimizoni emocionet, pranojini ato. Për t’i ndihmuar të ndihen të dëgjuar, mund të thoni: “Kjo duket se të ka mërzitur” ose “Po shoh që je i/e shqetësuar”. Siguria emocionale nuk ka të bëjë gjithmonë me zgjidhjen e problemit – por me sigurimin që fëmija të ndihet i kuptuar.
2. Zgjidhni lidhjen para kontrollit
Prindërimi i bazuar në frikë, ndëshkim ose korrigjim të vazhdueshëm krijon distancë. Fëmijët mund të mësojnë të fshehin pjesë të vetes për të shmangur zhgënjimin e prindërve.
Prindërit që ruajnë një marrëdhënie të afërt me fëmijët e tyre nuk e vendosin bindjen si qëllimin kryesor. Ata i japin përparësi ndërtimit të besimit. Momente të thjeshta – të qeshurit së bashku, dëgjimi pa gjykim dhe empatia – i ndihmojnë fëmijët të ndihen të sigurt.
Kur fëmijët ndihen emocionalisht të sigurt, ata vazhdojnë ta kërkojnë mbështetjen e prindërve edhe në moshën e rritur.
3. Jepuni një zë në jetën e tyre
Kur prindërit marrin çdo vendim për fëmijët, ata mund të fillojnë të mendojnë: “Veprimet e mia nuk kanë rëndësi gjithsesi, atëherë pse të kem një mendim?” Në vend që të vendosni gjithçka për ta, pyetini: “Çfarë mendon ti?” ose “Çfarë të duket më e përshtatshme?” Lërini të marrin vendime të vogla, të përshtatshme për moshën, si për shembull të zgjedhin rrobat, aktivitetet që u pëlqejnë ose çfarë duan të hanë.
4. Pranoni gabimet tuaja
Prindërit presin respekt nga fëmijët, por jo gjithmonë ua tregojnë atyre se si duket respekti në praktikë.
Të kërkosh falje u mëson fëmijëve se respekti funksionon në të dyja drejtimet. Të thuash: “Më herët reagova në mënyrë të tepruar dhe më vjen keq” u tregon se marrëdhëniet nuk duhet të bazohen te pushteti, por te mirëkuptimi i ndërsjellë.
Fëmijët që rriten në familje ku përgjegjësia për gabimet është pjesë e natyrshme e marrëdhënieve, nuk kanë aq frikë nga gabimet. Në vend që t’i fshehin vështirësitë e tyre, ata mësojnë se mund t’u drejtohen prindërve pa turp.
5. Bëjeni kohën cilësore së bashku një zakon të përditshëm
Një marrëdhënie e fortë nuk ndërtohet përmes një bisede të madhe – ajo krijohet përmes momenteve të vogla dhe të vazhdueshme. Ajo që forcon lidhjen nuk është vetëm koha që kaloni së bashku, por edhe sa shpesh fëmija ndihet se ka rëndësi për ju. Ndarja e një vakti, leximi para gjumit ose thjesht pyetja se si i ka shkuar dita mund ta forcojë lidhjen.
Fëmijët që ndihen të vlerësuar përmes këtyre gjesteve të vogla kanë më shumë gjasa të ruajnë afërsinë me prindërit edhe më vonë në jetë.
6. Lërini të jenë vetvetja, pa gjykim
Kur një fëmijë ndihet vazhdimisht i krahasuar ose i gjykuar, mund të fillojë ta fshehë veten për t’u përshtatur. Me kalimin e kohës, ai mund të mësojë të mos i shprehë mendimet, interesat dhe vështirësitë e tij të vërteta.
T’i ndihmosh fëmijët ta pranojnë veten fillon nga mënyra se si u përgjigjeni. Në vend që të përqendroheni te mangësitë, vlerësoni veçantinë e tyre. Mbështetja e interesave të tyre, edhe kur ato nuk përputhen plotësisht me pritshmëritë tuaja, u tregon se i doni dhe i pranoni ashtu siç janë.
Kur fëmijët rriten duke u ndier të pranuar, nuk do të ndihen të detyruar të zgjedhin mes të qenit vetvetja dhe ruajtjes së afërsisë me ju.
7. Mbroni marrëdhënien më shumë sesa nevojën për të pasur të drejtë
Do të ketë momente kur ju dhe fëmija juaj nuk do të mendoni njësoj. Nëse përpiqeni gjithmonë të “keni të drejtë”, duke e vendosur këtë mbi lidhjen me fëmijën, ai mund të mësojë se miratimi juaj është i kushtëzuar. Mund të bindet gjatë fëmijërisë, por të largohet emocionalisht në moshën e rritur.
Në vend që të përpiqeni të provoni se keni të drejtë, përqendrohuni te mirëkuptimi. Nëse fëmija nuk pajtohet me ju, rezistojini dëshirës për ta mbyllur bisedën. Përgjigjuni me kureshtje: “Më trego më shumë pse ndihesh kështu.”
Kur fëmijët e dinë se mund të shprehen lirshëm dhe, megjithatë, të jenë të dashur e të respektuar, ata rriten në të rritur që i besojnë marrëdhënies, në vend që t’i frikësohen asaj.
Artikull nga: Reem Raouda
Përkthim: Prinderimi.com
