Çdo prind e di se disa biseda janë më të vështira se të tjerat. Qoftë fjala për miqësitë, ndjenjat, vështirësitë në shkollë apo sigurinë, gjetja e momentit të duhur dhe e fjalëve të duhura mund të duket e ndërlikuar. Por e vërteta është se këto momente kanë më shumë rëndësi nga sa e kuptojmë.
Në Boys Town, ne besojmë se bisedat kuptimplota nuk fillojnë vetëm kur diçka shkon keq. Ato fillojnë shumë më herët, përmes momenteve të përditshme në të cilat ndërtohet besimi dhe forcohet lidhja mes prindit dhe fëmijës. Kur fëmijët ndihen të sigurt, të vënë re dhe të dëgjuar, ka më shumë gjasa t’ju drejtohen kur përballen me vështirësi.
Ja si mund të krijoni një hapësirë ku bisedat e rëndësishme të ndodhin natyrshëm dhe shpesh.
Krijoni një atmosferë rehatie dhe afërsie
Para se të hyni në një temë serioze, është e dobishme ta nisni bisedën gradualisht. Mund të filloni me një ritual të vogël dhe të këndshëm: një histori qesharake nga dita, një ushqim të cilin e ndani së bashku ose duke festuar një arritje të vogël. Këto momente i tregojnë fëmijës se jeni aty, se jeni pozitivë dhe se jeni të hapur për ta dëgjuar.
Disa nga bisedat më të mira nuk ndodhin domosdoshmërisht përballë njëri-tjetrit në tryezën e kuzhinës. Përkundrazi, ato mund të zhvillohen në momente më të qeta, si:
- gjatë udhëtimeve me makinë, ku mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë me sy mund t’i ndihmojë adoleshentët të hapen më lehtë;
- para gjumit, kur fëmijët janë të lodhur dhe mund të jenë më të gatshëm të shprehin emocionet;
- gjatë shëtitjes ose kryerjes së punëve së bashku, gjë që mund ta ulë presionin e bisedës;
- gjatë një daljeje vetëm me fëmijën, si për të ngrënë akullore ose për të luajtur basketboll.
Mjedisi ka më pak rëndësi sesa prania juaj. Lëreni telefonin mënjanë, fikeni televizorin dhe bëjani të qartë fëmijës se po e dëgjoni vërtet.
Niseni me kureshtje, jo me një skenar të përgatitur
Nuk keni nevojë të gjeni fjalët perfekte. Një vëzhgim i butë ose një pyetje e menduar mirë shpesh mjafton për të hapur derën drejt një bisede të sinqertë.
Filloni me pyetje të hapura që e ftojnë fëmijën të reflektojë dhe të bisedojë:
- “Cila ishte pjesa më e bukur dhe më e vështirë e ditës?”
- “Ke pasur shumë gjëra për të përballuar. Si po ndihesh për të gjitha këto?”
- “Kur isha në moshën tënde, edhe unë kam pasur vështirësi me ___. Si është kjo për ty?”
Shmangni pyetjet me përgjigje të mbyllura, si “A kalove mirë sot?”, dhe mos bëni shumë pyetje njëra pas tjetrës, sepse kjo mund ta bëjë fëmijën të ndihet sikur po merret në pyetje. Qëndroni të qetë, kureshtarë dhe pa gjykime.
Mund të përdorni edhe një fjali të thjeshtë si: “Jam shumë i/e lumtur që ma bëre këtë pyetje.” Një shprehje e tillë i tregon fëmijës se mund të vijë tek ju për çdo gjë, edhe për temat që mund të duken të sikletshme, dhe se do ta prisni me mirëkuptim dhe kujdes.
Një tjetër pyetje e dobishme është: “Çfarë ke dëgjuar për këtë?” Kjo ju jep një pikënisje për bisedën dhe tregon respekt për atë që fëmija tashmë di ose mendon se di.
Bëhuni një prind me të cilin fëmija mund të flasë për çdo gjë
Herët a vonë, fëmija juaj do të kërkojë përgjigje për pyetjet që ka. Nëse nuk i kërkon tek ju, mund t’i kërkojë diku tjetër. Prandaj është kaq e rëndësishme të jeni një prind me të cilin fëmija ndihet rehat të flasë.
Të jesh një prind “i pyetshëm” do të thotë të krijosh një hapësirë pa gjykime. Kur fëmija bën një pyetje të vështirë ose të papritur, shmangni reagimet përmes talljes, ndëshkimit ose habisë së tepruar. Edhe nëse pyetja ju zë në befasi, përpiquni të qëndroni të qetë dhe të hapur.
Gjithashtu, nuk është problem nëse nuk i dini të gjitha përgjigjet. Të thoni: “Nuk e di, por jam shumë i/e lumtur që më pyete” tregon përulësi dhe ndërton besim. Sinqeriteti juaj ju bën më të afërt me fëmijën dhe, mbi të gjitha, më të besueshëm.
Nëse një temë duket shumë e madhe ose nuk jeni të sigurt se çfarë të thoni, kërkoni ndihmë nga të tjerët. Gjyshërit, hallat, tezet, xhaxhallarët, dajallarët ose miqtë e besuar të familjes ndonjëherë mund të ofrojnë fjalët ose këndvështrimin e duhur.
Lëreni bisedën të rrjedhë
Kur zhvilloni një bisedë kuptimplote, mbajeni të thjeshtë dhe ndiqni ritmin e fëmijës. Mos u përpiqni t’i shpjegoni shumë gjëra menjëherë. Jepini kohë për ta përpunuar atë që ka dëgjuar dhe më pas pyeteni:
- “A ka kuptim ajo që të thashë?”
- “A dëshiron të flasim më shumë për këtë më vonë?”
- “A ke ndonjë pyetje për atë që të thashë?”
Është gjithashtu në rregull t’i riktheheni bisedës më vonë. Disa nga bisedat më të mira zhvillohen gradualisht dhe në disa etapa.
Po nëse shfaqen emocionet? Edhe kjo është në rregull. Lërini fëmijët t’ju shohin duke përjetuar emocione, për sa kohë që shohin gjithashtu se ju arrini të qëndroni të qetë dhe të qëndrueshëm. Kjo u mëson atyre se emocionet janë normale dhe se mund të menaxhohen.
Nuk është e nevojshme ta bëni gjithçka siç duhet çdo herë. Fakti që jeni aty me qëllim dhe empati ka më shumë rëndësi sesa të gjeni gjithmonë fjalët perfekte. Sa më shumë të praktikoheni, aq më e lehtë bëhet. Dhe çdo bisedë e vogël e përditshme ndërton një urë besimi, nëpër të cilën fëmija juaj mund të kalojë kur të ketë më shumë nevojë për ju.
Artikull nga Parenting.org
Përkthim: Prinderimi.com
