Mbingarkesa nga stimulimi është e zakonshme te fëmijët e vegjël. Ekspertët shpjegojnë si t’i ndihmojmë fëmijët që përballen me mbingarkesë shqisore dhe si ta parandalojmë atë.
Nuk është sekret që fëmijët e vegjël përjetojnë emocione të mëdha, dhe shpërthimet emocionale nuk janë të pazakonta, edhe kur vetëm pak çaste më parë gjithçka dukej në rregull. Ka shumë faktorë që mund të ndikojnë në shpërthimet emocionale ose sjelljet e forta te fëmijët, por një prej tyre është stimulimi i tepërt.
Mbingarkesa shqisore mund ta lodhë shumë fëmijën dhe ta çojë atë drejt një pike ku nuk mund ta përballojë më situatën. Edhe pse një shpërthim mund të duket i papritur, zakonisht ka disa shenja që tregojnë se mbingarkesa po afrohet. Ekspertët shpjegojnë se si ta dallojmë kur fëmija është i mbingarkuar, si ta ndihmojmë të ndihet më mirë dhe çfarë mund të bëjmë për të parandaluar shpërthimet e ardhshme.
Çfarë është stimulimi i tepërt?
Stimulimi i tepërt është reagimi i trupit ndaj një sasie të madhe aktivitetesh ose stimujsh. Të gjithë ne ndërveprojmë vazhdimisht me stimujt e mjedisit, por secili person ka kapacitete dhe kufizime të ndryshme. Ajo që një person e përjeton si “shumë” mund të jetë krejtësisht e përballueshme për një tjetër.
Foshnjat e vogla mund të mbingarkohen më lehtë nga stimulimi sesa fëmijët më të rritur, ndërsa disa fëmijë mund të kenë një prag më të ulët stimulimi në çdo moshë. Çdo fëmijë mund të përjetojë stimulim të tepërt, por disa fëmijë me autizëm, ankth ose diagnoza të tjera mund të jenë më të prirur ndaj tij.
Shpesh, disa faktorë ndikojnë njëkohësisht. Një fëmijë mund të përballojë një park të mbushur me njerëz në një pasdite vere, por në një ditë tjetër mund të mbingarkohet nga të njëjtët stimuj nëse është i stresuar, nuk ka fjetur mirë ose nuk ka ngrënë mëngjes.
Pra, aftësia për të përballuar stimujt e jashtëm mund të ndryshojë në varësi të shumë faktorëve.
Pse ndodh mbingarkesa nga stimulimi?
Mbingarkesa mund të ndodhë kur niveli i stimujve shqisorë tejkalon kapacitetin që fëmija ka në atë moment për t’i përpunuar. Çdo fëmijë ka kufirin e vet të stimulimit dhe ky kufi mund të ndryshojë nga dita në ditë. Pragu mund të jetë më i lartë kur fëmija është i pushuar dhe ka ngrënë mirë, ndërsa mund të jetë më i ulët kur ka nevojë për gjumë ose nuk ka ngrënë për një kohë të gjatë.
Çdo lloj stimulimi shqisor — pamor, dëgjimor, prekës apo tjetër — mund të bëhet i tepërt për një fëmijë. Ndonjëherë mbingarkesa shkaktohet nga kombinimi i disa llojeve të stimujve.Ajo mund të ndodhë edhe në situata të zakonshme në shtëpi, për shembull nga zëri i lartë i televizorit dhe muzika, por edhe në situata të veçanta, si turmat e njerëzve në një festë ose në aktivitete jashtë shtëpisë.
Personat neurodivergjentë, përfshirë fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit (ASD), çrregullim të hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes (ADHD), ose aftësi të kufizuara intelektuale dhe zhvillimore, mund të kenë një prag më të ulët ndaj stimulimit.
Për shembull, etiketa e një bluze, ndriçimi fluoreshent, zhurma e pajisjeve elektronike ose tekstura të caktuara të ushqimeve mund të jenë stimuj që shkaktojnë mbingarkesë te disa fëmijë autikë. Këta fëmijë mund t’i përjetojnë stimujt në mënyra të ndryshme dhe mund të jenë më të ndjeshëm ndaj përvojave shqisore.
Shenjat se fëmija është i mbingarkuar
Shenjat e stimulimit të tepërt ndryshojnë sipas moshës dhe temperamentit.
Foshnjat mund të reagojnë duke:
- qarë;
- lëvizur ose përplasur gjymtyrët;
- shtrënguar grushtet;
- kthyer kokën larg burimit të stimulit.
Fëmijët e vegjël mund:
- të qajnë;
- të duken nervozë ose të irrituar;
- të shtrihen apo të bien në dysheme.
Fëmijët e moshës shkollore mund:
- të duken nervozë, tepër të lodhur ose të irrituar;
- të shfaqin sjellje të pakontrolluara ose agresive;
- të kenë sjellje të ngjashme me një shpërthim emocional.
Fëmijët që kanë vështirësi në përpunimin e stimujve të mjedisit mund të përpiqen t’i shmangin, t’u largohen ose t’i minimizojnë ato. Mund të vini re se fëmija është i irrituar, i shqetësuar ose duket sikur është “i shkëputur” nga ajo që po ndodh.
Disa fëmijë mund të përdorin sjellje të përsëritura për t’u qetësuar, si lëkundja para-prapa, ecja sa andej-këndej ose gumëzhima.
Në disa raste, sjellja mund të përshkallëzohet dhe të bëhet më intensive, duke përfshirë të qarat, bërtitjet, hedhjen në dysheme apo edhe vetëlëndimin. Kur këto sjellje shkaktohen nga mbingarkesa shqisore, mund të konsiderohen si krizë e shkaktuar nga mbingarkesa (meltdown).
Një krizë e tillë mund të duket si një shpërthim i zakonshëm emocional, por nuk ndodh për të marrë diçka apo si reagim ndaj një “jo”-je. Ajo mund të jetë një reagim i pavullnetshëm kur grumbullimi i stimujve bëhet tepër i vështirë për t’u përballuar.
Si ta ndihmoni fëmijën e mbingarkuar?
Kur kuptoni se fëmija është i mbingarkuar, një nga gjërat më të mira që mund të bëni është ta largoni stimulin ose ta largoni fëmijën nga mjedisi. Përpiquni ta çoni në një hapësirë të qetë, me sa më pak stimulim. Nëse kjo nuk është e mundur, përpiquni të zvogëloni nivelin e stimulimit. Mund ta mbani fëmijën pranë vetes, t’ia mbuloni veshët ose të ulni ndriçimin.
Disa foshnja të vogla mund të qetësohen kur mbështillen në mënyrë të përshtatshme ose vendosen në një mbajtëse për bebe. Fëmijët e vegjël dhe parashkollorët mund të ndihmohen përmes një aktiviteti më të qetë, si leximi i një libri ose këndimi i një kënge të njohur.
Mos u përpiqni të arsyetoni me një fëmijë që është i mbingarkuar dhe mos prisni që ai thjesht “ta përballojë”. Në atë moment, ai ka nevojë për ndihmën tuaj. Mund ta ndihmoni fëmijën të zhvillojë aftësinë për vetërregullim duke i dhënë hapësirë për t’u qetësuar. Disa fëmijë mund të qetësohen vetë, ndërsa të tjerë kanë nevojë për ndihmën e prindit.
Shmangni turpërimin e fëmijës dhe mbani mend se mbingarkesa shqisore nuk është e qëllimshme dhe as një mënyrë për t’ju manipuluar.
Si ta parandaloni stimulimin e tepërt?
Mund ta ndihmoni fëmijën duke mësuar dhe parashikuar nevojat e tij. Vëzhgoni cilat përvoja shqisore nuk i përballon mirë dhe përpiquni ta kufizoni ekspozimin ndaj tyre kur është e mundur. Një planifikim i vogël paraprak mund të ndihmojë në zvogëlimin e mundësisë së mbingarkesës.
Për shembull, foshnjat dhe fëmijët e vegjël shpesh përfitojnë kur aktivitetet dhe daljet janë të shkurtra dhe përmbajnë pauza. Pas një aktiviteti me shumë zhurmë, si një vizitë në këndin e lojërave ose një festë, ata mund të kenë nevojë për një gjumë ose një periudhë qetësie.
Është gjithashtu e rëndësishme të kuptoni temperamentin unik të fëmijës suaj. Disa fëmijë kanë nevojë për më shumë pushime ose e tolerojnë më pak turmën. Nëse ky është rasti, shmangni sa të mundeni situatat që e mbingarkojnë dhe përpiquni të ulni nivelin e stimulimit kur shmangia nuk është e mundur.
Nëse e dini se fëmija është më i ndjeshëm ndaj zhurmave të forta, mund të merrni me vete kufje mbrojtëse në vende ku pritet të ketë shumë zhurmë. Është e rëndësishme t’ua komunikoni nevojat e fëmijës edhe personave të tjerë që kujdesen për të, si familjarët, kujdestarët ose mësuesit, në mënyrë që të gjithë të dinë strategjitë që e ndihmojnë më së shumti.
Kur duhet të kërkoni ndihmë profesionale?
Nëse mendoni se fëmija juaj është vazhdimisht i mbingarkuar dhe kjo po ndikon në jetën e përditshme, mund të kërkoni këshillën e një profesionisti shëndetësor. Gjithashtu, drejtojuni një profesionisti nëse jeni të shqetësuar për intensitetin e reagimeve të fëmijës. Nëse nuk jeni të sigurt, është gjithmonë e arsyeshme të kërkoni këshillë.
Pediatri mund t’ju ndihmojë të përcaktoni nëse sjellja e fëmijës është e përshtatshme për moshën e tij apo nëse ai ka një ndjeshmëri më të lartë ndaj stimujve.
Pediatri ose një profesionist tjetër shëndetësor mund t’ju këshillojë për mënyrat se si ta ndihmoni fëmijën të vetërregullohet ose mund të sugjerojë një vlerësim për çështje të tilla si ASD, ADHD, aftësi të kufizuara intelektuale dhe zhvillimore ose ankth.
Pavarësisht nëse fëmija merr apo jo një diagnozë, prindërit mund të kërkojnë ndihmë dhe këshilla për ta ndihmuar fëmijën të menaxhojë mbingarkesën shqisore.
Artikull nga Elisa Cinelli
Përkthim: Prinderimi.com
