Si prindër, një nga qëllimet tona kryesore në rritjen e fëmijëve është t’i mësojmë ata të jenë të pavarur. Megjithatë, nuk është gjithmonë e lehtë që fëmijët të bëhen më të aftë për t’u kujdesur për veten dhe më të përgjegjshëm, as për prindërit që t’u lënë më shumë hapësirë. Një pjesë e kësaj vështirësie lidhet me instinktin tonë prindëror për t’ua lehtësuar gjërat, për t’i shpëtuar nga gabimet dhe për t’i mbrojtur nga përvojat e vështira apo, madje, nga dështimi.
Megjithatë, fëmijët kanë nevojë të përballen me sfida për të zhvilluar aftësitë, këmbënguljen, qëndrueshmërinë dhe vetëbesimin e nevojshëm për të funksionuar në mënyrë të pavarur në botë kur të rriten. Të udhëheqësh një fëmijë drejt pavarësisë kërkon kohë, përpjekje dhe besim, por rezultatet ia vlejnë. Mbani mend: sa më shumë të bëni ju për ta, aq më pak mundësi kanë ata të bëjnë dhe të mësojnë vetë.
Kur mendoni për detyrat që mund t’ia mësoni fëmijës t’i kryejë vetë, ndaluni dhe pyesni veten: A mund ta bëjë këtë vetë? A po bëj tepër gjëra në vend të tij? Nëse po, mbani parasysh këtë thënie të Maria Montessori-t: “Mos e ndihmoni kurrë një fëmijë në një detyrë për të cilën ai mendon se mund t’ia dalë vetë.”
Ja disa mënyra të thjeshta që mund t’i praktikoni çdo ditë për ta ndihmuar fëmijën të bëhet më i pavarur.
Lejojini të bëjnë gabime
Në fillim mund të duket e kundërta e asaj që duhet bërë, por lejimi i fëmijëve të gabojnë u mëson atyre se si të përballen me jetën dhe të arrijnë sukses. Kur bëjnë një gabim, tregojuni se kjo është në rregull dhe ndihmojini të mendojnë se çfarë mund të bëjnë më mirë herën tjetër. Kur është e nevojshme, së bashku mund të gjeni mënyra për ta korrigjuar situatën. Gabimet duhet të mirëpriten si mundësi për të mësuar.
Ky ndryshim në mënyrën e të menduarit mund të zbatohet si në gabimet e vogla, për shembull kur fëmija vendos të mos marrë çadër edhe pse parashikohet shi, ashtu edhe në ato më të mëdha, si kur merr notë të dobët në një test sepse ka vendosur të fillojë të mësojë vetëm një natë më parë. Mund të jetë e vështirë t’i lejoni fëmijës të përjetojë parehatinë ose zhgënjimin që vjen si pasojë e zgjedhjeve të tij. Megjithatë, kjo e ndihmon të zhvillohet dhe mund të përmirësojë vetëvlerësimin, si dhe aftësinë për t’i përballuar vështirësitë.
Është e vështirë ta shohësh fëmijën duke u përpjekur dhe duke hasur pengesa. Por, nëse përqendroheni t’i mësoni se dështimi është një formë reagimi që na tregon çfarë duhet të përmirësojmë, ju e ndihmoni të zhvillojë një mendësi të orientuar drejt rritjes (growth mindset). Me këtë qasje, fëmija mund të mësojë t’i përballojë vështirësitë me më shumë besim dhe të marrë vendime më të informuara në të ardhmen.
Përfshijini në detyra të mirëfillta shtëpiake
Nxiteni fëmijën të marrë përsipër detyra të vogla, si mbledhja e lodrave pas lojës, ndihma në sistemimin e produkteve ushqimore ose rregullimi i dhomës së tij. Sigurohuni që detyrat t’i përshtaten moshës dhe aftësive të fëmijës dhe të jenë të dobishme për familjen. Fëmijët janë më të gatshëm të ndihmojnë kur e kuptojnë se kontributi i tyre ka vlerë të vërtetë në jetën familjare.
Detyrat nuk kanë nevojë të jenë të mëdha. Mjafton të kërkojnë pak planifikim dhe mendim paraprak. Për shembull, nëse rrobat e palara janë grumbulluar, pyeteni fëmijën se çfarë mendon se duhet bërë. Nxitni ta bartë një grumbull rrobash deri te lavatriçja dhe shihni nëse mund t’ju ndihmojë t’i vendosni brenda. Ndoshta dëshiron edhe ta shtypë butonin për ta ndezur lavatriçen. Shkëlqyeshëm! Të gjitha këto detyra të vogla janë pjesë e procesit të larjes së rrobave. Duke e përfshirë fëmijën, e ndihmoni të ndihet i aftë dhe i dobishëm, derisa gradualisht të jetë në gjendje t’i kryejë vetë këto punë.
Ofroni zgjedhje, por vendosni kufij
T’u ofrosh fëmijëve një nivel të arsyeshëm lirie dhe t’i lejosh të bëjnë zgjedhje është një mënyrë e mirë për t’i fuqizuar, për të ndërtuar besimin në aftësitë e tyre vendimmarrëse dhe për të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë. Kjo mund të nënkuptojë ta pyesni fëmijën nëse dëshiron të veshë një bluzë të kuqe apo blu, ose ta lejoni të kthehet nga shkolla së bashku me një shok. Kur fëmijët mund të bëjnë zgjedhjet e tyre, ata kanë më shumë mundësi të mësojnë të reagojnë në situata të ndryshme dhe të përjetojnë pasojat e natyrshme të vendimeve të tyre.
Mundësitë e shpeshta për të marrë vendime dhe për të mësuar nga gabimet janë një mënyrë për t’u treguar fëmijëve se preferencat, idetë, dëshirat dhe nevojat e tyre respektohen dhe vlerësohen. Sa më shumë të ushtrohen në marrjen e vendimeve, aq më të aftë bëhen.
Mbani parasysh se shumë alternativa mund t’i mbingarkojnë fëmijët. Në vend që t’i pyesni se çfarë duan të bëjnë gjatë ditës, pyetini nëse preferojnë të shkojnë në këndin e lojërave apo të bëjnë një shëtitje në natyrë. Ofroni dy ose tri alternativa që ju i konsideroni të përshtatshme, në mënyrë që të jeni të gatshëm ta mbështesni cilëndo prej tyre që zgjedhin. Kur u jepni liri të reja, sigurohuni gjithashtu të ofroni mbështetjen e nevojshme, si mbikëqyrje, rregulla ose zgjedhje të udhëhequra.
Gabimet do të ndodhin. Kjo mund të tregojë se fëmija ende nuk është gati për privilegjin e ri. Në këtë rast, duhet të ndërhyni për të garantuar sigurinë e tij ose për ta ndihmuar të veprojë me përgjegjësi. Humbja e përkohshme e atij privilegji mund të jetë një pasojë e natyrshme e veprimeve të tij. Prandaj, në vend që të përqendroheni vetëm te ajo që bëri gabim, ndihmojeni të zhvillojë aftësitë e nevojshme për ta provuar sërish atë liri në të ardhmen, kur të jetë gati.
Jepuni hapësirë
Fëmijët kanë nevojë për hapësirë që të mësojnë dhe të zhvillohen. Ata vështirë se do të bëhen më të pavarur nëse nuk u jepet kurrë mundësia të veprojnë vetë. Nxitni vetëmbështetjen duke u krijuar mundësi të shumta për të eksploruar pa i mbikëqyrur vazhdimisht. Nëse luajnë në një dhomë tjetër, lejojini të luajnë pa praninë tuaj të vazhdueshme ose, nëse duhet të kontrolloni se si po shkojnë gjërat, përpiquni ta bëni këtë pa ndërhyrë tepër. Nëse vëreni një konflikt mes fëmijës suaj dhe një motre, vëllai apo shoku, jepuni mundësi ta zgjidhin në mënyrë konstruktive përpara se të ndërhyni.
Lejojeni fëmijën të ecë pak përpara jush në trotuar, duke marrë parasysh trafikun dhe gatishmërinë e tij. Dërgojeni të marrë postën nëse kutia postare ndodhet në një distancë të sigurt. Mund t’i jepni mundësinë të hyjë në një kafene, të porosisë dhe të paguajë për drekën, ndërsa ju e vëzhgoni nga një vend i sigurt.
Përpiquni të gjeni të paktën një mundësi çdo ditë që fëmija të arrijë të bëjë diçka vetë, pa ju pranë gjatë gjithë kohës. Kjo mund të jetë varja e palltos, ushqyerja e qenit ose përgatitja e sërishme e ushqimit që do të marrë me vete në shkollë.
Shmangni korrigjimin e tepërt
Sa herë që është e mundur, shmangni korrigjimin e fëmijës ndërsa përpiqet të bëjë diçka në mënyrë të pavarur. Për shembull, nëse i kërkoni të rregullojë shtratin dhe rezultati nuk është i përsosur, përpiquni t’i rezistoni dëshirës për ta rregulluar përsëri vetë. E dimë se kjo nuk është gjithmonë e lehtë!
Mbani gjithmonë parasysh se përsosmëria nuk është qëllimi. Qëllimi është që fëmija të marrë përgjegjësi dhe të mësojë të veprojë vetë. Nëse sa herë që përpiqet i krijohet përshtypja se nuk po e bën siç duhet sipas standardeve tuaja, ai mund të humbasë dëshirën për të provuar përsëri.
Përkthim: Prinderimi.com
