Përballimi i kërkesave të arsimit të mesëm të ulët kërkon aftësi organizimi dhe planifikimi, të cilat shumica e adoleshentëve të rinj ende nuk i kanë zotëruar. Ja se si mund t’i ndihmojnë mësimdhënësit.
Çdo vit shkollor, Mary Ann Reitano Calzada befasohet nga fakti se sa të papërgatitur janë nxënësit e saj për kërkesat organizative të arsimit të mesëm të ulët. Për shembull, kur ajo njofton datat e testeve të ardhshme, nxënësit që sapo kanë filluar klasën e shtatë rrallë i hapin agjendat e tyre për ta shënuar këtë informacion.
“Si mund të qëndrosh aty, të dëgjosh mësimdhënësin të thotë se po afrohet një test dhe të mos e shënosh askund?”, pyet ajo.
Nxënësit e arsimit të mesëm të ulët shpesh përballen me vështirësi, sepse ende kanë mendësinë e shkollës fillore, sipas së cilës mësimdhënësi do t’ua mbajë dosjet të organizuara dhe do t’i udhëzojë hap pas hapi për respektimin e afateve, shpjegon Reitano Calzada, e cila jep mësim në gjuhën spanjolle në shkollën Gillette Road Middle School në Nju-Jork.
Për t’i ndihmuar nxënësit të përshtaten me kërkesat e reja, ajo tashmë u kushton pjesë të caktuara të orëve mësimore zhvillimit të aftësive të funksioneve ekzekutive, duke i ndihmuar të planifikojnë paraprakisht, të monitorojnë procesin e tyre të të nxënit dhe të qëndrojnë të organizuar.
Ndërsa nxënësit hyjnë në periudhën e adoleshencës, korteksi paraballor – pjesa e trurit përgjegjëse për funksionet ekzekutive – përjeton “ristrukturimin më të madh që nga muajt e parë pas lindjes”, shpjegon neurologia dhe ish-mësimdhënësja Judy Willis.
Kjo periudhë përkon pikërisht me arsimin e mesëm të ulët, një fazë që karakterizohet nga rritja e menjëhershme e pavarësisë dhe përgjegjësive. Nxënësit duhet të lëvizin ndërmjet klasave, të realizojnë detyra komplekse me afate më të gjata dhe t’i mbajnë materialet e tyre të organizuara.
Sipas Willis, kjo përvojë i vendos ata në një periudhë veçanërisht të favorshme për zhvillimin e funksioneve ekzekutive. Ne u kërkuam mësimdhënësve të arsimit të mesëm të ulët, si Reitano Calzada, të ndajnë strategjitë e tyre më të mira për t’u mësuar nxënësve aftësitë thelbësore që u nevojiten për të pasur sukses në këtë nivel arsimor dhe më tej.
1. Zhvilloni zakonet e planifikimit përmes agjendës
Shumica e nxënësve të arsimit të mesëm të ulët kanë agjenda shkollore, por “vetëm disa prej tyre janë mësuar se si t’i përdorin”, shkruan mësimdhënësja Elizabeth Emmons. Për ta plotësuar këtë boshllëk, çdo të premte ajo demonstron praktikat më të mira të planifikimit, duke projektuar në tabelë një agjendë identike me ato që përdorin nxënësit e saj të klasës së gjashtë dhe duke u treguar se si ta plotësojnë.
Për të përforcuar zakonet e mira, Emmons mund të nënvizojë afatet e dorëzimit të detyrave ose të shënojë numrin e faqeve të librit që nxënësit duhet të lexojnë çdo mbrëmje.
Përtej përfitimeve të dukshme akademike që sjell përdorimi më efektiv i agjendave, Emmons thotë se ka vërejtur gjithashtu një pjesëmarrje më të madhe të nxënësve në aktivitetet shkollore. Për shembull, ata vishen në përputhje me tematikën e “Javës së Mirësisë”, sepse, pasi e kanë shënuar aktivitetin në agjendat e tyre, kanë pasur kohë të përgatiten paraprakisht.
Ashtu si me çdo aftësi të re, është e rëndësishme të fillohet me hapa të vegjël. Shënimi i një detyre në ditë është një pikënisje e mirë, shpjegon mësimdhënësja e gjuhës angleze Miriam Plotinsky. Më pas, këto aftësi duhet të përforcohen me kalimin e kohës.
Për ta thjeshtuar edhe më tej procesin e planifikimit, Plotinsky, e cila jep mësim në shkollat publike të qarkut Montgomery në Maryland, u drejton nxënësve pyetjet e mëposhtme:
– Çfarë shënuam dje?
– Pse ishte e rëndësishme?
– Si na ndihmoi të arrijmë objektivin tonë mësimor?
“Ata nuk do të shënojnë përgjithmonë vetëm një detyrë”, thotë ajo. “Idealisht, do të vazhdojnë ta zhvillojnë këtë aftësi dhe më pas do të mësojnë edhe si t’i përcaktojnë prioritetet.”
Plotinsky gradualisht e zgjeron procesin, duke shtuar numrin e detyrave që nxënësit duhet të shënojnë dhe duke reduktuar kujtesat që u jep.
Ajo fillon të shtrojë pyetje më të hapura, si:
“Çfarë duhet të bëjmë sot që të jemi të përgatitur për nesër?”
“Përfundimisht, kjo shndërrohet në një rutinë ku them: ‘Mirë, tani do të marrim një minutë për të shënuar gjithçka që duhet të bëni’”, shpjegon ajo.
2. Vendosni rregull në materialet shkollore
Pasi shpërndahen fletët e punës dhe fragmentet e teksteve, ekziston një mundësi e madhe që ato të humbasin në rrëmujën e çantave shkollore të nxënësve.Për ta shmangur këtë problem të zakonshëm, Daniel Vollrath, mësimdhënës i gjuhës angleze dhe historisë në shkollën e mesme të lartë, përfshin në orët mësimore një rutinë organizimi prej 10 minutash, çdo dy javë, përgjatë gjithë vitit shkollor.
Sipas tij, kjo strategji funksionon si në arsimin e mesëm të ulët, ashtu edhe në atë të lartë.
Në fillim ose në fund të javës, nxënësit e tij kryejnë këto veprime:
– Zbrazin përmbajtjen e çantave mbi bankat shkollore dhe i ndajnë fletët e të gjitha lëndëve në dy grupe: ato që duhet të mbajnë dhe ato që nuk u nevojiten më.
– Fletët e panevojshme i vendosin në koshin e riciklimit, ndërsa ato të nevojshme i sistemojnë në dosjet, fashikujt ose vendet përkatëse.
– Nëse telefonat lejohen në klasë, Vollrath rekomandon që nxënësit ta fotografojnë çantën e organizuar. Në të kundërt, mund të bëjnë një shënim të shkurtër në agjendë ose një skicë të thjeshtë.
Deri në fund të vitit shkollor, kjo praktikë “bëhet pjesë e rutinës së tyre”, thotë Vollrath, i cili jep mësim në Hunterdon Central Regional High School në Nju-Xhersi.
Edhe pas përfundimit të vitit shkollor, ish-nxënësit e tij, kur e takojnë në korridoret e shkollës, hapin çantat për t’i treguar me krenari se sa mirë vazhdojnë t’i mbajnë të organizuara.
3. Mësojuni nxënësve rutinat e organizimit digjital
Përtej menaxhimit të materialeve fizike, ekziston edhe nevoja për organizim digjital. “Ekrani i kompjuterit mund të jetë një hapësirë që krijon ndjenjën e mbingarkesës për shumë nxënës”, shkruan Vollrath. Nëse nxënësit nuk mësojnë se si të krijojnë dosje digjitale, t’i emërtojnë dokumentet dhe ta pastrojnë rregullisht hapësirën e tyre digjitale të punës, kompjuterët e tyre mund të bëhen po aq të çorganizuar sa çantat shkollore.
Përpara se të caktojë ndonjë detyrë digjitale, edukatorja Tricia Faulkner nga Zelanda e Re demonstron zakonet e organizimit në internet, si krijimi, emërtimi dhe kategorizimi i dosjeve sipas ngjyrave, si dhe krijimi i nëndosjeve për njësi të veçanta mësimore ose projekte. Për të vendosur rregull në postën elektronike, Kasey Short filloi t’u kushtonte pesë minuta çdo javë, gjatë orëve të këshillimit, organizimit të email-eve të nxënësve.
Përpara këtyre seancave, kutitë e postës elektronike të nxënësve ishin të mbushura me mesazhe të padëshiruara. Ata nuk e kuptonin nevojën për t’iu përgjigjur email-eve dhe disa prej tyre nuk e kontrollonin fare postën elektronike.
Duke i kushtuar kohë të posaçme organizimit të email-eve, Short, aktualisht zëvendësdrejtuese në Charlotte Country Day School në Karolinën e Veriut, mund t’u demonstrojë nxënësve se si:
– Të çregjistrohen nga listat e mesazheve të padëshiruara;
– Të krijojnë dosje për organizimin e email-eve;
– Të ndjekin njoftimet e rëndësishme akademike;
– Të qëndrojnë të informuar për aktivitetet jashtëmësimore.
4. Ndajini detyrat e mëdha në hapa më të vegjël
Kur lihen të punojnë pa udhëzime, shumë nxënës priren t’i shtyjnë projektet dhe detyrat e mëdha, sepse ndihen të mbingarkuar nga përmasat e tyre. Si rezultat, përfundojnë duke punuar deri në orët e vona të natës, pak përpara afatit të dorëzimit.
T’u mësosh nxënësve të planifikojnë duke u nisur nga afati përfundimtar është një aftësi thelbësore, të cilën shumica e nxënësve të arsimit të mesëm të ulët ende nuk e kanë zhvilluar, shpjegon specialistja e edukimit Sarah Kesty. Sa herë që njoftohet një projekt i madh me disa faza, një test për një njësi mësimore ose një ese që kërkon hulumtim të gjerë, ajo i udhëzon nxënësit përmes një sërë hapash të përcaktuar në një rubrikë vlerësimi.
Hapi 1: Analizoni udhëzimet. Rrethoni foljet dhe përcaktoni se cilat veprime duhet të ndërmerren për ta përfunduar detyrën.
Hapi 2: Analizoni kriteret e vlerësimit. Kontrolloni përsëri listën e veprimeve duke shqyrtuar kolonën e rubrikës që përfaqëson notën më të lartë. Çfarë kërkohet për ta arritur atë?
Hapi 3: Vlerësoni kohën e nevojshme. Pasi të jenë renditur hapat, përcaktoni sa kohë mund të kërkojë secili prej tyre.
Hapi 4: Planifikoni duke u nisur nga afati përfundimtar. Vendosini hapat në kalendar, duke marrë parasysh datën e dorëzimit dhe kohën realisht të disponueshme.
Hapi 5: Kryeni kontrollet përfundimtare. Krahasoni projektin me kriteret e vlerësimit dhe bëni ndryshimet e nevojshme.
Për t’i nxitur nxënësit të marrin përgjegjësi për këtë proces, disa mësimdhënës zgjedhin t’i vlerësojnë me notë edhe këto plane.
Përfshirja e këtij procesi në sistemin e vlerësimit mund t’i inkurajojë nxënësit e orientuar drejt objektivave që t’i ushtrojnë dhe t’i zbatojnë këto aftësi për të mbështetur suksesin e tyre, shpjegon Brittany Patrick, ish-mësimdhënëse e arsimit special.
5. Ndajini udhëzimet dhe problemet në pjesë më të vogla
Shumica e nxënësve të arsimit të mesëm të ulët, kur përballen me një problem matematikor të shprehur me fjalë ose me një grup udhëzimesh, fillojnë menjëherë të punojnë, pa marrë kohën e nevojshme për të përvetësuar dhe përpunuar hollësitë e rëndësishme.
Megjithatë, në orën e algjebrës të Fei Liu, zbërthimi i problemeve matematikore të shprehura me fjalë është një aktivitet që zhvillohet me të gjithë klasën.
Liu i udhëzon nxënësit e klasës së tetë përmes një strategjie sistematike për zgjidhjen e problemeve, e cila synon t’i ndihmojë të ngadalësojnë ritmin, të kuptojnë konceptet dhe të ndërtojnë një hartë mendore të problemit dhe të hapave të nevojshëm për zgjidhjen e tij, përpara se të fillojnë të shkruajnë.
Ata mund të fillojnë duke përcaktuar se çfarë përfaqëson secili numër në problem, më pas të analizojnë marrëdhëniet matematikore dhe, në fund, t’i paraqesin ato përmes formulave algjebrike. “Një nga gjërat që vërej më shpesh kur një fëmijë përballet me një problem matematikor është se, sapo sheh një numër në faqe, fillon menjëherë të kryejë veprime”, shpjegon Liu.
“Por matematika nuk ka të bëjë vetëm me kryerjen e veprimeve me numra. Ajo ka të bëjë me shpjegimin e kuptimit të numrave dhe të kuptuarit e situatës që përshkruan problemi, në mënyrë që të arrish te rezultati.” Në mënyrë të ngjashme, nxënësit shpesh i anashkalojnë udhëzimet ose i lexojnë ato me nxitim.
Për ta parandaluar këtë zakon, një studim i vitit 2026 sugjeron ndarjen e udhëzimeve në hapa më të vegjël dhe më të lehtë për t’u përvetësuar. Kur jepni udhëzime me gojë, studiuesit rekomandojnë të bëni pauza të shpeshta, në mënyrë që nxënësit të kenë kohë t’i kuptojnë plotësisht hapat.
Përdorni shprehje lidhëse, si “fillimisht”, “më pas” dhe “në fund”, për të sinjalizuar rrjedhën e procesit. Gjithashtu, organizojini udhëzimet duke filluar nga detyrat më të thjeshta dhe duke kaluar gradualisht te ato që kërkojnë më shumë angazhim kognitiv, në mënyrë që nxënësit të mos ndihen të mbingarkuar që në fillim.
Burimi: Edutopia
Autorja: Andrea Tamayo
