Çdo vit, më 31 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Mbidozën, një ditë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rrezikun e mbidozës, të kujtojë jetët e humbura dhe të nxisë parandalimin. Për prindërit, kjo ditë është edhe një mundësi për të folur me fëmijët për një realitet që shpesh mund të duket i largët, por që nuk duhet të injorohet.
Sa të rrezikuar janë të rinjtë?
Adoleshenca është periudhë veçanërisht e rëndësishme për parandalimin. Sipas të dhënave evropiane të ESPAD, të mbledhura te nxënës 15–16-vjeçarë, rreth 13% kanë raportuar se kanë provuar të paktën një substancë të paligjshme gjatë jetës së tyre, ndërsa kanabisi mbetet substanca e paligjshme më e përdorur.
Edhe në Kosovë ekzistojnë të dhëna që tregojnë nevojën për vëmendje. Një studim i kryer te studentët në veri të Kosovës raportoi se 16% e pjesëmarrësve kishin përdorur ndonjëherë substanca të paligjshme; ndër substancat më të raportuara ishin marijuana dhe bromazepami. Këto të dhëna nuk mund të përgjithësohen për të gjithë të rinjtë në Kosovë, por tregojnë se parandalimi duhet të fillojë herët.
Rreziku rritet me moshën gjatë adoleshencës, ndërsa kurioziteti, presioni i bashkëmoshatarëve dhe perceptimi se një substancë është “e padëmshme” mund të ndikojnë në vendimin për ta provuar.
Parandalimi fillon në familje
Prindërit nuk mund ta kontrollojnë çdo shoqëri, çdo rrugë apo çdo situatë ku përfshihet fëmija. Por mund të ndërtojnë një marrëdhënie në të cilën fëmija ndihet i sigurt të flasë.
Flisni për drogën para se të shfaqet problemi. Shpjegojuni fëmijëve, në gjuhë të përshtatshme për moshën, se substancat psikoaktive mund të dëmtojnë shëndetin, gjykimin, marrëdhëniet dhe të ardhmen e tyre. Mos u mjaftoni vetëm me “droga është e keqe”; shpjegoni pse.
Një nga mesazhet më të rëndësishme nga kërkimet ndërkombëtare është se parandalimi nuk ka të bëjë vetëm me atë se nga cilët shokë duhet të largohet fëmija, por edhe me ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme. Një fëmijë që ka miq pozitivë, një marrëdhënie të fortë me familjen dhe ndjenjë përkatësie në shkollë ka më shumë faktorë mbrojtës përballë sjelljeve të rrezikshme.
Vendosni kufij të qartë, njihni shoqërinë e fëmijës, vëzhgoni ndryshimet e papritura në sjellje, rezultatet shkollore, gjumin apo rrethin shoqëror dhe, mbi të gjitha, krijoni besim.
Cilat sjellje mund ta rrisin rrezikun?
Përdorimi i substancave zakonisht nuk lidhet me një faktor të vetëm. Shpesh, disa rrethana dhe sjellje ndërthuren dhe mund ta bëjnë një të ri më të cenueshëm ndaj presionit për të provuar drogën.
Edhe parandalimi është pjesë e edukimit
Në kuadër të përpjekjeve për të informuar prindërit dhe fëmijët për rreziqet që lidhen me përdorimin e substancave, Prinderimi.com ka trajtuar edhe më herët çështjen e cigareve elektronike dhe përdorimit të vape-ve nga të rinjtë. Përmes fushatës së zhvilluar për këtë temë, synimi ka qenë të tërhiqet vëmendja e prindërve ndaj një fenomeni që shpesh mund të perceptohet si më pak i rrezikshëm se pirja tradicionale e duhanit.
Të flasësh për vape-t, alkoolin, duhanin apo substancat e tjera nuk do të thotë t’i ekspozosh fëmijët ndaj këtyre temave; përkundrazi, informimi i përshtatshëm për moshën është një prej mënyrave për t’i përgatitur ata të marrin vendime më të sigurta. Prindërit duhet të jenë burimi i parë i informacionit të besueshëm për fëmijët, në mënyrë që këta të mos e marrin informacionin vetëm nga bashkëmoshatarët, rrjetet sociale apo burime të pakontrolluara online.
Shoqëria është një prej tyre
Fëmijët dhe adoleshentët ndikohen shumë nga grupi ku bëjnë pjesë. Një shoqëri që normalizon alkoolin, duhanin, drogën, dhunën, sjelljet e rrezikshme apo shkeljen e rregullave mund ta bëjë një fëmijë të ndihet nën presion për t’u përshtatur. Prandaj, prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se shoku i mirë nuk është ai që të shtyn të bësh diçka të rrezikshme, por ai që respekton kufijtë dhe të mbron nga pasojat.
Fëmijët duhet të mësohen të zgjedhin shoqëri që i nxit drejt mësimit, sportit, aktiviteteve krijuese, vullnetarizmit dhe sjelljeve të shëndetshme. Në vend që vetëm t’u thonë “mos u shoqëro me fëmijë të këqij”, prindërit mund t’i pyesin: Si ndihesh kur je me këta shokë? A të respektojnë kur thua jo? A ndihesh i detyruar të bësh gjëra që nuk dëshiron?
Izolimi social, mungesa e mbështetjes dhe problemet e vazhdueshme në familje mund të jenë gjithashtu faktorë shqetësues. Një fëmijë që ndihet i pavlerësuar, i refuzuar ose pa një të rritur të cilit mund t’i besojë mund të kërkojë pranimin diku tjetër.
Po ashtu, mungesa e mbikëqyrjes prindërore, braktisja e shkollës, sjelljet impulsive, kërkimi i vazhdueshëm i emocioneve të forta dhe ekspozimi ndaj modeleve të papërshtatshme mund të rrisin cenueshmërinë.
Kjo nuk do të thotë se çdo fëmijë që përjeton këto rrethana do të përdorë drogë. Përkundrazi, ato duhet të shihen si sinjale që tregojnë se fëmija mund të ketë nevojë për më shumë vëmendje, komunikim dhe mbështetje.
Edhe shkolla ka rol
Parandalimi nuk duhet të jetë vetëm një ligjëratë një herë në vit. Shkollat duhet të krijojnë edukim të vazhdueshëm mbi substancat, presionin e bashkëmoshatarëve, vendimmarrjen dhe menaxhimin e emocioneve. CDC thekson rëndësinë e “school connectedness” — ndjenjës së fëmijës se mësuesit dhe bashkëmoshatarët kujdesen për të dhe e vlerësojnë. Nxënësit që ndihen më të lidhur me shkollën kanë më pak gjasa të përfshihen në përdorimin e substancave dhe sjellje të tjera të rrezikshme.
Prindërit, mësimdhënësit, psikologët dhe profesionistët shëndetësorë duhet të bashkëpunojnë. Fëmijët kanë nevojë jo vetëm të dinë çfarë të shmangin, por edhe të mësojnë si të thonë jo, kujt t’i kërkojnë ndihmë dhe si të largohen nga situatat e rrezikshme.
Mbidoza nuk është një problem që fillon vetëm atëherë kur ndodh një emergjencë. Parandalimi fillon shumë më herët: me një bisedë, një kufi, një marrëdhënie të sigurt dhe një të rritur që fëmija e di se mund t’i besojë.
Prinderimi.com
