Sipas studimeve të fundit, mbi 60% e të rinjve raportojnë se ndihen të mbingarkuar rregullisht nga stresi, që ndikon në të nxënit, mirëqenien emocionale dhe marrëdhëniet shoqërore. Nëse nuk trajtohet, stresi mund të çojë në probleme më serioze si ankthi, depresioni apo tërheqja sociale. Ky udhëzues ofron strategji praktike dhe të bazuara në prova për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë të njohin, menaxhojnë dhe rikuperohen nga stresi në mënyra të shëndetshme.
1. Vëzhgoni shenjat e fshehta
Kujdesuni për ndryshimet në humor, sjellje ose nivel energjie, si nervozizëm, tërheqje, lotim i shpeshtë apo dhimbje koke. Këto mund të tregojnë se fëmija po ndien mbingarkesë. Duke e vënë re herët dhe duke ofruar një qasje të qetë e pa gjykim për të folur, prindërit dhe mësuesit mund t’i ndihmojnë fëmijët të ndihen të dëgjuar dhe të mbështetur para se situata të përkeqësohet.
2. Mbani bisedat të hapura
Krijoni kohë për biseda të hapura dhe informale, qoftë gjatë rrugës për në shkollë apo në momente të qeta në shtëpi. Lërini fëmijët të kuptojnë se është në rregull të flasin për ndjenjat dhe mendimet e tyre. Bisedat e rregullta dhe të qeta ndihmojnë që emocionet të shprehen në vend që të shtypen.
3. Bëjeni lëvizjen pjesë të ditës
Aktiviteti fizik ul nivelin e hormoneve të stresit dhe përmirëson humorin e përqendrimin. Inkurajoni fëmijët të lëvizin përmes aktiviteteve që u pëlqejnë vërtet, si sportet në grup, kërcimi, ecja me qenin apo lojërat jashtë. Edhe lëvizjet e lehta përreth shtëpisë ndihmojnë në çlirimin e trupit dhe mendjes.
4. Mbështetni modelet e shëndetshme të gjumit
Gjumi i dobët e bën më të vështirë menaxhimin e stresit. Krijoni një rutinë të qetë para gjumit që përfshin leximin, dëgjimin e muzikës së butë ose meditimin e shkurtër. Kjo përmirëson përqendrimin, rrit energjinë ditore dhe forcon qëndrueshmërinë emocionale.
5. Ushtroni vetëdije (mindfulness)
Vetëdija nuk kërkon domosdoshmërisht seanca të gjata meditimi. Edhe pak minuta frymëmarrje të thellë ose shtrirje e trupit mund të bëjnë ndryshim të madh. Këto momente ndihmojnë fëmijët të menaxhojnë reagimet emocionale dhe të qetësojnë mendjen në mënyrë natyrale.
6. Vendosni kufij digjitalë
Përdorimi i tepërt i ekranit, veçanërisht para gjumit, lidhet me nivele më të larta stresi. Përcaktoni qartë kur mund të përdoren pajisjet dhe sugjeroni alternativa pa ekran, si piktura, lexim, lojëra tavoline ose aktivitete krijuese. Kjo ndihmon të ruhet balanca mes pushimit dhe stimulimit digjital.
7. Kujdesuni për lidhjet shoqërore
Marrëdhëniet e forta janë mburojë kundër stresit. Qoftë një i rritur i besuar, një vëlla, motër apo mik i mirë, ndihmon shumë që fëmijët të kenë njerëz me të cilët mund të flasin e të kalojnë kohë cilësore. Këto lidhje forcojnë ndjenjën e përkatësisë dhe rrisin mirëqenien emocionale.
8. Fokusohuni te përparimi, jo përsosmëria
Vendosni objektiva realiste dhe vlerësoni përpjekjen, jo vetëm rezultatin. Kur fëmijët nuk ndiejnë presion për të qenë perfektë, stresi bie ndjeshëm. Vlerësoni fitoret e vogla dhe ndihmojini të shohin dështimet si mundësi për të mësuar, jo si humbje.
9. Mësoni zgjidhjen e problemeve të përditshme
Përdorni situata reale për të ndërtuar aftësitë e qëndrueshmërisë. Inkurajoni fëmijët të identifikojnë problemin, të shqyrtojnë zgjidhjet e mundshme dhe të zgjedhin një plan veprimi. Kjo ndihmon të rritet ndjenja e vetëbesimit dhe e kontrollit ndaj situatave stresuese.
10. Jini modeli që u nevojitet
Fëmijët vëzhgojnë se si të rriturit përballen me sfidat. Kur prindërit përdorin strategji të shëndetshme për përballimin e stresit, si frymëmarrja e thellë, kërkimi i ndihmës apo komunikimi i qetë, ata mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Sjelljet e shëndetshme mësohen përmes shembullit të përditshëm.
Nga publikimet e fundit:
Alergjitë dhe anafilaksia: Çfarë duhet të dinë prindërit dhe edukatorët?
Njihuni me eksperten
Anna Bateman është drejtoreshë e Halcyon Education Ltd dhe e Wellbeing and Family Services në E-Act Trust. Ajo është eksperte e mirënjohur për shëndetin mendor në National College, me eksperiencë në mbështetjen e familjeve, zhvillimin e qëndrueshmërisë emocionale, edukimin mbi mirëqenien dhe literacinë emocionale të fëmijëve në gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Burimi: The National College
