Shkollat në Kosovë po përballen me një fenomen të ndjeshëm dhe në rritje: nxënës me sjellje asociale, me prirje për dhunë dhe në disa raste, edhe për mbajtje armësh.
Sipas të dhënave të Policisë dhe Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, vetëm gjatë periudhës janar–shtator të këtij viti, afro 120 fëmijë nën moshën 14 vjeç janë trajtuar për sjellje të tilla. Shumica e rasteve janë referuar nga shkollat ose policia, pasi përfshijnë sjellje të dhunshme, vjedhje, kërcënime dhe posedim armësh.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Bajram Shala, ka bërë të ditur se këta fëmijë shpesh janë të painteresuar për mësim, të pavendosur emocionalisht dhe vështirë të menaxhueshëm në klasë. “Kemi raste ku nxënësit bartin armë të ftohta, e madje edhe të zjarrit. Shpeshherë janë të përsëritur në sjellje, pavarësisht masave që ndërmerren ndaj tyre,” ka theksuar ai.
Sipas Policisë së Kosovës, vetëm në nëntëmujorin e parë të vitit janë regjistruar 8 raste të mbajtjes së armëve të zjarrit dhe 30 raste të armëve të ftohta mes të miturve – shifër që shton shqetësimin për sigurinë në shkolla.
Një sistem që sanksionon, por nuk rehabiliton
Rasti i një nxënësi të shkollës së mesme në Prishtinë tregon më së miri mangësitë e sistemit. Pasi u suspendua për mbajtje të armës, ai u transferua në disa shkolla të tjera, por problemet u përsëritën. Në fund, shkolla vendosi ta përjashtojë, ndërsa më pas, pas ankesës, iu lejua të zhvillonte provimet e mbetura, të cilat nuk i kaloi.
Zyrtari komunal për arsim, Hajzer Idrizi, thotë se rasti u trajtua disa herë nga Inspektorati i Arsimit, i cili kërkoi rivlerësim dhe rishqyrtim të vendimit. “Edhe pas disa provimeve dhe ankesash të njëpasnjëshme, nxënësi nuk kaloi vitin shkollor dhe tani është përsëritës, megjithëse mbush 18 vjeç vitin e ardhshëm,” tha ai. Ky shembull nxjerr në pah boshllëkun ligjor dhe mungesën e një qasjeje që kombinon masat ndëshkuese me ato rehabilituese.
Kërcënimi i përhapjes së sjelljeve të dhunshme
Sipas hulumtuesit të Institutit Pedagogjik, Selim Mehmeti, mungesa e një programi të qartë riintegrimi rrezikon të përhapë problemin edhe më gjerë. “Nuk guxojmë që për hir të një nxënësi me sjellje problematike të dëmtojmë një klasë të tërë. Por po aq e rrezikshme është t’i lëmë këta fëmijë jashtë vëmendjes. Një individ problematik mund të bëhet shkaktar i një zinxhiri sjelljesh të ngjashme nëse sistemi nuk vepron me profesionalizëm,” thekson Mehmeti.
Ai thekson se riintegrimi duhet të përfshijë jo vetëm mësim shtesë, por edhe mbështetje psikologjike, punë me familjen dhe ndihmë për rikthim gradual në shkollë. “Në Kosovë mungon një strukturë që i ndihmon këta fëmijë të ndryshojnë. Mësuesit shpesh mbeten vetëm përballë një problemi që kërkon trajtim të shumëfishtë profesional.”
Sistemi ligjor ende pa mekanizma të fortë
Avokati Anton Nrecaj vlerëson se Kosova ka dështuar në zbatimin e masave edukuese dhe në funksionalizimin e plotë të organeve të kujdestarisë për këta fëmijë. Ai thekson se në shtetet perëndimore, fëmijët që përfshihen në incidente të tilla vendosen menjëherë nën mbikëqyrjen e organeve të kujdestarisë, të cilat punojnë me ta çdo ditë përmes programeve të specializuara edukative. “Në Kosovë, shpesh përfundojmë vetëm me një raport apo një vendim disiplinor, pa pasur ndonjë mekanizëm real të ndihmës dhe ndjekjes së rasteve deri në përmirësim,” thotë ai.
Nevoja për politika të reja dhe bashkëpunim institucional
Ekspertët arsimorë kërkojnë rishikim të politikave ligjore dhe arsimore për trajtimin e këtyre rasteve. Këshillohet që çdo shkollë të ketë qasje më të strukturuar në identifikimin e hershëm të sjelljeve problematike, si dhe të krijohen programe kombëtare të riintegrimit social dhe arsimor.
Në Kosovë, shumë shkolla kanë psikologë dhe punëtorë socialë, por numri i tyre është ende i pamjaftueshëm për të përballuar ngarkesën. Në disa raste, një psikolog kujdeset për disa qindra nxënës. Kjo e bën të vështirë ofrimin e mbështetjes individuale për çdo fëmijë që ka nevojë.
Rrugëdalja: nga ndëshkimi te mbështetja
Një sistem arsimor i drejtë duhet të ndëshkojë dhunën, por edhe të ofrojë mundësi për ndryshim. Fëmijët me sjellje problematike nuk janë “të humbur”, por kërkojnë qasje të kujdesshme, edukatë emocionale dhe modele të shëndetshme të sjelljes. Ndërhyrja e hershme, komunikimi me familjen dhe përfshirja e profesionistëve të shëndetit mendor janë mënyrat më efektive për të kthyer një sjellje devijuese në një histori suksesi.
