UDHËZIM ADMINISTRATIV (MASHT) NR. 34/2014 FUNKSIONIMI I SHËRBIMIT PEDAGOGJIK – PSIKOLOGJIK NË SHKOLLA
Republika e Kosovës
Qeveria – Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në mbështetje të nenit 37 paragrafi 1 të Ligjit për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës (nr. 04/L-032), nenit 8 nënparagrafi 1.4 të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive si dhe nenit 38 paragrafit 6 të Rregullores së Punës së Qeverisë Nr. 09/2011 (Gazeta zyrtare nr. 15, 12.09.2011), nxjerr:
UDHËZIM ADMINISTRATIV
FUNKSIONIMI I SHËRBIMIT PEDAGOGJIK – PSIKOLOGJIK NË SHKOLLA
Numër: 34/2014
Datë: 12.11.2014
Neni 1 – Qëllimi
Me këtë Udhëzim administrativ (më tutje UA) rregullohet funksionimi i shërbimit pedagogjik-psikologjik në shkollë, përkatësisht puna e pedagogut të shkollës dhe e psikologut të shkollës.
Neni 2 – Përkufizimi
- Shërbimi pedagogjik-psikologjik, nënkupton profesionistët e fushave të ndryshme të cilët kontribuojnë në përparimin e punës edukative-arsimore në institucione shkollore.
- Pedagogët dhe psikologët emërtohen si bashkëpunëtorë profesional.
- Bashkëpunëtorët profesionalë që përfshihen në kuadër të shërbimit pedagogjik-psikologjik, në Ligjin për arsimin parauniversitar dhe në dokumente të tjera nga MASHT, përfshihen në kuadër të konceptit: Personeli profesional jomësimdhënës.
- Bashkëpunëtorë profesionalë konsiderohen profesionistët që kanë përfunduar studimet si vijon:
- 4.1. Pedagog i shkollës – personi i cili ka përfunduar studimet e nivelit Master në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik përkatësisht Fakultetin e Edukimit, studimet katërvjeçare në Degën e Pedagogjisë (apo siç është rregulluar me UA 2014 për licencimin e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionale).
- 4.2. Psikolog i shkollës – personi i cili ka përfunduar studimet e nivelit Master në degën e Psikologjisë – drejtimi: Psikologji Shkollore dhe Këshillim, të fakultetit filozofik (apo siç është rregulluar me UA 2014 për licencimin e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesional).
- Bashkëpunëtorët profesional i raportojnë drejtorit të shkollës dhe këshillit drejtues të shkollës.
- Bashkëpunëtorët profesional i nënshtrohen procesit të licencimit që do të rregullohet me akte të veçanta.
Neni 3 – Organizimi i punës
Bashkëpunëtorët profesional (më tutje, pedagogu dhe psikologu) organizojnë punën drejt realizimit të qëllimit dhe detyrave të planifikuara në planin zhvillimor të shkollës, Drejtorisë Komunale të Arsimit, dhe në harmoni me dokumentet pedagogjike të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Neni 4 – Planifikimi dhe realizimi i punës
Pedagogu dhe psikologu i shkollës merr pjesë në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me planifikimin dhe realizimin e punës së gjithmbarshme në shkollë si: planifikim e programim të punës mësimore, hulumtim, monitorim, analizë e vlerësim të të gjithë akterëve në shkollë, realizim efektiv të procesit edukativ-arsimor, punë e drejtpërdrejt me nxënës, mësimdhënës, prindër, komunitet, institucione e organizata qeveritare dhe joqeveritare, zhvillimin profesional të stafit të shkollës, zhvillim profesional personal, në zhvillim të projekteve etj.
Neni 5 – Puna e pedagogut të shkollës
- Pedagogu kontribuon në realizimin dhe përparimin e punës edukative-arsimore në institucione shkollore në harmoni me ligjet dhe dokumentet pedagogjike të MASHT si Korniza e Kurrikulit të Kosovës, Kurrikulat Bërthamë dhe dokumente të tjera relevante.
- Pedagogu i shkollës është ekspert i cili me punën e tij i kontribuon lehtësimit të problemeve të ndryshme që shfaqen në shkollë si tek nxënësit, mësimdhënësit, prindërit apo të gjithë akterët tjerë shkollorë si dhe kontribuon në ngritjen e cilësisë së veprimtarisë edukative-arsimore.
Neni 6 – Planifikimi, programimi dhe organizimi i punës edukative-arsimore
- Pedagogu kryen këto punë:
- 1.1. Planifikimin, programimin dhe organizimin e punës edukative-arsimore;
- 1.2. Mbështetjen e hartimit dhe zbatimit të planit zhvillimor të shkollës;
- 1.3. Koordinimin e punës të aktiveve profesionale, planprogramin e mësimdhënësve;
- 1.4. Përkrahë klubet e nxënësve, këshillat e prindërve dhe organet apo këshillat tjerë të shkollës;
- 1.5. Merr pjesë në hulumtimin e nevojave arsimore, në hartimin dhe zbatimin e projekteve shkollore;
- 1.6. Përcjell dhe inkurajon futjen e risive dhe praktikave të mira pedagogjike.
Neni 7 – Realizimi i efektshëm i procesit edukativo-arsimor
- Pedagogu vepron në realizim të efektshëm të procesit edukativ-arsimor.
- Pedagogu ndihmon dhe udhëzon mësimdhënësit në realizimin e veprimtarisë mësimore, në zbatimin e metodologjive ndërvepruese të mësimdhënies duke promovuar filozofinë me nxënësin në qendër përmes ndihmës për implementimin e nxënies në bashkëpunim; punës me projekte, mësimdhënies së diferencuar; promovon qasjen gjithëpërfshirëse dhe ndihmon e udhëzon në përgatitjen e modeleve mësimore, planeve ditore dhe aspekteve të tjera të veprimtarisë mësimore.
Neni 8 – Përcjellja, hulumtimi, analiza dhe vlerësimi i punës së shkollës
- Pedagogu ka për detyrë të përcjellë, hulumtojë, analizojë dhe vlerësojë punën e shkollës.
- Pedagogu sistematikisht hospiton dhe analizon procesin mësimor; hulumton dobësitë dhe përparësitë e shkollës; efikasitetin e punës në mësim; raportet mësimdhënës-nxënës e më gjerë, mbi bazën e hulumtimeve; harton raporte përkitazi me suksesin e nxënësve, disiplinën e nxënësve, klasave, vlerëson e këshillon mësimdhënësit e nxënësit; analizon e këshillon vlerësimin e performancës së mësimdhënësve; përcjell e inkurajon vlerësimin e vazhdueshëm të nxënëseve; ndihmon mësimdhënësit fillestarë; monitoron zbatimin e kurrikulës duke siguruar qasjen integruese të fushave; rezultateve të të nxënit etj.
Neni 9 – Bashkëpunimi ndërmjet mësimdhënësve
- Pedagogu inkurajon bashkëpunimin ndërmjet mësimdhënësve.
- Pedagogu ndihmon mësimdhënësit në konceptimin didaktik-metodik të mësimit; ndihmon në programimin e përbashkët të ngarkesës së nxënësve; ndihmon në të kuptuarit e stileve të nxënies; inkurajon frymën bashkëpunuese midis mësimdhënësve; punën ekipore me qëllim të përparimit të tërësishëm të punës mësimore dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve.
Neni 10 – Bashkëpunimi i pedagogut me nxënës
- Pedagogu ka për detyrë të punojë dhe bashkëpunojë me nxënës.
- Pedagogu ndihmon në identifikimin e aftësive të nxënësve për nisje në klasën e parë; u ndihmon nxënësve në njohjen e potencialeve të veta, në socializmin e tyre, zhvillimin e shkathtësive krijuese, tejkalimin e vështirësive të llojllojshme në të nxënë; promovon dhe koordinon aktivitetet e nxënësve jashtë klase e më gjerë; këshillon nxënësit për orientim profesional.
Neni 11 – Bashkëpunimi i pedagogut me prindër
- Pedagogu ka për detyrë të bashkëpunojë me prindër.
- Pedagogu ndihmon dhe udhëzon prindërit për pjesëmarrje aktive dhe vendimmarrje në shkollë; udhëzon prindërit për punë me fëmijët e tyre për të lehtësuar procesin e të nxënit; informon prindërit për të drejtat e tyre dhe fëmijëve të tyre; inkurajon pjesëmarrjen e tyre në projektet e shkollës; koordinon veprimtarinë e tyre me atë të shkollës në përgjithësi.
Neni 12 – Bashkëpunimi i pedagogut me institucione profesionale dhe komunitetin
- Pedagogu bashkëpunon me institucione profesionale dhe me komunitetin.
- Pedagogu bashkëpunon me institucione profesionale arsimore dhe me institucione të tjera si sociale, shëndetësore, të drejtësisë apo institucione të tjera që i kontribuojnë krijimit të klimës së përshtatshme në mjedisin shkollor; bashkëpunojnë me komunitetin e gjerë arsimor dhe me organizata joqeveritare të cilat i mbështesin nevojat arsimore të shkollës.
Neni 13 – Zhvillimi profesional
- Pedagogu ndihmon dhe inkurajon punën në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe zhvillimin profesional personal.
- Pedagogu ndihmon zhvillimin profesional të mësimdhënësve, koordinon punën për zhvillimin profesional me bazë në shkollë; mbështet trajnimet profesionale; zhvillon ligjërata profesionale me mësimdhënës; merr pjesë në seminare, konferenca e të ngjashme për zhvillimin e vet profesional dhe udhëzon mësimdhënësit për shfrytëzimin e burimeve dhe të mjeteve të llojllojshme të mësimdhënies.
Neni 14 – Përkujdesja e dokumentacionit shkollor
- Pedagogu udhëheq dokumentacionin shkollor.
- Pedagogu përkujdeset për dokumentacionin pedagogjik shkollor për planifikimet afatgjata, afatmesme dhe afatshkurtra, përfshirë këtu edhe aktivitetet rutinore (të përditshme); interesohet dhe monitoron përditësimin e dokumentacionit shkollor (vlerësimin e nxënësve, librin e klasës e të ngjashme), si dhe portfoliot profesionale të mësimdhënësve.
Neni 15 – Bashkëpunimi në mes pedagogut dhe psikologut
- Pedagogu bashkëpunon me psikologun e shkollës në të gjitha çështjet e përbashkëta të këtyre dy profesioneve.
- Nëse shkolla nuk ka psikolog, atëherë pedagogu përkohësisht kryen edhe detyra të përshkruara për psikologun e shkollës (deri në punësimin e psikologut), bazuar në kompetencën profesionale.
- Pedagogu mund të angazhohet edhe në detyra të tjera që i caktohen nga punëdhënësi, të cilat janë në pajtueshmëri me nenet e këtij Udhëzimi administrativ dhe përshkrimit të detyrave të punës.
Neni 16 – Puna e psikologut të shkollës
- Psikologu kontribuon në lehtësimin e procesit të të nxënit dhe promovon zhvillimin kognitiv, emocional, social dhe personal të nxënësve.
- Psikologu ofron ndihmë në tejkalimin e vështirësive të natyrës psikologjike me të gjithë akterët në shkollë.
Neni 17 – Vlerësimi i nxënësve
- Psikologu ka për detyrë të vlerësojë dhe interpretojë çështjet që kanë të bëjnë me procesin e të nxënit dhe zhvillimin kognitiv, social, personal dhe emocional të nxënësve.
- Psikologu asiston dhe ofron ndihmë në identifikimin e nxënësve me vështirësi në të nxënë; nxënësve të talentuar; identifikon dhe vlerëson nevojat e nxënësve; bashkëpunon me profesionistë të tjerë dhe zbaton vlerësime të përshtatshme (të besueshme dhe valide); zhvillon intervista me nxënës, mësimdhënës e prindër; vëzhgime e procedura të ndryshme me qëllim të vlerësimit objektiv dhe propozon e zbaton masa për intervenime psikoedukative individuale dhe në grup.
Neni 18 – Puna me nxënës
- Psikologu ka për detyrë të punojë drejtpërdrejt me nxënës.
- Psikologu punon me nxënës për të zhvilluar strategji efektive të të nxënit, të zhvillimit social e personal, strategji vetëmonitoruese e shkathtësi tjera kognitive; ofron trajnime individuale dhe në grup; inicon dhe merr pjesë për zhvillimin dhe implementimin e programeve parandaluese për çështje të ndryshme; zhvillon këshillime individuale dhe/ose grupore që përqendrohen në funksionimin e shëndetshëm të nxënësit; ndihmon në përgatitjen e planit individual mësimor të fëmijës; bashkëpunon me shërbime të tjera dhe përgatit raporte të argumentuara me shkrim.
Neni 19 – Bashkëpunimi i psikologut me mësimdhënës, prindër dhe me komunitetin
- Psikologu bashkëpunon me mësimdhënës, prindër dhe me komunitetin.
- Psikologu intervenon dhe ofron konsultime për prindër, mësimdhënës dhe personel tjetër të shkollës dhe të komunitetit me qëllim të përmirësimit të të nxënit dhe shëndetit të nxënësve; në bashkëpunim me pedagogun ofron konsultime për zbatimin e praktikave të mira të nxënies dhe mësimdhënies; ofron informata e trajnime përkitazi me aplikimin e teorive të të nxënit, psikologjisë zhvillimore, psikologjisë organizative.
Neni 20 – Bashkëpunimi i psikologut me institucione profesionale dhe komunitetin
- Psikologu bashkëpunon me institucione profesionale.
- Psikologu krahas bashkëpunimit me organet profesionale të shkollës, bashkëpunon edhe me institucione tjera sociale, shëndetësore dhe institucione të tjera me qëllim të përvetësimit të praktikave të mira; bashkëpunon edhe me institucionet profesionale dhe organizatat joqeveritare të cilat i kontribuojnë mirëqenies së nxënësve dhe personelit shkollor dhe ndihmojnë në realizimin e qëllimit dhe detyrave profesionale të tij.
Neni 21 – Zhvillimi i programeve
- Psikologu punon në zhvillimin e programeve.
- Psikologu mbi bazën e hulumtimeve, të dhënave të mbledhura, të analizuara, zhvillon plane e programe afatgjate, afatmesme dhe afatshkurtra që kanë për qëllim nxitjen e të nxënit dhe përshtatjen e nxënësve dhe personelit në shkollë; përgatit raporte periodike dhe vjetore të bazuara në indikatorët relevantë e të cilët janë në harmoni me qëllimet e shkollës, kurrikulës zyrtare dhe programit vjetor të shërbimit psikologjik në shkollë.
Neni 22 – Ngritja profesionale
- Psikologu ka për detyrë të punojë në ngritjen profesionale personale dhe të personelit shkollor.
- Psikologu ndihmon mësimdhënësit në zhvillimin e tyre profesional; përditëson njohuritë e tij profesionale; merr pjesë në trajnime, seminare, konferenca e të ngjashme me qëllim të përsosjes profesionale; aplikon standardet etike dhe ndihmon të gjithë akterëve të shkollës për zgjidhjen e problemeve në shkollë.
Neni 23 – Përkujdesja e dokumentacionit shkollor
- Psikologu punon në udhëheqjen/mirëmbajtjen e dokumentacionit.
- Psikologu dokumenton dhe raporton aktivitetet rutinore, krijon dosje individuale për nxënës, siguron që dokumentacioni të jetë konfidencial dhe në përputhje me etikën profesionale.
Neni 24 – Hyrja në fuqi
Ky Udhëzim administrativ hyn në fuqi shtatë (7) ditë pas nënshkrimit nga ana e Ministrit.
Prof. dr. Ramë Buja
Ministër
Datë: 12.11.2014
