Strategjia e Arsimit 2035+: Një hap i rëndësishëm për të ardhmen e arsimit në Kosovë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi sot tryezën e dytë të diskutimit me drejtorët komunalë të arsimit nga e gjithë Kosova, në kuadër të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+. Ky dokument i rëndësishëm strategjik, synon të përcaktojë drejtimin e zhvillimit të sistemit arsimor në vend gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm.
Gjatë takimit, ministri Hajrullah Çeku theksoi se Strategjia e Arsimit 2035+ do të jetë dokumenti kyç mbi të cilin do të ndërtohen politikat arsimore të Kosovës. Ai me këtë rast prezantoi edhe shtyllat kryesore të strategjisë, të cilat përfshijnë: zhvillimin e edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme, përmirësimin e arsimit parauniversitar përmes zgjerimit të mësimit gjithëditor, fuqizimin e arsimit dhe aftësimit profesional në përputhje me kërkesat e tregut të punës, si dhe reformimin e arsimit të lartë.
Në këtë tryezë morën pjesë drejtorët komunalë të arsimit, të cilëve iu theksua roli vendimtar që kanë komunat në hartimin dhe zbatimin e politikave të reja arsimore. Pjesë e diskutimeve ishte edhe përfaqësuesi i drejtorëve komunalë të arsimit, drejtori i DKA-së në Drenas, Muhamet Gjoka, i cili shprehu mirënjohjen për përfshirjen e komunave në këtë proces të rëndësishëm.
Hartimi i një strategjie afatgjatë është një mundësi për të reflektuar mbi sfidat që arsimi në Kosovë vazhdon të përballet, si cilësia e mësimdhënies, rezultatet e nxënësve, zhvillimi profesional i mësimdhënësve, përfshirja e teknologjisë në procesin mësimor dhe krijimi i një mjedisi ku çdo fëmijë ka mundësi të zhvillojë potencialin e tij. Për këtë arsye, është thelbësore që strategjia të mos mbetet vetëm një dokument, por të shoqërohet me objektiva të matshme, investime të qëndrueshme, dhe monitorim të vazhdueshëm të zbatimit të saj në realitet.
Prindërimi e mirëpret këtë iniciativë dhe e konsideron hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+ një mundësi të rëndësishme për të adresuar sfidat me të cilat përballet arsimi në Kosovë. Investimi në arsimin parauniversitar është investim i drejtpërdrejtë në zhvillimin akademik, social dhe emocional të fëmijëve tanë, si dhe në ndërtimin e një shoqërie më të përgatitur për të ardhmen në përgjithësi.
Po aq i rëndësishëm është edhe zëri i prindërve, mësimdhënësve dhe komunitetit, të cilët përjetojnë çdo ditë realitetin e shkollave tona. Përfshirja e tyre në diskutime dhe konsultime mund të ndihmojë që politikat e reja të jenë më afër nevojave reale të nxënësve dhe familjeve.
Besojmë se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet nivelit qendror, komunave, shkollave, mësimdhënësve, prindërve dhe vetë nxënësve mund të ndërtohet një sistem arsimor cilësor dhe i qëndrueshëm. Prandaj, inkurajojmë drejtoritë komunale të arsimit që të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë proces, duke propozuar zgjidhje konkrete dhe objektiva të realizueshme që do të sjellin përmirësime të prekshme për nxënësit dhe shkollat në të gjithë Kosovën.
