Një projekt njëvjeçar për ndërtimin e një maketi në shkallë të shkollës dhe komunitetit përreth i ndihmoi nxënësit të lidhnin konceptet e mësuara në klasë me zbatimin e tyre në jetën reale.
Ishte java e parë e mësimit të gjeometrisë në klasën e nëntë, në një shkollë të re të mesme në Jersey City, dhe kishte ardhur koha që nxënësit të përsërisnin konceptet e matjes. Nxënësit u ndanë në çifte dhe secilit çift iu dha një lëmsh peri, një palë gërshërë dhe një vizore matëse prej afërsisht 91 centimetrash.
Pa u dhënë udhëzime se si t’i përdornin këto mjete, u dhashë 30 minuta për të përcaktuar gjatësinë, gjerësinë dhe gjatësinë e diagonales së një parku të vogël përballë shkollës sonë. Shumica e çifteve shpalosën disa metra pe, duke menduar se detyra kërkonte përdorimin e të gjitha materialeve të ofruara. Megjithatë, disa nxënës zgjodhën një qasje tjetër.
Kur u mblodhëm përsëri, një grup tregoi se nuk e kishte përdorur fare perin. Ata kishin matur një pllakë të vetme dhe kishin numëruar pllakat përgjatë secilës anë të parkut. Disa nxënës reaguan me pakënaqësi: “Ata nuk e përdorën perin!”, ndërsa unë iu përgjigja: “Nuk ju thashë asnjëherë se duhej ta përdornit.”
Më pas, një nxënës tregoi me ndrojtje se grupi i tij kishte përdorur aplikacionin për matje në telefon. Edhe pse kjo nuk ishte mënyra që do të preferoja, e vlerësova faktin që ata kishin marrë në konsideratë të gjitha mjetet në dispozicion për ta përmbushur detyrën.
Detyra e matjes ishte e para në një seri aktivitetesh që shërbyen si bosht i të nxënit me qëllim gjatë gjithë vitit shkollor. Sot, më shumë se kurrë, nxënësit kanë arsye të vënë në pikëpyetje qëllimin e çdo përvoje mësimore. Atëherë, pse të mos i paraprijmë kësaj pyetjeje?
Cilat janë objektivat e lëndës suaj dhe pse janë të rëndësishme? Në vend që thjesht t’u tregoni nxënësve pse diçka është e rëndësishme, përpiquni ta lidhni atë me një qëllim konkret.
Pasi diskutuam disa ide me klasën, nxënësit u entuziazmuan për mundësinë e krijimit të një maketi në shkallë të shkollës sonë dhe komunitetit përreth.
Faza 1: Përvoja mësimore të planifikuara me kujdes
Fillimisht, mësimdhënësi i dizajnit dhe unë krijuam një prototip, duke dokumentuar çdo aftësi akademike që përdorëm gjatë procesit.
Pasi u siguruam se të gjitha aftësitë e nevojshme përfshiheshin në lëndët tona, hartuam një plan kohor, duke u kujdesur që nxënësit të mund t’i përdornin njohuritë në momentin kur u nevojiteshin dhe të shmangnim përsëritjet e panevojshme.
Pas hartimit të planit, u përqendruam në vendosjen e secilës përvojë mësimore në një kontekst të caktuar, për t’i ndihmuar nxënësit të krijonin lidhje ndërmjet njohurive në të ardhmen.
Përcaktimi i përmasave të bazës së një ndërtese
Në vend që të merrnin pjesë në një orë tradicionale për perimetrin, nxënësit e kuptuan rëndësinë e kësaj aftësie përmes detyrës së matjes që iu caktua gjatë javës së parë. Zgjidhja e problemeve, lëvizja fizike dhe diskutimet e përfshira në këtë aktivitet e bënë atë të paharrueshëm.
Disa muaj më vonë, kur nxënësve iu desh të përcaktonin përmasat e bazës së ndërtesës së tyre, nuk ishte e nevojshme që kjo aftësi të mësohej përsëri.
Përcaktimi dhe përdorimi i shkallës së zvogëlimit
Meqenëse koncepti i shkallës do të përdorej disa herë gjatë projektit, ishte e rëndësishme që nxënësit ta kuptonin atë në mënyrë të thelluar. Gjatë kësaj njësie mësimore, klasa zhvilloi një hulumtim që kërkonte krahasimin e madhësisë së parkut Liberty State Park me Central Park.
Nxënësit u befasuan kur zbuluan se parku i tyre lokal ishte më i madh se parku më i famshëm në rajon. Duke mos e besuar rezultatin, shumë prej tyre u motivuan t’i kontrollonin dhe t’i rikontrollonin me kujdes llogaritjet e tyre.
Përcaktimi i lartësisë së ndërtesës
Gjatë viteve të mëparshme të mësimdhënies së gjeometrisë, u kërkoja nxënësve të llogaritnin lartësinë e ndërtesave në lagje, duke përdorur njohuritë nga njësia mësimore e trigonometrisë. Edhe pse zakonisht e pëlqenin këtë detyrë, shpesh pyesja veten: “Pse duhet të motivohen nxënësit për të përcaktuar lartësinë e këtyre ndërtesave? A ishte kjo vetëm për të kënaqur kureshtjen tonë?”
Tani, duke pasur një qëllim më të madh, kjo detyrë u organizua për t’i shërbyer një qëllimi të mirëfilltë, duke u bërë pjesa qendrore e projektit tonë të maketit tredimensional. Secili grup krijoi një klinometër, një pajisje të përbërë nga një pipëz e vendosur në bazën e një këndmatësi dhe një pe me një peshë të varur, që përdorej për të përcaktuar këndin e ngritjes.
Nxënësit do të përcaktonin lartësinë e ndërtesës që u ishte caktuar, jo sepse dikush ua kishte kërkuar, por sepse kjo u nevojitej për të arritur një qëllim më të madh.
Krijimi i një modeli 3D në Tinkercad
Krijimi i modeleve tredimensionale ishte një pjesë themelore e përvojës së nxënësve në lëndën e dizajnit dhe fabrikimit. Prandaj, bashkëpunimi im me mësimdhënësin e kësaj lënde ishte thelbësor. Me kalimin e vitit shkollor, projektet e nxënësve u bënë gjithnjë e më të avancuara. Kur erdhi koha për të krijuar modelet e tyre, ata kishin fituar përvojë të mjaftueshme për ta bërë këtë me shumë pak ose aspak udhëzime.
Falë përvojave të planifikuara me kujdes, realizimi i këtij projekti nuk mori kohë nga orët e vlefshme mësimore. Përkundrazi, ai i bashkoi të gjitha njohuritë dhe aftësitë në funksion të një qëllimi të dukshëm dhe konkret.
Faza 2: Bashkimi i të gjitha njohurive dhe aftësive
Nga fundi i dimrit, jo vetëm që nxënësit e mi ishin të gatshëm të ndërtonin modelet e tyre, por edhe nxënës të tjerë të shkollës kishin dëgjuar për projektin dhe dëshironin të merrnin pjesë. Mësimdhënësi i dizajnit dhe unë u takuam përsëri për të shqyrtuar pyetjet e mëposhtme.
Si t’i përfshijmë në mënyrë kuptimplotë nxënësit me aftësi të ndryshme?
Duke u bazuar në performancën e nxënësve gjatë detyrave të fazës së parë, formuam në mënyrë strategjike ekipe me nga dy ose tre nxënës. U siguruam që për secilën aftësi të nevojshme në matematikë dhe dizajn, të paktën një anëtar i ekipit ta kishte demonstruar zotërimin e saj. Gjithashtu, nxënësve që ndiqnin lëndën Algjebra I nuk iu kërkua të përfundonin pjesën e detyrës që përfshinte trigonometrinë.
Si do t’u caktoheshin ndërtesat nxënësve?
Pasi u organizuan në ekipe, nxënësit paraqitën tri zgjedhje, së bashku me arsyetimet e tyre. Gjatë procesit të miratimit kishim dy kushte: të gjitha ndërtesat duhej të ndodheshin brenda kufijve të përcaktuar dhe asnjë ndërtesë nuk mund të modelohej dy herë. Shumica e grupeve morën zgjedhjen e tyre të parë. Në rastet e rralla kur kjo nuk ishte e mundur, një ekip mësimdhënësish merrte vendimin duke u bazuar në arsyetimin më bindës.
Në një rast, një nxënësi iu caktua shtëpia e tij. Në një rast tjetër, nxënësve që kishin demonstruar aftësi më të zhvilluara dhe dëshirë më të madhe për të avancuar njohuritë e tyre në dizajn dhe fabrikim, iu caktua një ndërtesë më komplekse.
Cili është ekuilibri i duhur ndërmjet autonomisë së nxënësve dhe ofrimit të udhëzimeve të qarta?
Nxënësve u ofruam udhëzime të qarta, pa cenuar autonominë dhe mundësinë e tyre për të marrë vendime.
Udhëzimet përfshinin:
– Videomësime të aksesueshme përmes lidhjeve;
– Udhëzime hap pas hapi, të shoqëruara me pamje nga ekrani;
– Një plan kohor që përcaktonte qartë afatet për përfundimin e secilës pjesë të detyrës;
– Një rubrikë të qartë vlerësimi, që shpjegonte mënyrën se si do të përcaktoheshin notat.
Të nxitur nga dëshira për të arritur qëllimin tonë të përbashkët, angazhimi i nxënësve mbeti i lartë gjatë gjithë vitit dhe rezultati ishte i shkëlqyer. Edhe pse jo çdo model i krijuar nga ekipet ishte një kopje e përkryer e ndërtesës përkatëse, shumica e tyre ishin jashtëzakonisht të ngjashme me ndërtesat reale. Megjithatë, përfitimet e kësaj qasjeje nuk u kufizuan vetëm te maketi përfundimtar i shkollës sonë.
Krahasuar me vitet e mëparshme të mësimdhënies së kësaj lënde, u befasova kur kuptova se, përmes planifikimit të kujdesshëm, kishim arritur të realizonim më shumë në më pak kohë. Gjithashtu, vërejta një ndryshim të dukshëm në performancën e nxënësve në vlerësime të ndryshme, duke përfshirë edhe testet përmbledhëse.
Angazhimi i nxënësve përmes lidhjes së të nxënit me një qëllim më të madh mund të pasurojë kurrikulat tona dhe, njëkohësisht, të thellojë procesin e të nxënit.
Edutopia
Prinderimi.com
