“Pse ma bëri këtë?” “Ndoshta nuk më pëlqen.” “Ai e bëri me qëllim!” Fëmijët mund të nxjerrin shpejt përfundime për njerëzit e tjerë, veçanërisht kur ndihen të lënduar ose të përjashtuar. Por mënyra se si një fëmijë ”interpreton qëllimet e të tjerëve” është një aftësi që mund të zhvillohet dhe të udhëhiqet nga prindërit.
Të mendosh mirë për të tjerët nuk do të thotë të jesh naiv apo të besosh gjithmonë se të gjithë kanë qëllime të mira. Do të thotë të mos e gjykosh menjëherë një person pa e ditur të vërtetën, të kërkosh shpjegime alternative, dhe të tregosh mirëkuptim para se të nxjerrësh një përfundim.
Fëmijët mësojnë të shohin përtej vetes
Empatia dhe sjellja prosociale zhvillohen gjatë fëmijërisë. Hulumtimet tregojnë se fëmijët më empatikë priren të shfaqin më shumë sjellje ndihmuese dhe më pak agresivitet. Prindi mund ta zhvillojë këtë aftësi përmes pyetjeve të thjeshta: “Si mendon se u ndje ai?”, “A mund të ketë ndodhur diçka që nuk e dimë?” ose “Si do të ndiheshe ti në vendin e tij?” Këto pyetje e ndihmojnë fëmijën të largohet për një moment nga këndvështrimi i vet dhe të imagjinojë përvojën e tjetrit.
Çfarë ndodh në tru?
Fëmijëria është periudhë e rëndësishme për zhvillimin e lidhjeve nervore që mbështesin vëmendjen, kontrollin e emocioneve, kuptimin social dhe marrjen e vendimeve. Marrëdhëniet e qëndrueshme dhe ndërveprimet e përgjegjshme me prindërit ndihmojnë në ndërtimin dhe forcimin e arkitekturës së trurit në zhvillim.
Prandaj, kur prindi e mëson fëmijën të ndalojë, të qetësohet dhe të marrë parasysh edhe këndvështrimin e një personi tjetër, ai nuk po jep vetëm një këshillë morale. Po e ndihmon fëmijën të praktikojë aftësi të rëndësishme sociale dhe emocionale.
Si ta mësojmë?
1.Mos e ushqeni gjykimin e menjëhershëm. Nëse fëmija thotë: “Ai nuk më ftoi sepse nuk më do”, mos u përgjigjni menjëherë duke e konfirmuar. Pyeteni: “A je i sigurt? Çfarë mund të ketë ndodhur tjetër?”
2.Modeloni ju vetë mendimin e drejtë. Fëmijët vëzhgojnë mënyrën si prindërit flasin për fqinjët, mësuesit, të afërmit dhe njerëzit që kanë mendime të ndryshme. Nëse dëgjojnë vazhdimisht përçmim dhe gjykime, mësojnë të njëjtin model.
3.Mësojini të kërkojnë të mirën. Kur dikush gabon, pyeteni fëmijën: “A mund ta korrigjojmë sjelljen pa e urryer personin?”
4.Lidhni mirësinë me përgjegjësinë morale. Fëmija mund të mësojë se nderimi i tjetrit, drejtësia, falja, mëshira dhe mosgjykimi i padrejtë janë vlera që shfaqen në veprime konkrete.
5.Jepuni njerzëzve kohë.Mësoni fëmijët që t’iu japin kohë miqve/njerëzve rreth tyre dhe qëllimeve të tyre. Gjithçka bëhet e qartë me kalimun e kohës, prandaj nuk duhet asnjëherë të nxitojmë në gjykime.
6.Udhëzoni fënijë tuaj drejt zhvillimit personal. Mësimi i gjërave apo aftësive të dobishme i bën fëmijët më aktiv dhe kështu ata fillojnë ta shohin potencialin në veten e tyre duke u shtuar.Kjo ju jep atyre vetëbesim dhe mendim të mirë për veten, mendjeprehtësi të duhur në raporte, gjë që kthehet edhe në raport të shëndoshë edhe me fëmijët e tjerë.
7. Shoqëroni fëmijët tuaj me miq të edukuar. Kjo ju jep fëmijëve mundësinë të shohin praktikisht sjellje të mira dhe vlera morale të cilat i përvetësojnë me lehtësi.
Megjithatë, fëmijës duhet t’i mësojmë edhe kufijtë dhe dallimin mes mirësisë dhe besimit të verbër. Të mendosh mirë për dikë nuk do të thotë të tolerosh sjellje të dëmshme. Një fëmijë mund të mësojë të mos nxitojë në gjykime dhe, njëkohësisht, të kuptojë se disa sjellje janë të papranueshme. Prindi mund t’i mësojë të pyesë: “A kam prova për atë që po mendoj?”, por edhe: “A po ndihem i pasigurt? A po respektohen kufijtë e mi?” Kështu, empatia shoqërohet me mendim kritik, vetëmbrojtje dhe mençuri. Të mendosh mirë për dikë është virtyt; të besosh verbërisht nuk është.
Në fund, synimi nuk është të rrisim fëmijë që mendojnë se bota është gjithmonë e mirë. Synimi është të rrisim fëmijë që nuk nxitojnë të mendojnë keq për të tjerët, që kërkojnë të vërtetën, tregojnë mëshirë dhe dinë të gjykojnë me drejtësi.
Kjo është një formë e rëndësishme e edukimit të karakterit: para se të gjykosh një njeri, përpiqu ta kuptosh.
Prinderimi.com
