“Jam në një dhomë me njerëz që i dua”, tha Sonia Sotomayor, gjyqtare e asociuar e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, gjatë Konferencës dhe Ekspozitës Vjetore të Shoqatës Amerikane të Bibliotekave, më 22 qershor. Ndër njerëzit e mi të preferuar në botë janë bibliotekarët. Ju ua hapni botën fëmijëve. Ju dua, ndaj ju falënderoj që më ftuat këtu sot.
Biseda e saj u moderua nga redaktorja e saj prej shumë vitesh, Jill Santopolo, botuese e asociuar e Philomel Books. Sotomayor tregoi se, kur ishte fëmijë, nuk mund të qëndronte kurrë gjatë në një vend, dhe së shpejti nisi të ecte nëpër korridoret e sallës së aktivitetit, e ndjekur nga afër nga ekipi i saj i sigurisë.
Sotomayor tha se filloi të shkruante libra si një mënyrë për të qëndruar e lidhur me veten pasi u emërua në Gjykatën e Lartë. Ajo kaloi nga një punë e rëndësishme, por relativisht anonime, në Nju Jork, në një rol shumë publik në Uashington, i cili herë pas here përfshinte darka me presidentin ose hedhjen e topit të parë në stadiumin Yankee. Kështu, ajo nisi të mendonte seriozisht dhe thellë për jetën e saj, për atë se kush ishte dhe si kishte arritur deri aty. Këto reflektime u shndërruan përfundimisht në autobiografinë e saj, ”My Beloved World” (Bota ime e dashur).
Kushërira e saj, mësuese e arsimit dygjuhësh, e nxiti të shkruante një version të librit për nxënësit e ciklit të mesëm, në anglisht dhe spanjisht (The Beloved World of Sonia Sotomayor). Kjo e frymëzoi Sotomayor të shkruante edhe një libër tjetër për fëmijët më të vegjël, ”Turning Pages/Pasando páginas” (Duke kthyer faqet).
Libri i saj i ri, Just Ask! (Thjesht pyet!), ishte një vepër që, sipas saj, kishte dashur ta shkruante prej vitesh. Frymëzimi lidhej me një ngjarje të pakëndshme kur, shumë vite më parë, një klient tjetër në një restorant e akuzoi se ishte e varur nga droga pasi e pa duke injektuar insulinë në tualet.
Just Ask! është një libër me histori dhe mesazhe që Sotomayor dëshironte t’i përcillte në emër të fëmijëve që përballen me sfida të ndryshme, ashtu siç kishte përjetuar edhe ajo vetë. Ajo shpreson që lexuesit të mësojnë ”të mos nxitojnë të mendojnë më të keqen për dikë vetëm sepse po e shohin duke bërë diçka që nuk e kuptojnë.”
Kur Sotomayor ishte fëmijë, dega Parkchester e Bibliotekës Publike të Nju Jorkut u bë streha e saj pas vdekjes së babait. Nëse shkoja në bibliotekë, tregoi ajo, mund të largohesha për disa orë nga trishtimi në shtëpinë time. Librat që gjeti atje luajtën gjithashtu një rol në orientimin e saj drejt rrugës që do ta çonte më vonë drejt studimit të drejtësisë.
Një libër rreth fëmijëve, i shkruar nga William Golding pati një ndikim të veçantë tek ajo. Sotomayor tha se e gjeti veten te fëmijët e mbetur në një ishull të shkretë, instinkti i parë i të cilëve ishte të ndiqnin rregullat që u kishin mësuar të rriturit, por që përfundimisht përballen me një tragjedi.
Ky libër më dha një kuptim që e kam mbartur me vete që atëherë, tha Sotomayor. Ne kemi nevojë për ligje. Na duhen për të jetuar së bashku, për të mbijetuar si komunitet. Sipas saj, morali nuk është diçka që vjen automatikisht; aftësia për të jetuar si komunitet është diçka që mësohet.
Sotomayor tha se nuk e kishte konsideruar kurrë një rrugë tjetër profesionale. E kam dashur gjithçka që kam bërë në fushën e drejtësisë. Jam një shembull i gjallë i dikujt që e ka jetuar jetën përtej asaj që kishte ëndërruar ndonjëherë.
Artikull nga: Amy Carlton
Përkthim: Prinderimi.com
