Trungu familjar është një mënyrë e bukur për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë më shumë për familjen e tyre, prejardhjen, dhe historinë që i ka sjellë deri te brezi i sotëm.
Në kulturën tonë, familja dhe lidhjet ndërmjet brezave kanë një rëndësi të veçantë. Të mësuarit për gjyshërit, stërgjyshërit, vendet nga kanë ardhur paraardhësit, dhe traditat që janë ruajtur ndër vite, mund t’u japë fëmijëve një ndjenjë më të fortë përkatësie dhe identiteti. Krijimi i një trungu familjar është një aktivitet i thjeshtë që mund të bëhet në shtëpi, dhe mund të shndërrohet në një mundësi të çmuar për biseda mes fëmijëve dhe prindërve apo gjyshërve.
Përfitimet e trungut familjar për fëmijët
1.I ndihmon fëmijët të kuptojnë identitetin e tyre
Fëmijët shpesh kanë pyetje si: “Nga vijmë?”, “Kush kanë qenë gjyshërit tanë?”, “Pse familja jonë jeton në këtë vend?” Një trung familjar u ndihmon atyre të kuptojnë rrënjët e tyre dhe të shohin veten si pjesë të një historie më të madhe. Për shembull, një fëmijë mund të mësojë se stërgjyshi i tij ka jetuar në një fshat të caktuar të Kosovës, ka pasur një profesion të veçantë ose ka kaluar periudha të rëndësishme historike. Këto histori e ndihmojnë fëmijën të krijojë një lidhje më të thellë me familjen dhe vendin e tij.
2.Ruajnë historitë dhe kujtimet familjare
Shumë histori familjare ruhen përmes tregimeve të gjyshërve dhe të afërmve më të moshuar. Krijimi i një trungu familjar mund të jetë një arsye që fëmijët të ulen me gjyshërit dhe t’i pyesin ata për të kaluarën:
- Ku kanë lindur?
- Si ka qenë jeta kur kanë qenë të vegjël?
- Cilat tradita familjare janë ruajtur ndër breza?
- Cilat kanë qenë sfidat që familja ka përballuar?
Këto biseda jo vetëm ruajnë kujtesën familjare, por krijojnë edhe lidhje më të forta emocionale ndërmjet brezave.
3.Zhvillon interesin për historinë
Historia mund të duket larg për fëmijët, por ajo bëhet më kuptimplotë kur lidhet me familjen e tyre. Kur fëmijët mësojnë për përvojat e paraardhësve të tyre, ata fillojnë ta shohin historinë jo vetëm si data dhe ngjarje në libra, por si histori njerëzish realë.
Për shembull, tregimet për jetën e gjyshërve gjatë periudhave të ndryshme në Kosovë mund t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë më mirë të kaluarën.
4.Forcon lidhjen me familjen
Trungu familjar mund t’i ndihmojë fëmijët të ndihen më afër me familjarët e tyre. Ata mund të zbulojnë ngjashmëri me gjyshërit, hallat, tezet, dajat, xhaxhallarët ose kushërinjtë – qoftë në karakter, interesa apo aftësi. Kjo i ndihmon ata të krijojnë një ndjenjë më të fortë lidhjeje dhe përkatësie.
5.Ndihmon në zhvillimin e empatisë dhe mirënjohjes
Kur fëmijët dëgjojnë për vështirësitë që kanë kaluar brezat para tyre, ata mësojnë të vlerësojnë më shumë përpjekjet e familjes së tyre. Tregimet për sakrificat, punën, sfidat dhe arritjet e paraardhësve mund t’u mësojnë fëmijëve rëndësinë e këmbënguljes, mirënjohjes dhe respektit.
Si të krijoni një trung familjar me fëmijët
Nuk ka një mënyrë të vetme për të krijuar një trung familjar. Ai mund të jetë i thjeshtë ose shumë i detajuar, varësisht nga informacioni që familja ka.
Model i trungut familjar për fëmijë (Fletë pune për t’u plotësuar)
Për ta bërë këtë aktivitet më të lehtë dhe argëtues për fëmijët, mund të përdorni modelin tonë të trungut familjar. Fëmijët mund ta plotësojnë atë me emrat e prindërve, gjyshërve dhe të afërmve të tyre, duke shtuar edhe fotografi ose vizatime të familjarëve.
Shkarkoni fletën e punës për trungun familjar dhe plotësojeni së bashku me fëmijën tuaj:

Një trung bazë mund të përfshijë:
- fëmijën;
- prindërit;
- gjyshërit nga të dyja anët;
- stërgjyshërit.
Mund të shtohen edhe:
- vëllezërit dhe motrat;
- hallat, tezet, dajat dhe xhaxhallarët;
kushërinjtë; - fotografi të anëtarëve të familjes
Hapat për krijimin e trungut familjar.
Mblidhni informacion për anëtarët e familjes
Filloni duke biseduar me anëtarët e familjes.
Mund të mblidhni:
- emrat dhe mbiemrat;
- vendlindjen;
- datat e lindjes;
- profesionet;
- fotografitë;
- histori ose kujtime familjare.
Gjyshërit shpesh janë burimi më i mirë për këto tregime.
2. Krijoni trungun familjar
Në një fletë të madhe ose karton, vendosni fëmijën në fund dhe brezat më të vjetër sipër tij. Përdorni figura, foto (fotografi ilustruese), ose vizatime për ta bërë aktivitetin më argëtues.
3. Ndajeni me familjen
Kur trungu familjar të përfundojë, shikojeni së bashku me familjen. Mund të jetë një mundësi e bukur që fëmijët të dëgjojnë histori të reja dhe të krijojnë kujtime me prindërit dhe gjyshërit.
Artikull nga: Jenna Wirth
Përkthim: Prinderimi.com
