Prindi që bashkëpunon me shkollën, ndërton të ardhmen e fëmijës së vet
Gjatë përvojës sime mbi 40-vjeçare në arsim, kam pasur rastin të bashkëpunoj me shumë prindër, mësimdhënës dhe nxënës, dhe të përjetoj nga afër të gjitha sfidat dhe sukseset që ndodhin gjatë një viti shkollor. E them me bindje: kur prindërit dhe shkolla bashkëpunojnë ngushtë dhe me respekt të ndërsjellë, rezultatet e fëmijëve janë më të mira dhe më të qëndrueshme.
Me kënaqësi vërej se në shkollat tona ka shumë prindër që tregojnë kujdes të vazhdueshëm për fëmijët e tyre. Ata janë të pranishëm gjatë tërë vitit, interesohen për përparimin e tyre, komunikojnë me mësimdhënësit me mirëkuptim dhe janë mbështetja më e fortë për fëmijët e tyre. Këta prindër e kuptojnë se edukimi është proces i përbashkët, dhe kjo reflektohet drejtpërdrejt në suksesin e fëmijëve.
Por një realitet tjetër që ne në shkolla e përjetojmë çdo vit është edhe ky: ka prindër që, për arsye të ndryshme, gjatë gjithë vitit nuk tregojnë interesim për suksesin e fëmijëve, nuk i ndjekin takimet me mësimdhënësit dhe nuk interesohen për sfidat që hasin fëmijët e tyre. Por në muajt e fundit të vitit shkollor, shfaqen me kërkesa të ngutshme, duke kërkuar që fëmijët e tyre të përfundojnë me notën më të lartë, pavarësisht arritjeve të tyre reale. Ndonjëherë, këto kërkesa shkojnë deri në drejtori, me qëllim ndërhyrjeje për përmirësimin e notave.
Nga përvoja ime, e shoh këtë si një sfidë që dëmton procesin edukativo-arsimor dhe, më e rëndësishmja, vetë fëmijët. Sepse fëmijët duhet të mësohen se suksesi arrihet me punë, përkushtim dhe përgjegjësi personale, jo me ndërhyrje apo presione të momentit.
Prandaj, mesazhi im nga përvoja është i qartë: bashkëpunimi i prindit me shkollën duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i sinqertë gjatë gjithë vitit, jo vetëm në muajt e fundit. Vetëm kështu, së bashku, mund të sigurojmë që fëmijët tanë të rriten të suksesshëm dhe të përgjegjshëm, jo vetëm në shkollë, por edhe në jetë.
Fatmir Selimi