Shkolla nuk është vetëm vendi ku fëmijët mësojnë matematikë, gjuhë apo shkencë. Ajo është edhe hapësira ku ata mësojnë si të bashkëjetojnë, të komunikojnë dhe të respektojnë njerëzit që mund të jenë të ndryshëm nga ta. Për këtë arsye, mënyra se si një shkollë reagon ndaj gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit mund të ndikojë drejtpërdrejt në ndjenjën e sigurisë dhe përkatësisë së fëmijëve.
Në këtë drejtim, Mus-e Kosova ka publikuar një Udhëzues Praktik për Psikologët Shkollorë dhe Mësimdhënësit, i cili synon të ofrojë mbështetje konkrete për identifikimin, parandalimin dhe trajtimin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në mjediset shkollore.
Si shfaqet gjuha e urrejtjes?
Gjuha e urrejtjes mund të shfaqet në forma të ndryshme: përmes ofendimeve, etiketimit, talljes, përjashtimit ose komenteve që synojnë një fëmijë për shkak të identitetit, prejardhjes, pamjes, aftësive apo karakteristikave të tjera. Ajo mund të ndodhë gjatë orës mësimore, në oborrin e shkollës, në grupet e nxënësve apo edhe në hapësirat digjitale.
Një shkollë e sigurt kërkon përgjegjësi të përbashkët
Udhëzuesi i ri synon të kontribuojë në krijimin e shkollave më të sigurta dhe gjithëpërfshirëse, ku dinjiteti, diversiteti dhe të drejtat e çdo fëmije respektohen.
Publikimi është hartuar nga Mus-e Kosova me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, përmes veprimit të përbashkët “Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes”, pjesë e programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.
Çfarë përmban udhëzuesi?
Gjeni më poshtë dokumentin e plotë në pdf:
UDHEZUES-PRAKTIK-PËR-PSIKOLOGËT-DHE-MËSIMDHËNËSIT-PARANDALIMI-DHE-REAGIMI-I-GJUHËS
-SË-URREJTJES-NË-SHKOLLA.pdf”]
Udhëzuesi nuk kufizohet vetëm në shpjegimin e konceptit të gjuhës së urrejtjes. Ai ofron mjete konkrete që shkollat mund t’i përdorin në praktikë, duke përfshirë:
- Si të identifikohet gjuha e urrejtjes te fëmijët dhe si të vlerësohet serioziteti dhe niveli i rrezikut.
- Protokoll hap pas hapi për reagimin ndaj një incidenti, nga sigurimi i fëmijës dhe dokumentimi deri te referimi i rastit kur është e nevojshme.
- Udhëzime për bisedën me fëmijët, duke vendosur në qendër sigurinë, dinjitetin, pjesëmarrjen dhe konfidencialitetin e tyre.
- Dallimin mes gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, stereotipeve, paragjykimit, bullizmit, konfliktit dhe fyerjes, në mënyrë që shkolla të mos i trajtojë të gjitha rastet njësoj.
- Skenarë praktikë dhe aktivitete ndërvepruese që mund të përdoren me nxënësit për parandalim, empati dhe kundërvënie ndaj gjuhës së urrejtjes.
- Mjete të gatshme për shkollat, përfshirë listën e kontrollit për identifikim dhe reagim, formularin e raportimit të incidentit, vlerësimin e shpejtë të seriozitetit, planin e veprimit dhe mbështetjes dhe fletën e përcjelljes.
Nga reagimi te parandalimi
Udhëzuesi synon t’i ndihmojë profesionistët e shkollës të mos kufizohen vetëm në reagimin pas një incidenti. Ai përfshin hapa praktikë për trajtimin e rasteve, skenarë të bazuar në situata të mjedisit shkollor, aktivitete ndërvepruese dhe këshilla për komunikimin e sigurt me fëmijët.
Një qasje e tillë mund t’u ndihmojë mësimdhënësve të dallojnë më herët sjelljet problematike dhe të krijojnë hapësirë ku nxënësit ndihen të sigurt për të treguar çfarë po përjetojnë.
Prinderimi.com
