Në një kohë kur inteligjenca artificiale po hyn gjithnjë e më shumë në jetën e fëmijëve, New York City ka marrë një vendim që po ngjall diskutime: përdorimi i inteligjencës artificiale gjenerative nga nxënësit deri në klasën e 8-të do të ndalohet për një vit shkollor.
Politika e re e New York City Public Schools zbatohet gjatë vitit shkollor 2026–2027 dhe prek rreth 600 mijë nxënës. Ajo ndalon përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale që janë të drejtuara te nxënësit në klasat nga 2-K deri në të 8-tën, ndërsa përdorimi i AI-së nga nxënësit e shkollave të mesme do të lejohet vetëm në mënyrë të kufizuar dhe të mbikëqyrur.
“Fëmijët kanë nevojë për mësues dhe për lidhje njerëzore në mënyrë që të mësojnë dhe të zhvillohen. Ata kanë nevojë të zhvillojnë aftësitë e tyre së bashku me bashkëmoshatarët, të krijojnë marrëdhënie me edukatorët dhe të përballen vetë me problemet e vështira,” tha kryebashkiaku Mamdani. “Industria e teknologjisë dëshiron të na bindë se arsimi i hershëm i fuqizuar nga inteligjenca artificiale nuk është vetëm i pashmangshëm, por edhe i domosdoshëm. Ne nuk e shohim në këtë mënyrë. Prandaj, po zbatojmë një moratorium për inteligjencën artificiale gjeneruese për nxënësit nga klasa 2-K deri në klasën e 8-të dhe do ta shfrytëzojmë vitin e ardhshëm për të studiuar ndikimet e kësaj teknologjie.” (Nyc.gov: 2 shtator, 2026)

Vendimi nuk nënkupton se New York-u po i kthen shpinën teknologjisë. Përkundrazi, qyteti dëshiron të përdorë këtë vit për të vlerësuar ndikimin e AI-së te nxënësit dhe për të përcaktuar se si duhet të përdoret ajo në të ardhmen. Ndërkohë, nxënësit më të rritur do të marrin edhe mësime për përdorimin e përgjegjshëm dhe kritik të inteligjencës artificiale.
Por pas këtij vendimi qëndron një ide më e madhe: fëmijët kanë nevojë për kohë për t’u zhvilluar pa pasur gjithmonë një teknologji që mendon në vend të tyre.
Kur një fëmijë përballet me një detyrë të vështirë, është joshëse t’i kërkojë menjëherë përgjigjen një chatbot-i. Por çfarë ndodh me procesin e të menduarit nëse përgjigjja vjen gjithmonë menjëherë? Fëmijët kanë nevojë të provojnë, të gabojnë, të mërziten, të kërkojnë një zgjidhje tjetër dhe ndonjëherë edhe të dështojnë. Pikërisht në këto momente zhvillohen këmbëngulja, kreativiteti dhe aftësia për të zgjidhur problemet.
Ata kanë nevojë gjithashtu për biseda reale: të ngrenë dorën dhe të pyesin mësuesin, të diskutojnë me një shok, të dëgjojnë një këndvështrim tjetër dhe të mësojnë të shprehin mendimet e tyre.
Kjo nuk do të thotë se AI nuk ka vend në arsim. Teknologjia mund të jetë një mjet i dobishëm kur përdoret me qëllim, kufij dhe udhëzim. Por vendimi i New York-ut ngre një pyetje të rëndësishme: A duhet t’u japim fëmijëve akses të pakufizuar në çdo teknologji vetëm sepse ajo ekziston? Ndoshta ndonjëherë përgjigjja është jo.
Po Kosova? A duhet të ndjekë të njëjtën rrugë?
Vendimi i Nju Jorkut ngre një pyetje të rëndësishme edhe për Kosovën: a duhet të kufizohet përdorimi i inteligjencës artificiale në shkollat tona, veçanërisht në klasat e ulëta? Për momentin, një ndalim i plotë si ai i Nju Jorkut nuk do të ishte domosdoshmërisht zgjidhja më e përshtatshme për Kosovën. Së pari, vendi ende nuk ka një kuadër gjithëpërfshirës për përdorimin e AI-së në arsimin parauniversitar. Një analizë e UNICEF-it e publikuar në gusht 2026 vëren se, krahas boshllëqeve në infrastrukturë dhe përgatitjen e mësuesve, mungon edhe një kornizë e plotë për teknologjitë në zhvillim, përfshirë inteligjencën artificiale.
Kjo do të thotë se diskutimi në Kosovë ndoshta duhet të nisë jo nga pyetja “A ta ndalojmë AI-në?”, por nga pyetja “Kur, si dhe për çfarë duhet ta përdorin fëmijët AI-në?”. Strategjia e Arsimit 2035 e ka vendosur digjitalizimin si një nga objektivat kryesore të arsimit dhe ka parashikuar zhvillimin e kompetencave digjitale të nxënësve dhe mësuesve.
Prandaj, Kosova mund të ketë nevojë për një qasje të ndërmjetme: kufizime të qarta për përdorimin e AI-së nga fëmijët më të vegjël, ndalimin e përdorimit të saj për të kryer detyrat në vend të nxënësit dhe rregulla të qarta për privatësinë, vlerësimin dhe integritetin akademik. Në të njëjtën kohë, nxënësit më të rritur mund të mësohen se si ta përdorin AI-në në mënyrë kritike, duke kontrolluar informacionin, duke identifikuar gabimet dhe duke kuptuar se përgjigjja e një chatbot-i nuk është domosdoshmërisht përgjigjja e saktë.
Edhe për mësuesit nevojitet përgatitje.
Në vend që AI të shihet vetëm si kërcënim ose si një mënyrë për ta bërë punën më të shpejtë, shkollat duhet të përcaktojnë se ku ajo mund ta mbështesë mësimin dhe ku duhet të mbetet jashtë procesit. Një shembull i qasjes së kontrolluar tashmë po shihet në iniciativa të mbështetura nga UNICEF-i në Kosovë, ku AI përdoret për të propozuar materiale, ndërsa mësuesi mbetet ai që i shqyrton, i ndryshon dhe i miraton ato.
Ndoshta mësimi më i rëndësishëm nga Nju Jorku nuk është se Kosova duhet ta kopjojë një ndalim njëvjeçar. Është se përpara se t’u japim fëmijëve më shumë AI, duhet të sigurohemi se kemi ndërtuar mekanizmat që mbrojnë të drejtën e tyre për të menduar, krijuar, komunikuar dhe mësuar në mënyrë të pavarur.
Prinderimi.com
