Në vitet e fundit, një numër gjithnjë e më i madh prindërish, edukatorësh dhe profesionistësh të shëndetit mendor po ndeshen me një dukuri që më parë shpesh neglizhohej ose keqinterpretohej: ndjeshmëritë e përpunimit shqisor te fëmijët. Ato nuk janë thjesht preferenca apo “tekate”, por reagime të fuqishme dhe të vërteta të sistemit nervor ndaj stimujve të përditshëm, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin, sjelljen dhe mirëqenien e fëmijëve./prindërimi

Çfarë do të thotë ndjeshmëri shqisore?
Përpunimi shqisor është procesi me të cilin truri merr, organizon dhe jep kuptim të dhënave që marrim përmes shqisave. Për disa fëmijë, ky proces është i ndryshëm dhe shpesh i vështirë. Ata mund të përjetojnë hipersensitivitet – kur ndjesitë janë shumë intensive për ta – ose hiposensitivitet – kur ndjesitë janë shumë të dobëta, ndaj kërkojnë stimuj të fortë.
“Është si një bllokim trafiku në kokën tënde, me sinjale kontradiktore që vijnë nga të gjitha anët”, thekson Nancy Peske, autore dhe nënë e një djali me ndjeshmëri shqisore.
Shenjat që nuk duhen neglizhuar
Simptomat janë të larmishme dhe shpesh konfuze: ndjeshmëri e tepruar ndaj zhurmave, shmangie e përqafimeve, shpërthime të papritura zemërimi apo sjellje ekstreme në mjedise të mbingarkuara. Disa fëmijë kërkojnë lëvizje të vazhdueshme, të tjerë shmangin çdo lloj stimuli. Këto shenja nuk janë shprehje e keqedukimit, por sinjale të vërteta të trurit që po përpiqet të përballojë informacion shqisor në mënyrë jo tipike.
Fëmijët që nuk i përshtaten stereotipeve
Megjithëse ndjeshmëritë shqisore lidhen shpesh me spektrin e autizmit, ato gjithashtu shfaqen edhe te fëmijët me ADHD, çrregullim obsesiv-kompulsiv ose pa ndonjë diagnozë specifike. Sipas studimeve të reja të publikuara në Journal of Autism and Developmental Disorders (2021), rreth 10-16% e fëmijëve në moshë shkollore shfaqin forma të ndryshme të ndjeshmërisë shqisore.
“Fëmijët nuk janë të vështirë. Ata kanë një mënyrë të ndryshme për ta përjetuar botën. Ne duhet të jemi ata që kuptojnë”, shprehet Beth Arky, gazetare dhe hulumtuese e specializuar në çështje të zhvillimit të fëmijëve.
Pse ndodh kjo?
Shkaqet janë të ndërlikuara dhe shpesh ndërthuren. Gjenetika luan një rol të rëndësishëm, por gjithashtu ndikojnë faktorët prenatalë si ekspozimi ndaj toksinave, lindja e parakohshme apo ndërlikimet gjatë lindjes. Po ashtu, problemet në sistemin vestibular dhe proprioceptiv (të cilët lidhen me ndjenjën e ekuilibrit dhe vetëdijes trupore) luajnë rol kyç në zhvillimin e ndjeshmërive shqisore.
Si mund ta ndihmojmë fëmijën?
Qasja fillon me vëzhgimin e kujdesshëm dhe identifikimin e hershëm të simptomave. Prindërit duhet të kuptojnë se reagimet e fëmijës nuk janë një sfidë personale, por një nevojë reale. Më pas, ndihma profesionale – si terapia e integrimit shqisor – është e domosdoshme për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë strategji vetërregullimi. Një tjetër element vendimtar është mjedisi: mjediset e qeta, të strukturuara dhe me stimuj të kontrolluar janë çelësi për përfshirje më të lehtë të këtyre fëmijëve në jetën sociale dhe shkollore.
Në shtëpi, prindërit mund të aplikojnë rutina të qëndrueshme, kohë të mjaftueshme pushimi, lëvizje të planifikuar dhe objekte ndihmëse si jastëkë peshe apo lodra sensorike. Shkollat gjithashtu mund të ofrojnë ambiente të ndjeshme ndaj shqisave dhe të përfshijnë terapistë të specializuar për fëmijët me këto nevoja.
Mos i etiketo, por kuptoji
Shumë fëmijë me ndjeshmëri shqisore janë etiketuar si “të papjekur”, “të padisiplinuar” apo “të vështirë”, gjë që e përkeqëson edhe më shumë gjendjen e tyre. Në vend të kësaj, është e rëndësishme që prindërit dhe edukatorët të ndërtojnë një kuptim të thellë të kësaj dukurie dhe të jenë mbështetës, jo gjykues.
“Kur një prind më në fund e kupton që sjellja e fëmijës së tij nuk është një ‘problem sjelljeje’, por një nevojë e pazëshme për ndihmë, ndryshon gjithçka”, thotë Lindsey Biel, terapiste e punës dhe bashkautore e librit “Raising a Sensory Smart Child”.

