Në një kohë kur prindërit përballen çdo ditë me kërkesa të reja nga fëmijët, shpesh të diktuara nga rrjetet sociale, lodra si “Labubu” po shfaqen si trende të pakontrolluara që ndikojnë më shumë sesa duket. Me pamje të çuditshme, por me një magnetizëm të çuditshëm emocional, Labubu po bëhet simbol i një realiteti të ri: tërheqja drejt trendeve të formës pa përmbajtje. Por a duhet t’i nënshtrohemi presionit që vjen me lotët dhe frazën “të gjithë e kanë”?

Çfarë është “Labubu”?
Labubu nuk është një kukull në kuptimin tradicional. E krijuar nga artisti Kasing Lung, është një figurë me dhëmbë të mëdhenj, sy të shprehshëm, veshë të gjatë, një krijesë që më shumë ngjall konfuzion sesa afeksion. Ndryshe nga lodrat klasike që nxisin lojë, kujdes apo ndjeshmëri, Labubu nuk ofron një funksionalitet të qartë për fëmijët. Ajo është simbol i një bote më të errët, më ironike dhe shpeshherë i një botë për të rritur.
Është një kukull prej pelushi. Është një kukull në formë qeseje. Është një objekt koleksionimi që së fundmi u shit për një çmim gjashtëshifror. Javën e kaluar, një figurë Labubu në madhësi reale u shit për më shumë se 170,000 dollarë në ankandin e parë të artit Labubu të organizuar nga Yongle Auction në Kinë. Sipas Yongle, eventi tërhoqi gati 1,000 ofertues.
Pse është bërë kaq e famshme?
1. Trendi “Cute but Weird”
Të qenit njëherazi “i ëmbël” dhe “i çuditshëm” është kthyer në stil dominues në kulturën pop, sidomos në rrjete si TikTok dhe Instagram. Labubu përputhet për mrekulli me këtë frymë, ndaj fëmijët e imitojnë pa e kuptuar.
2. Shprehje emocionale e botës së të rriturve
Shumë përdorues e shohin Labubu si simbol të ndjeshmërisë, vetmisë apo humorit të errët. Por fëmijët nuk kanë ende strukturën emocionale për ta përballuar ose kuptuar këtë lloj simbolike, dhe në mungesë të saj, imitojnë verbërisht.
3. Presioni social dhe përjashtimi
Kur një lodër bëhet virale, fëmijët përballen me ndjesinë e izolimit nëse nuk e kanë. Për ta, “të gjithë e kanë, vetëm unë jo” nuk është thjesht dëshirë, është ndjesi braktisjeje. Kukullat Labubu vijnë në ngjyra të ndryshme dhe shiten në “kuti të verbëra”, që do të thotë se figura brenda është një mister derisa të hapet. Një pjesë e atraktivitetit është elementi i surprizës dhe mundësia për të hapur kutinë e një kukulle të rrallë “sekrete”.

Rreziqet që mbart trendi “Labubu”
Fëmijët nuk kanë filtrat për të kuptuar që një lodër si kjo është më shumë artefakt kulturor sesa objekt loje. Kjo e bën rrezikun më të thellë: fëmijët fillojnë të lidhin emocionet e tyre me objekte që nuk përfaqësojnë vlera pozitive, dhe shpesh i largojnë nga ndërveprimi me botën reale.
Por nuk ka dyshim se buzëqeshjet e tyre djallëzore dhe me dhëmbë, si dhe trupat e tyre me qime, janë bërë një sensacion global – duke shkaktuar radhë të gjata jashtë dyqaneve të lodrave, duke i shitur të gjitha në internet brenda pak minutash dhe duke u listuar në tregjet e rishitjes me dyfishin ose trefishin e çmimit të tyre origjinal.
Prindërit shpesh përballen me “shantazhin emocional” të lotëve, por nënshtrimi ndaj çdo trendi vetëm sa e forcon këtë sjellje.
Çfarë mund të bëjmë si prindër?
-
Flisni hapur me fëmijën tuaj: Pyeteni pse e do lodrën dhe përpiquni të kuptoni emocionet që e lidhin me të.
-
Vendosni kufij të shëndetshëm: Jo çdo dëshirë duhet të plotësohet, sidomos kur bëhet fjalë për ndikime të tilla negative, pa vlera edukative.
-
Ofroni alternativa me vlerë: Krijoni mundësi për lojë kreative, bashkëbisedim dhe ndërveprim që forcojnë ndjenjën e përkatësisë reale.
-
Diskutoni trendet në mënyrë kritike: U mësoni fëmijëve që jo gjithçka që është popullore është domosdoshmërisht e mirë për ta. Në rastin e kukullave, shpjegoni për rëndësinë e gjërave reale.
-
Ndërtoni rezistencë emocionale: Fëmijët që mësohen të presin, të kuptojnë, të reflektojnë, janë më të përgatitur për të përballuar trysninë sociale.
Mos e lini fëmijërinë e fëmijës suaj në duart e algoritmeve dhe trendeve virale. Bëhuni një prind aktiv, i vetëdijshëm dhe i qëndrueshëm. Jepuni fëmijëve jo atë që kërkon trupi i tyre i manipuluar nga rrjetet sociale, por atë që ka nevojë zemra dhe mendja e tyre në rritje./Prindërimi