Shkalla më e lartë në ballkonin e shkollës ishte shumë e ngrohtë. Pasi dolën pothuajse shumica e nxënësve jashtë, mua disi nuk më bënte dot mendja ta lë oborrin e ngushtë të saj. Ishin ditët e para të shtatorit të vitit të dytë të shkollës së mesme, dhe më dukej sikur shokët dhe shoqet e klasës nuk ishin të njëjtit njerëz që i kisha njohur tre-katër muaj më parë-dhe kjo më kishte thyer pritshmëritë. Bisedat nuk ishin njësoj, të qeshurat poashtu. Vërehej një dozë ndryshimi në çdo imtësi.
Me një përhumbje të tillë, sapo ra zilja e fundit e orëve, u ula në maje të shkallëve të ballkonit dhe vura kokën mbi gjunjë, duke kërkuar me ngulm arsyet e atij ndryshimi...
Përballë e kisha rrugën ku kalonin nxënës të shkollave të ndryshme, një dyqan dhe një fotokopje. Të gjitha këto nuk arrija t’i shihja në tërësi, nga makinat e kalimtarët që më kalonin parasysh vazhdimisht. Nga ai vend ku po qëndroja, më dukej sikur nuk po shikoja me të vërtetë gjërat që më rrinin përballë. Nga brenda, ndihesha e qetë. Por ajo qetësi disi më bënte të vetmuar. Ndjenjën e mospërkatësisë me shokët dhe shoqet e kisha marrë me vete nga klasa, kur fillimisht kisha menduar që nuk kishte të bënte asgjë me mua. Tani ishte e qartë kristal. Ajo ndjenjë ishte edhe e imja.
Në të djathtën time, i dëgjova padashje dy vajza duke komentuar pamjen time. Përnjëherë, mu duk sikur ma ndërruan kajhen e mendimeve, dhe u ndjeva mirë. U mundova t’i shikoj fshehurazi se kush ishin, si në shenjë falenderimi, të cilën e ndjeja ta shprehja ndaj çdo të panjohuri, por më erdhi shumë turp. Jua lashë mirësinë të tërën atyre, ashtu siq ma dhanë, nga frika se mos prishej, dhe e përqafova heshtjen time edhe më shumë.
Me duart mbi gjunjë, ajo heshtje kalonte hapësirën e oborrit të shkollës, dhe ngaqë ishin ditët e para të atij viti shkollor, më dukej sikur ajo kërkonte një kuptim të ri, një mënyrë të re si t’i lidhte mirë copëzat e jetës, të vetes time, dhe të vetë qytetit tim me njëra-tjetrën.
Duke qëndruar ashtu, e vërejta se në fakt nuk isha vetëm. Dy korrierët e shkollës kohë pas kohe, e hapnin derën, dilnin, lëshonin ndonjë fjalë me njëri tjetrin dhe me nxënësit vazhdimisht. Derisa në një moment, mu drejtuan nga pas: Vajzë, a ke mësim ende, apo jo? Cfarë po bën këtu ulur? Jo, ju thashë, me fjali sa më të shkurtëra që munda, nga frika se do të më kërkonin të dilja jashtë- nuk kemi më orë për sot. Asgjë nuk po bëj, po rri. Dhe u ktheva në drejtimin tim fillestar.
Më dukej sikur i pengoja, dhe ajo ndjenjë ma prishi rehatinë që kisha krijuar. Kisha nevojë për hapësirë, për kohë timen vetëm, për mendim, për qetësi. Në fakt, për mua ishte hera e parë qe kisha marrë guximin të ndahem nga të tjerët. Dhe pas disa minutash, e kuptova se ai guxim kishte qenë me mua gjithmonë. Pra, nevoja për të qenë vetëm dhe për të mos u ndjerë më pak e rëndësishme në atë gjendje.
Ajo vetmi gradualisht filloi të bëhej mbushëse. Më merrte nga oborri, më shpiente në rrugën përballë, pastaj tek parku e deri në stacion, nga ku nisesha përfundimisht për në shtëpinë time. Atje kisha gjëra të tjera për të bërë; rrugë më të ngushta për të ecur. Atje kisha kohë edhe për një tjetër vetmi.
Laureta Rexha
