Për shumë maturantë, përfundimi i shkollës së mesme sjell një nga vendimet më të rëndësishme të jetës: të vazhdojnë menjëherë studimet universitare apo të marrin një vit pushim para se të fillojnë një kapitull të ri akademik. Ky vit, i njohur ndërkombëtarisht si “gap year” ose viti i zbrazët, është një periudhë gjatë së cilës të rinjtë mund të punojnë, të mësojnë aftësi të reja, të udhëtojnë, të bëjnë vullnetarizëm ose të eksplorojnë më mirë interesat dhe synimet e tyre.
Në shoqërinë tonë, ku shpesh ekziston pritshmëria që pas maturës menjëherë të fillojë universiteti, ideja e një viti ndërmjetësues mund të duket si humbje kohe. Megjithatë, kur planifikohet me kujdes, një gap year mund të jetë një mundësi e vlefshme për zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve. Në kete artikull do t’iu tregojme rreth perparesive dhe joperparesive qe ka nje vit i lire per te rinjte, ne menyre qe te studjohen keto parametra
Një nga përfitimet kryesore të këtij viti është njohja e mirë e vetes. Shumë maturantë përfundojnë shkollën pa qenë plotësisht të sigurt se cilin profesion dëshirojnë të ndjekin. Presioni për të zgjedhur shpejt një drejtim studimi mund t’i çojë disa të rinj drejt degëve që nuk përputhen me interesat ose aftësitë e tyre. Një vit reflektimi dhe eksplorimi mund t’u ndihmojë atyre të marrin vendime më të informuara.
Gjatë një gap year, të rinjtë mund të zhvillojnë aftësi që nuk mësohen gjithmonë në bankat e shkollës. Një punë sezonale, një kurs profesional, mësimi i një gjuhe të huaj apo angazhimi në projekte vullnetare mund t’u mësojnë përgjegjësi, menaxhim të kohës, komunikim dhe pavarësi.
Megjithatë, një vit i zbrazët nuk duhet të shihet si një periudhë pa qëllim. Dallimi mes një gap year të dobishëm dhe një viti të humbur qëndron te planifikimi. Nëse një i ri kalon një vit pa strukturë, pa objektiva dhe pa angazhime, mund ta ketë më të vështirë rikthimin në ritmin akademik.
Disa nga disavantazhet e Gap Year mund të jenë:
1.humbja e vullnetit (momentumit),
2.humbja e strukturës (organizimit)
3.izolimi, dhe
4.vështirësi për tu kthyer prapë në jetën akademike me intenzitetin e njëjtë.
Roli i prindërve është i rëndësishëm
Për prindërit, ky vendim mund të sjellë shqetësime. Shumë prej tyre kanë frikë se fëmija mund të humbasë motivimin për studime ose të mbetet pas bashkëmoshatarëve.Psikologët theksojnë se prindërit duhet t’i qasen vendimit për një vit të zbrazët (gap year) me udhëzim dhe mbështetje, jo me kontroll apo presion. Në vend që t’i thonë fëmijës: “Po humb një vit kot”, ata mund ta shohin këtë periudhë si një mundësi për të ndihmuar të riun të zhvillojë pjekurinë dhe të marrë përgjegjësi për të ardhmen e tij.
Prindërit mund t’u bëjnë pyetje fëmijëve që nxisin reflektim, si:
- “Çfarë shpreson të arrish gjatë kësaj periudhe?”
- “Si mendon se kjo përvojë do të të ndihmojë në të ardhmen?”
- “Cilat janë qëllimet që dëshiron t’i vendosësh vetes gjatë këtij viti?”
Në kontekstin tonë, ku shumë të rinj përballen me dilema rreth zgjedhjes së profesionit, tregut të punës dhe mundësive për zhvillim jashtë vendit, një vit i planifikuar mund të jetë një mundësi për të fituar përvoja të reja. Megjithatë, vendimi duhet të merret duke marrë parasysh karakterin, synimet dhe gatishmërinë e secilit maturant. Sipas psikologëve, një vit i zbrazët nuk është një vit i humbur, nëse përdoret për rritje personale, eksplorim dhe ndërtim të aftësive. Por pa qëllim dhe strukturë, ai mund të shndërrohet në një periudhë pasigurie.
Cili është roli i mësimdhënësve dhe Shkollave
Mësimdhënësit mund t’iu flasin nxënësve gjatë vitit të fundit shkollor rreth përcaktimit të tyre profesional në Universitet, duke i perfshirë edhe psikologët e shkollave në këtë proces të rëndësishëm vendimarrës. Njohja e përparësive dhe jopërparësive të këtij vendimi do të ishte metoda më efikase për një vendim sa më të dobishëm për nxënësit.
Por shkollat mund të veprojnë në mënyrë efikase në këtë drejtim duke organizuar:
- teste të interesit profesional,
- takime me profesionistë,
- panaire të karrierës,
- informim për universitete dhe bursa.
Në Kosovë, disa universitete kanë filluar të ofrojnë aktivitete orientuese, shkolla verore dhe sesione informuese për maturantët që duan të njihen më mirë me mundësitë akademike dhe profesionale. Këto iniciativa u japin të rinjve mundësinë të takojnë profesorë, studentë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, duke i ndihmuar ata të marrin vendime më të informuara për të ardhmen e tyre.
Prindërit dhe maturantët mund të ndjekin faqet zyrtare të universiteteve për të marrë informacionet më të fundit rreth afateve të aplikimit, shkollave verore dhe aktiviteteve orientuese:
- Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina’‘, Prishtinë
- Kolegji AAB-Prishtinë
- Universiteti ”Ukshin Hoti” Prizren
- Universiteti ”Haxhi Zeka’‘ në Pejë
- Universiteti ”Fehmi Agani” në Gjakovë
Në fund, nuk ekziston një përgjigje e vetme për të gjithë. Për disa të rinj, fillimi i menjëhershëm i universitetit është zgjedhja më e mirë, ndërsa për të tjerë një vit përgatitor mund të jetë pikërisht ajo që u nevojitet për të gjetur drejtimin e duhur. Sidoqoftë, konsiderimi i përparësive dhe jopërparësive në nivel individual të të rinjëve është metodë e mençur për t’i ndihmuar ata të arrijnë tek vendimi i duhur, natyrisht bashkë me përkrahjen e vazhdueshme të prindërve dhe mësimdhënësve.
