Në librin e saj të ri, psikologia Marisa Franco shpjegon pse është e rëndësishme të ndihesh mirë me veten dhe ndan një teknikë të dobishme për të punuar me kujtimet, të cilën e kemi shndërruar në një fletë pune të printueshme. Një burrë riformëson një kujtim shqetësues rreth përgatitjes së një torte, si një mënyrë për të rritur vetëvlerësimin.
Një mënyrë për të rritur vetëvlerësimin është të përditësosh një kujtim shqetësues që lidhet me mënyrën se si e sheh veten, thotë psikologia Marisa Franco. Si personi që je sot, kthehu pas në kohë dhe jepi vetes së vogël sigurinë dhe mbështetjen që kishe nevojë të dëgjoje atëherë. Kjo mund t’i japë vetes së sotme një ndjenjë çlirimi emocional.
—“Je idiot.” “Je i dobët.”—
A i ke thënë ndonjëherë vetes fjalë kritike kur përjeton emocione të forta? Nëse po, kjo mund të jetë një shenjë se po përballesh me vështirësi në ndërtimin e një ndjenje të qëndrueshme të vlerës për veten, thotë psikologia Marisa Franco. Kjo lidhet me aftësinë për t’u ndier mirë me veten dhe për t’i trajtuar emocionet e tua sikur kanë rëndësi.
Lajmi i mirë është se vetëvlerësimi është një aftësi që mund të mësohet dhe të zhvillohet, thotë Franco, autore e librit Worth: The New Science of Self-Esteem and Secure Attachment, botuar në shtator. Duke u mbështetur në kërkimet më të fundit në psikologji dhe neuroshkencë, libri ofron këndvështrime dhe ushtrime për të ndërtuar një ndjenjë më të fortë të vlerës personale. Një mënyrë efektive për ta bërë këtë, sipas Francos, është rikthimi te kujtimet e vështira. Kjo qasje mbështetet në teorinë e rikonsolidimit të kujtesës, e cila lidhet me punën e neuroshkencëtarit të sjelljes Karim Nader.
“Ka të bëjë me rikthimin te këto kujtime, duke i dhënë vetes mundësinë për një çlirim emocional dhe duke lejuar që ato ndjenja të përjetohen e të kalojnë, në mënyrë që të mos vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si e shohim veten sot”, thotë Franco.
Në një bisedë me Life Kit, Franco shpjegon përfitimet e një vetëvlerësimi të shëndetshëm dhe ndan një ushtrim që mund të ndihmojë në forcimin e ndjenjës së vlerës personale. Gjeni ushtrimin këtu: Fletë pune për Reparenting (Prindërimi i vetes): Riprinderimi

Le të flasim për rikonsolidimin e kujtesës.
Studiuesit kanë zbuluar se mund t’i transformojmë kujtimet tona dhe kjo mund të na ndihmojë të ndihemi më të vlefshëm. Gjëja interesante rreth kujtimeve është se ato nuk regjistrojnë vetëm të kaluarën; ato ndikojnë edhe në mënyrën se si parashikojmë të ardhmen.
Kur rikthehesh te një kujtim dhe imagjinon veten e rritur duke ndërhyrë në atë situatë dhe duke i thënë vetes së vogël: “Je i sigurt. Unë kujdesem për ty dhe nuk do të të braktis kurrë”, kjo mund të jetë mjaft transformuese. Kjo mund të çojë në vetëvlerësim më të lartë, më pak simptoma të traumës dhe gjithashtu në ndryshime në hipokampus, pjesa e trurit që luan një rol të rëndësishëm në përpunimin dhe ruajtjen e kujtimeve.
Ky ushtrim është përshtatur nga biseda jonë me Franco dhe nga kërkimet e psikologes Soljana Çili. Mund ta printosh këtë fletë pune ose të bësh një fotografi të saj në ekran dhe ta plotësosh. Ushtrimin mund ta bësh vetë, por mund të jetë e dobishme ta provosh edhe me një mik, psikolog ose terapist.
Në librin tuaj shpjegoni se si bëhet një ushtrim i rikonsolidimit të kujtesës, i quajtur “riparimi prindëror” (reparenting). Ai ju kërkon që, si personi që jeni sot, t’i ofroni siguri dhe mbështetje vetes suaj të vogël, në mënyrë që të përpunoni një ngjarje të vështirë nga e kaluara. A mund të ndani një shembull?
Një nga kujtimet që kam rikonsoliduar lidhet me një përvojë nga fëmijëria, kur nëna ime erdhi me vonesë për të më marrë nga stërvitja e futbollit. Isha një nga të paktët fëmijë me ngjyrë në ekip. Kur rikthehem te ai kujtim, mund ta përjetoj shumë gjallërisht se si ndihesha: i turpëruar, në siklet dhe ndryshe nga të gjithë të tjerët.
E imagjinoj veten time të sotme duke mbërritur para se të vinte nëna ime. Unë, si e rritur, dukem shumë e lumtur që po shoh veten time të vogël. E përqafoj dhe i them: “Oh, sa e lumtur jam që mund të vij të të marr! Edhe pse nëna jote është vonuar, ajo të do.”
Si ju bën të ndiheni ky ushtrim?
Më ndihmon të shoh të mirën që ekziston në botë dhe të mos i vlerësoj gjërat vetëm përmes negativitetit që mund të mbulojë gjithçka të mirë. Më bën të ndihem më e vlerësuar, më entuziaste, më pak e frikësuar dhe më e guximshme.
Pse ia vlen të punojmë me vetëvlerësimin e ulët?
Kur ke vetëvlerësim të ulët, bukuritë e jetës mund të mos arrijnë të depërtojnë tek ti. Mund të përjetosh një sukses të madh dhe përsëri të ndihesh si një dështim. Mund të gjesh një dashuri të madhe dhe përsëri të ndihesh i pavlerë për t’u dashur.
Pra, aftësia për ta përvetësuar dhe për ta ndier të mirën që ndodh në jetën tonë pengohet nga mënyra se si e shohim veten. Kur jemi në gjendje të ndihemi mirë me veten, mund ta pranojmë dhe ta përjetojmë më thellë të mirën që po ndodh në jetën tonë.
Cili është stili juaj i lidhjes emocionale?
Sipas teorisë së lidhjes emocionale, çdo person ka një stil të veçantë lidhjeje që ndikon në mënyrën se si lidhet me intimitetin dhe marrëdhëniet: të sigurt, ankthioz ose shmangës. Në një bisedë me neuroshkencëtarin Amir Levine, bashkautor i librit Attached, diskutohet se si stili i lidhjes mund të ndikojë në marrëdhëniet tona.
Artikull nga: MindShift
Përkthim: Prinderimi.com
