Përgaditja fillon me përgjegjësinë!
Për maturantët që ende nuk e kanë përfunduar Provimin e Maturës Shtetërore, gushti sjell një tjetër mundësi për të treguar njohuritë e fituara gjatë viteve të shkollimit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASHT) ka njoftuar se prej sot, pra me 12 gusht 2026 ka filluar aplikimi për paraqitjen e Provimit të Maturës Shtetërore, ndërsa afati për aplikim përfundon më 20 gusht.
Kjo do të thotë se maturantët që plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar provimit nuk duhet ta lënë aplikimin për ditët e fundit. Një afat i humbur mund të krijojë pengesa të panevojshme, prandaj kontrollimi i informatave, dokumenteve dhe kërkesave të aplikimit duhet të bëhet me kohë.
Provimi i Maturës Shtetërore në afatin e gushtit do të mbahet më 29 gusht, në orën 10:00.
Por përgatitja për provim nuk fillon vetëm me plotësimin e një formulari. Për maturantët, kjo periudhë është edhe një mundësi për të organizuar më mirë kohën, për të rikujtuar njohuritë kryesore dhe për të punuar në temat ku ndihen më pak të sigurt.
Mos e lini për natën e fundit
Një nga gabimet më të zakonshme para një provimi të rëndësishëm është përpjekja për të mësuar gjithçka në ditët e fundit. Në vend të kësaj, maturantët mund të krijojnë një plan të thjeshtë ditor: të ndajnë lëndët sipas prioriteteve, të zgjidhin ushtrime dhe teste të ngjashme me ato të provimit dhe të lënë kohë për përsëritje. Pushimi dhe gjumi janë gjithashtu pjesë e përgatitjes. Një mendje e lodhur e ka më të vështirë të përqendrohet dhe të rikujtojë informacionin.
Etika dhe përgjegjësia gjatë testimit
Provimi është i rëndësishëm, por mënyra se si maturanti i qaset atij është po aq domethënëse. Ndershmëria, respektimi i rregullave dhe përgjegjësia personale janë pjesë e procesit arsimor. Përpjekja për të kopjuar apo për të përdorur mjete të palejuara nuk është vetëm shkelje e rregullave, por cenon edhe vlerën e punës së bërë gjatë gjithë shkollimit.
Prindër, jini pjesë e përgatitjes
Prindërit mund të ndihmojnë duke krijuar një mjedis të qetë, duke i kujtuar fëmijës afatet dhe duke e mbështetur pa e rënduar me presion të panevojshëm. Një pyetje si “Si mund të të ndihmoj të përgatitesh?” mund të jetë më e dobishme sesa krahasimet me maturantë të tjerë.
Informacionet zyrtare për aplikimin dhe procedurat mund të gjinden në Udhëzuesin për Maturantët për Paraqitjen e Provimit Shtetëror të Maturës në Platformën eKosova
Ne si Prinderimi.com, ju urojmë shumë sukses në Provimin e Maturës Shtetërore! Përgatituni me qetësi, besoni në njohuritë tuaja dhe mos harroni se çdo përpjekje e bërë gjatë viteve të shkollimit ka vlerë. Përgatituni me kohë, respektoni rregullat dhe besoni te puna juaj. Ju urojmë përqendrim, vetëbesim dhe rezultate sa më të mira në këtë hap të rëndësishëm drejt së ardhmes!
Prinderimi.com
