Mësuesit zgjedhin profesionin e tyre për arsye të ndryshme, duke filluar nga pasioni për një lëndë të caktuar e deri te dëshira për të ndikuar në formimin e mendjeve të reja. Puna me prindërit mund të mos jetë në krye të listës për shumë edukatorë, sipas Stephanie Antin, specialiste e komunikimit në High Tech High në San Diego. Megjithatë, ajo thekson se përfshirja e prindërve, e përkufizuar si “partneriteti i plotë dhe i barabartë mes familjeve dhe shkollave”, është thelbësore për edukimin e nxënësve të vegjël.
Hulumtimet tregojnë se përfshirja e prindërve mund të përmirësojë angazhimin e nxënësve dhe arritjet e tyre akademike. Kur familjet përfshihen në jetën shkollore, ato mund të sjellin në komunitetin e shkollës rrjete të vlefshme, aftësi dhe mbështetje, thotë Antin.
Ndërtimi i marrëdhënieve pozitive me secilën familje mund të çojë në një vit shkollor më të suksesshëm dhe më të këndshëm, edhe pse kërkon përpjekje të konsiderueshme, veçanërisht në fillim, thotë Antin. Një mënyrë e thjeshtë për të filluar nxitjen e përfshirjes së prindërve është telefonata e shkurtër dhe pozitive, për t’i uruar prindërit për arritjet e fëmijës së tyre në klasë.
Kjo nuk kërkon shumë kohë, por ka një ndikim jashtëzakonisht të madh te familjet, tha Antin gjatë Konferencës së të Mësuarit të Thelluar 2024. Ajo rekomandoi që mësuesit të planifikojnë çdo javë, sidomos në fillim të vitit shkollor, pak kohë për t’u telefonuar prindërve.
Që në fillim, bëjini prindërit të ndihen të qetë
Telefonatat pozitive drejt familjes duhet të fillojnë duke i qetësuar prindërit. Antin rekomandon që mësuesi të prezantohet dhe të thotë: “Po telefonoj nga shkolla, gjithçka është në rregull.” Kjo i qetëson prindërit, të cilët mund të mendojnë se telefonata ka ardhur sepse fëmija i tyre është lënduar ose ka bërë diçka të gabuar. Më pas, mësuesi mund të ndajë një vlerësim pozitiv për nxënësin.
Ben Simson, mësues i arsimit special në distriktin shkollor San Mateo-Foster City në Kaliforni, filloi të jepte mësim gjatë pandemisë COVID-19, kur shumë nxënës ndiqnin mësimin në distancë. Ai vuri re se telefonatat pozitive u komunikonin prindërve se ai kujdesej për fëmijët e tyre.
Ishte një periudhë kur njerëzit ishin jashtëzakonisht të tensionuar për shkak të gjithçkaje që po ndodhte në jetën e tyre”, tha ai. “E dija se nëse mund t’u dhuroja prindërve një moment të bukur në një kohë shumë të vështirë dhe t’u tregoja se fëmijët e tyre po kujdeseshin, do ta bëja.”
Përqendrohuni te anët pozitive
Në fillim mund të jetë e vështirë të vihen re sjelljet pozitive, veçanërisht te nxënësit që shpesh sillen keq. Edukimi do të ketë gjithmonë momente të mira dhe të vështira, thotë Simson, duke vënë në dukje se është e lehtë të përqendrohemi te gjërat që nuk po shkojnë mirë.Nëse bëjmë telefonata për arsye pozitive, u tregojmë familjeve se kujdesemi për fëmijët e tyre dhe se i shohim duke bërë gjëra të mira, por gjithashtu po ndajmë me ta edhe pikat e tyre të forta.
Antin sugjeron që mësuesit të vërejnë edhe arritjet e vogla, si dorëzimi i një detyre në kohë ose ndihma në detyrat e klasës. Ndërsa mësuesit mësohen të kërkojnë gjërat që nxënësit i bëjnë mirë, kjo mund të shndërrohet në një praktikë mirënjohjeje që përmirëson edhe përvojën e tyre të përgjithshme në klasë.
“Kur fillon të kërkosh gjëra për të cilat je mirënjohës, kjo fillon të ndërtohet vetvetiu dhe, papritur, e gjen veten duke thënë: ‘Jam mirënjohës për gjithçka’”, thotë Antin. Të dëgjojnë fëmijën e tyre duke u vlerësuar është e rëndësishme për prindërit e fëmijëve që shpesh kanë probleme në klasë, por edhe për nxënësit e qetë, të cilët shpesh kalojnë pa u vënë re.
Për shembull, një prind i kishte treguar Antin se nuk merrte kurrë telefonata nga shkolla për fëmijën e saj, sepse ai nuk shfaqte as sjellje jashtëzakonisht të mira dhe as sjellje veçanërisht problematike. Kur mori një telefonatë pozitive nga shkolla, asaj i erdhën lotët në sy, sepse rrallë merrte ndonjë informacion për mënyrën se si po shkonte fëmija i saj në shkollë.
Mbajeni telefonatën të shkurtër
Mësuesit mund t’i shmangin telefonatat me prindërit për arsye të ndryshme.
Ata kanë frikë se prindërit do t’i fajësojnë për diçka, do t’u drejtojnë gishtin ose do të jenë tepër kërkues, thotë Antin. Rritja e përfshirjes së prindërve do të thotë të heqësh dorë nga një pjesë e kontrollit. Shumë gjëra mund të shkojnë keq, por po aq shumë gjëra mund të shkojnë edhe mirë. Disa mësues shqetësohen gjithashtu se këto telefonata do t’u marrin shumë kohë. Megjithatë, një telefonatë pozitive mund të zgjasë vetëm disa minuta.
Nëse një prind përpiqet ta zgjasë bisedën më shumë nga sa ishte parashikuar, është krejtësisht në rregull që mësuesi ta ndërpresë me mirësjellje dhe të vendosë kufij. Antin sugjeron të thuhet: “Le të caktojmë një takim dhe pastaj të ulemi e të flasim për çështjen tjetër kur të kemi më shumë kohë dhe të mund të merremi më thellësisht me të.”
Bëjini telefonatat pozitive pjesë të kulturës së shkollës
Drejtuesit e shkollave mund t’i mbështesin mësuesit duke u caktuar kohë për këto telefonata. Për shembull, drejtuesit mund t’i përfundojnë mbledhjet e stafit 15 minuta më herët dhe t’i inkurajojnë mësuesit ta përdorin këtë kohë për t’u telefonuar prindërve, sugjeron Antin. Drejtuesit mund t’u japin gjithashtu mësuesve mundësinë që gjatë mbledhjeve të stafit të ndajnë përvojat e tyre me këto telefonata.
Njohja, vlerësimi dhe krijimi i kohës për këtë lloj pune mund t’i motivojë mësuesit të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe të frymëzojnë edhe kolegë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.Telefonatat pozitive drejt familjeve mund të jenë gjithashtu pikënisje për mundësi të tjera në nivel shkolle, që synojnë thellimin e përfshirjes së familjeve.
Për shembull, mbrëmjet e fillimit të vitit shkollor, takimet prindër-mësues ose ditët e dyerve të hapura mund të shërbejnë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet, në vend që të kufizohen vetëm në dhënien e informacionit, sipas Antin. Prindërit mund të përfitojnë më shumë nga këto aktivitete kur tashmë kanë krijuar një marrëdhënie me mësuesit. Duhet të ndërtoni atë marrëdhënie besimi, në mënyrë që familjet ta dinë se të gjithë jeni në të njëjtën anë, thotë Antin.
Artikull nga: Nimah Gobir
Përkthim: Prinderimi.com
