Fillimi i kësaj jave të parë të gushtit u shoqërua me shumë lajme të bukura për arritjet e fëmijëve kosovarë në garat ndërkombëtare të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhjetëra nxënës u vlerësuan me çmime, medalje dhe rezultate të rëndësishme në fusha të ndryshme të edukimit.
Për ne si shoqëri dhe për të gjithë prindërit e këtyre fëmijëve, këto suksese janë burim krenarie dhe frymëzimi. Ato na kujtojnë mundësitë e mëdha që kanë fëmijët tanë kur mbështeten, udhëzohen dhe inkurajohen.
Megjithatë, çdo sukses mbart edhe një mesazh më të thellë për prindërit. Çdo fitore e fëmijës duhet të jetë jo vetëm një moment gëzimi, por edhe një mundësi për të reflektuar mbi marrëdhënien tonë me të: a po e ndihmojmë fëmijën të kuptojë se vlera e tij qëndron përtej arritjeve?
Suksesi është diçka që fëmija arrin, jo diçka që përcakton vlerën e tij
Një nga rreziqet e padukshme të suksesit të fëmijës është krijimi i bindjes se ai është më i dashur kur arrin rezultate të larta në shkollë, sport apo fusha të tjera. Edhe pse kjo nuk është ajo që shumica e prindërve synojnë t’u transmetojnë fëmijëve të tyre, mënyra si reagojmë ndaj arritjeve mund të ndikojë në mënyrën se si fëmija e percepton veten.
Prandaj, momentet e suksesit janë një mundësi e mirë për t’ua bërë të qartë fëmijëve se dashuria jonë ndaj tyre është e pakushtëzuar. Ne mund të festojmë medaljet, notat e mira dhe përpjekjet e tyre, por njëkohësisht duhet t’u tregojmë se vlera e tyre nuk zvogëlohet kur ata gabojnë, humbasin ose nuk arrijnë rezultatin e dëshiruar.
Një fëmijë që rritet me këtë bindje mëson ta vlerësojë veten si njeri, përtej titujve, çmimeve apo etiketave të suksesit. Kjo gjithashtu e ndihmon të zhvillojë respekt dhe mirëkuptim ndaj të tjerëve, duke mos e matur vlerën e njerëzve vetëm përmes arritjeve, statusit apo pozitës së tyre shoqërore.
Çfarë thotë psikologjia për dashurinë e kushtëzuar?
Psikologu Carl Rogers (1959) argumentoi se kur një individ përjeton vlerësim të kushtëzuar nga njerëzit e rëndësishëm në jetën e tij, ai mund të krijojë bindjen se vlera personale dhe dashuria varen nga përmbushja e disa kushteve.
Në rastin e fëmijëve, kjo mund të përkthehet në një mesazh të brendshëm si: “Jam i vlefshëm kur fitoj”, “Jam i pranueshëm kur arrij atë që pritet nga unë” ose “Duhet të jem i suksesshëm që të jem krenari e prindërve të mi”.
Sipas Rogers, vendosja e vazhdueshme e këtyre kushteve mund të pengojë zhvillimin e shëndetshëm personal, sepse fëmija fillon ta ndërtojë vetëvlerësimin mbi pritshmëritë e jashtme dhe jo mbi një ndjenjë të qëndrueshme të vlerës personale.
Gjithashtu, hulumtime më të fundit të bazuara në konceptin e vlerësimit të kushtëzuar prindëror të propozuar nga Assor et al. (2004) dhe në Teorinë e Vetëpërcaktimit të Ryan dhe Deci (2000, 2017), tregojnë se ky lloj vlerësimi lidhet me pasoja jo të favorshme për mirëqenien psikologjike të fëmijëve dhe marrëdhëniet e tyre me të tjerët.https://prinderimi.com/studim-nderimi-i-vlerave-personale-dhe-mireqenia/
Çfarë u nevojitet fëmijëve për të zhvilluar potencialin e tyre?
Për ta kuptuar më mirë marrëdhënien mes prindit dhe fëmijës, është e rëndësishme të ndalemi te Teoria e Vetëpërcaktimit e Ryan dhe Deci. Sipas kësaj teorie, ekzistojnë tri nevoja themelore psikologjike që i ndihmojnë fëmijët të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme:
Autonomia – fëmija ka nevojë të ndihet se ka zërin e tij, mendimet e tij dhe mundësinë për të bërë zgjedhje të përshtatshme për moshën.
Kompetenca – fëmija ka nevojë të ndiejë se është i aftë të mësojë, të përmirësohet dhe të përballet me sfida.
Lidhja emocionale – fëmija ka nevojë të ndihet i dashur, i pranuar dhe i sigurt në marrëdhënien me prindërit.
Kur këto nevoja plotësohen, fëmijët kanë më shumë mundësi të ndërtojnë një ndjenjë të fortë të vlerës personale, e cila nuk varet vetëm nga shpërblimet, notat apo aprovimi i të tjerëve.
Si mund t’ua mësojnë prindërit këtë fëmijëve?
1. Ndihmojini fëmijët të ndërtojnë vlerat e tyre personale
Fëmijët duhet të mësojnë se mendimet dhe gjykimet e njerëzve rreth tyre mund të ndryshojnë. Për këtë arsye, qëllimi nuk duhet të jetë gjithmonë kërkimi i aprovimit nga të tjerët, por zhvillimi i një busulle të brendshme: “A veprova sipas vlerave të mia?”, “Çfarë mësova nga kjo përvojë?”, “Si mund të përmirësohem?”
2. Vlerësoni përpjekjen, jo vetëm rezultatin
Në vend që fëmija të dëgjojë vetëm: “Je i zgjuar sepse more notën më të lartë”, ai ka nevojë të dëgjojë edhe:
Vura re sa shumë u përpoqe.
Më pëlqeu mënyra si nuk u dorëzove.
Jam krenar për përkushtimin tënd.
Kjo e ndihmon fëmijën të kuptojë se procesi i të mësuarit ka vlerë po aq sa rezultati.
3. Ndajeni gëzimin për suksesin nga dashuria për fëmijën
Prindi mund të jetë krenar për arritjet e fëmijës dhe njëkohësisht t’i tregojë: Jam shumë i lumtur për suksesin tënd, por dua ta dish se do të të dua dhe do të jem pranë teje edhe kur gjërat nuk shkojnë siç dëshiron.
4. Mësojini fëmijët se gabimet janë pjesë e rritjes
Një fëmijë që nuk ka frikë nga gabimet ka më shumë mundësi të provojë gjëra të reja, të mësojë dhe të zhvillojë besim tek vetja. Arritjet e fëmijëve janë momente të bukura që meritojnë të festohen. Por dhurata më e madhe që një prind mund t’i japë fëmijës nuk është vetëm ndihma për të arritur sukses, por bindja se ai është i vlefshëm edhe përtej suksesit.
Fëmija duhet të rritet me ndjenjën:
Unë jam i dashur jo vetëm për atë që bëj, por për atë që jam.
Prinderimi.com
