Për shumë familje shqiptare që jetojnë jashtë vendit, ruajtja e gjuhës shqipe te fëmijët është një nga sfidat më të mëdha. Në një kohë kur fëmijët rriten mes gjuhëve dhe kulturave të ndryshme, mësimi i shqipes mbetet një mënyrë e rëndësishme për të ruajtur lidhjen me origjinën, familjen dhe identitetin e tyre.
Pikërisht për këtë qëllim ka nisur ‘‘Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, i organizuar nga MASHT-Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë.
Seminari i këtij viti ka në fokus temën: “Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar” dhe mbledh mbi 200 mësues të gjuhës shqipe nga vende të ndryshme të diasporës, të cilët do të ndajnë përvojat dhe metodat e tyre në punën me fëmijët shqiptarë jashtë vendit.
Gjatë hapjes së seminarit u theksua rëndësia e rolit që kanë prindërit dhe mësuesit në krijimin e një lidhjeje emocionale të fëmijëve me gjuhën shqipe. Sipas të dhënave të prezantuara, rreth ”800 mësues dhe 23 mijë nxënës” mësojnë gjuhën shqipe në diasporë.
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Hajrulla Çeku, theksoi se mërgata është një urë e rëndësishme lidhëse me botën dhe se janë ndërmarrë hapa për fuqizimin e mësimit të shqipes përmes teksteve të përbashkëta me Shqipërinë, trajnimit të mësimdhënësve, ekskursioneve për fëmijët e diasporës dhe platformave digjitale.
Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit të Shqipërisë, Orjana Osmani, vlerësoi punën e mësuesve të diasporës, duke theksuar se një gjuhë mbahet gjallë kur ajo u përcillet brezave të rinj.
Për familjet shqiptare jashtë vendit, ruajtja e gjuhës nuk lidhet vetëm me fjalët që fëmijët mësojnë, por edhe me historinë, traditat, këngët, tregimet dhe komunikimin me gjyshërit e të afërmit. Shpesh, një bisedë në shqip në shtëpi, leximi i një libri shqip apo pjesëmarrja në një kurs të gjuhës shqipe mund të bëhen hapa të rëndësishëm për ta mbajtur gjallë këtë lidhje.
Gjatë seminarit do të zhvillohen punëtori dhe diskutime mbi metodat bashkëkohore të mësimdhënies, motivimin e nxënësve dhe sfidat me të cilat përballen mësuesit e shqipes në diasporë. Për prindërit shqiptarë që rrisin fëmijët jashtë vendit, mesazhi është i qartë: gjuha shqipe nuk është vetëm një lëndë mësimore – ajo është një pjesë e trashëgimisë dhe identitetit që u përcillet brezave të ardhshëm.
Ky seminar merr një rëndësi të veçantë në një kohë kur gjuha shqipe përballet me sfida të reja, jo vetëm në diasporë, por edhe në vendin e saj të origjinës. Rënia e interesimit për studimin e gjuhës shqipe në nivelet universitare, përfshirë edhe mungesën e studentëve të rinj në programet e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, është një sinjal që kërkon reflektim të përbashkët.
Ruajtja e shqipes kërkon angazhim të vazhdueshëm: nga familjet, institucionet, studiuesit dhe brezat e rinj, për ta përdorur, hulumtuar dhe zhvilluar gjuhën si një pasuri të gjallë kulturore.
