Çfarë janë stilet e të nxënit?
Stilet e të nxënit përshkruajnë mënyrat e ndryshme përmes të cilave individët preferojnë të marrin dhe përpunojnë informacionin. Në edukimin e fëmijërisë së hershme, ky koncept na ndihmon të kuptojmë pse disa fëmijë përfitojnë më shumë nga metoda të caktuara të mësimdhënies, ndërsa të tjerë mund të kenë vështirësi, edhe kur nivelet e inteligjencës dhe motivimit janë të ngjashme.
Në vend që të shihen si kategori të pandryshueshme, stilet e të nxënit përfaqësojnë preferenca të të mësuarit, të cilat mund të na udhëheqin në mënyrën se si prezantojmë informacionin dhe organizojmë përvojat mësimore.
Koncepti i stileve të të nxënit u zhvillua nga kërkimet në psikologjinë e edukimit gjatë viteve 1970 dhe që atëherë është diskutuar gjerësisht në fushën e prindërimit dhe arsimit. Për fëmijët e vegjël nga mosha 2 deri në 6 vjeç, njohja e këtyre preferencave shërben si një mjet për të krijuar përvoja më interesante dhe më efektive të të mësuarit, dhe jo për t’i kufizuar fëmijët me etiketa.
Në këtë fazë të zhvillimit, fëmijët janë ende duke zbuluar aftësitë dhe mënyrat e tyre të preferuara të të nxënit. Për këtë arsye, fleksibiliteti dhe vëzhgimi i kujdesshëm janë çelësi për t’i mbështetur ata në rritjen e tyre.
Është e rëndësishme të kuptohet se preferencat e të nxënit në fëmijërinë e hershme janë vetëm modele që po shfaqen dhe jo karakteristika të përhershme. Një fëmijë i vogël që sot pëlqen shumë aktivitetet praktike dhe eksplorimin me duar, mund të zhvillojë më vonë aftësi të forta në përpunimin vizual. Qëllimi është të njohim preferencat aktuale të fëmijës, duke i ofruar njëkohësisht përvoja të ndryshme që mbështesin zhvillimin e tij të përgjithshëm.
Tabela e përmbajtjes
ToggleModeli VAK: Vizual, Auditiv dhe Kinestetik
Modeli VAK – Vizual, Auditiv dhe Kinestetik – ofron një mënyrë të thjeshtë dhe praktike për të kuptuar preferencat e të nxënit tek fëmijët e vegjël. Ky model funksionon veçanërisht mirë në fëmijërinë e hershme, sepse fokusohet në mënyrat bazë shqisore përmes të cilave fëmijët mësojnë dhe që mund të vërehen lehtësisht në aktivitetet e përditshme.
Fëmijët me preferenca vizuale
Fëmijët që mësojnë më mirë përmes shikimit e përpunojnë informacionin në mënyrë më efektive kur përdorin pamje dhe materiale vizuale. Ata shpesh preferojnë fotografi, demonstrime dhe organizime të dukshme të informacionit.
Këta fëmijë mund të vërejnë detaje që të tjerët nuk i shohin, të kujtojnë fytyrat më mirë sesa emrat dhe të shijojnë librat me figura edhe para se të dinë të lexojnë. Ata shpesh organizojnë me kujdes hapësirën e lojës dhe reagojnë mirë ndaj materialeve me ngjyra dhe pamje tërheqëse.
Fëmijët me preferenca auditive
Fëmijët që mësojnë më mirë përmes dëgjimit dhe të folurit përpunojnë informacionin përmes tingujve dhe komunikimit verbal. Ata zakonisht pëlqejnë tregimet dhe bisedat.
Këta fëmijë mund të flasin me veten gjatë lojës, të mbajnë mend mirë udhëzimet e dhëna me gojë dhe të kënaqen duke krijuar tinguj ose muzikë. Shpesh janë fëmijë që fillojnë të flasin herët, bëjnë shumë pyetje dhe mendojnë me zë ndërsa përpiqen të zgjidhin probleme.
Fëmijët me preferenca kinestetike
Fëmijët kinestetikë preferojnë të mësojnë përmes lëvizjes dhe prekjes. Ata kanë nevojë të manipulojnë objekte, të lëvizin trupin ose të përdorin duart për të kuptuar më mirë konceptet.
Këta fëmijë mund të duken të shqetësuar gjatë aktiviteteve ku duhet të qëndrojnë ulur, por mund të përqendrohen shumë kur u lejohet të lëvizin. Ata mësojnë më mirë përmes përvojave praktike dhe mund të kenë vështirësi me udhëzimet që janë vetëm verbale ose vizuale.
Ekspertët e zhvillimit të fëmijëve theksojnë se shumica e njerëzve, veçanërisht fëmijët e vegjël, përfitojnë nga qasjet shumëshqisore që përfshijnë disa mënyra të të nxënit njëkohësisht.
Si t’i identifikoni preferencat e të nxënit të fëmijës tuaj?
Teknikat e vëzhgimit për prindërit
Identifikimi i mënyrës se si fëmija juaj mëson më mirë kërkon vëzhgim të kujdesshëm gjatë lojës dhe aktiviteteve të përditshme, dhe jo teste formale. Informacioni më i vlefshëm vjen duke parë mënyrën se si fëmija përballet me situata të reja, zgjidh probleme dhe angazhohet në aktivitete të ndryshme me kalimin e kohës.
Mbani mend se preferencat mund të jenë të vogla dhe mund të ndryshojnë ndërsa fëmija rritet.
Filloni duke vëzhguar fëmijën gjatë lojës së lirë.
Fëmijët vizualë shpesh:
- organizojnë lodrat e tyre;
- kalojnë kohë duke parë libra;
- krijojnë skena me kuba ose kukulla;
- rreshtojnë makinat sipas ngjyrave;
- organizojnë lodrat sipas modeleve të caktuara.
Kur marrin një lodër të re, ata zakonisht e shqyrtojnë me kujdes nga kënde të ndryshme para se të fillojnë lojën.
Fëmijët auditivë shpesh:
- krijojnë tregime gjatë lojës;
- flasin me lodrat e tyre;
- përshkruajnë me zë atë që po bëjnë;
- këndojnë ose krijojnë tinguj;
- bëjnë shumë pyetje.
Ata shpesh mbajnë mend këngët ose tregimet pasi i kanë dëgjuar vetëm disa herë.
Fëmijët kinestetikë zakonisht:
- përfshihen me gjithë trupin në aktivitete;
- prekin dhe eksplorojnë gjithçka;
- preferojnë lojërat aktive;
- mësojnë përmes ndërtimit dhe krijimit me duar.
Ata mund të kenë vështirësi të qëndrojnë ulur gjatë tregimeve, por përqendrohen shumë kur ndërtojnë ose krijojnë diçka.
Vëzhgimi sipas moshës
Për fëmijët 2–3 vjeç, vëzhgoni mënyrën se si eksplorojnë ambiente të reja, reagojnë ndaj udhëzimeve dhe luajnë me lodra të ndryshme.
Në moshën 3 vjeçare, fëmijët mund të fillojnë të tregojnë më qartë preferencat e tyre për aktivitete, materiale dhe mënyra të zgjidhjes së problemeve.
Nga mosha 4–6 vjeç, shumë fëmijë shfaqin modele më të qëndrueshme dhe mund të fillojnë të shprehin vetë se çfarë mënyre të të mësuarit preferojnë.
Çelësi i vëzhgimit efektiv është të kërkoni modele të përsëritura me kalimin e kohës dhe jo të bazoheni në një rast të vetëm. Të gjithë fëmijët kanë nevojë për shumëllojshmëri aktivitetesh dhe nuk duhet të kufizohen vetëm në një mënyrë të të mësuarit.
Aktivitete të thjeshta për të kuptuar mënyrën e të nxënit të fëmijës
Në vend të vlerësimeve formale, prindërit mund të përdorin aktivitete të thjeshta që tregojnë se si fëmija përpunon informacionin.
Për shembull, kur mësoni për kafshët, mund të:
- tregoni fotografi të kafshëve (vizual);
- imitoni tingujt e tyre së bashku (auditiv);
- luani duke imituar lëvizjet e kafshëve (kinestetik).
Vëzhgoni se cila mënyrë e mban më gjatë vëmendjen e fëmijës dhe e ndihmon të kujtojë më mirë informacionin.
Një tjetër mënyrë është vëzhgimi i reagimit ndaj një lodre të re.
Fëmijët vizualë zakonisht e shikojnë dhe e analizojnë me kujdes.
Fëmijët auditivë mund të bëjnë pyetje ose të krijojnë histori rreth saj.
Fëmijët kinestetikë zakonisht duan ta prekin, ta hapin dhe të kuptojnë se si funksionon përmes eksplorimit praktik.
Qëllimi nuk është të vendosim një etiketë mbi fëmijën, por të kuptojmë më mirë mënyrën se si ai eksploron botën dhe ta mbështesim me përvoja të pasura e të ndryshme.
Author: Kathy Brodie
Përkthim: Prindërimi.com
